Gjirokastër, atentat me tritol në shtëpi, plagoset Gentian Liti
Një shpërthim ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes në lagjen Dunavat në qytetin e Gjirokastrës. Mësohet se një sasi tritoli ka qenë vendosur në brendësi të banesës së Gentian Litit në pjesën veriore të kësaj lagjeje duke shkaktuar lëndime të lehta në kokë të këtij të fundit, si dhe dëme në materiale.
Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje ku ka dërguar në spitalin e Gjirokastrës të lënduarin 34-vjeçarin Gentian Litin i cili pas mjekimit është rikthyer në banesë.
Në momentin e shpërthimit, të pestë anëtarët e familjes Liti, kanë qenë në brendësi të banesës dhe fatmirësisht askush prej tyre nuk kanë pësuar asnjë dëmtim fizik, përveçse disa gërvishtje në kokë të djalit të shtëpisë Gentianit që mendohet se ka qenë edhe shënjestra i atentatit me tritol.
Policia ka marrë në pyetje të dëmtuarin, anëtarët e tjerë të familjes Liti, si dhe komshinjtë. Pista e vetme ku heton grupi hetimor i ngritur me këtë rast, është ajo e një konflikti mes Gentian Litit dhe personave të tjerë të dyshuar që përbëjnë sekret hetimor.
Sasia e lëndës shpërthyese mendohet të ketë qenë gati 100 gram, ndërkohë që oshëtima e shpërthimit u dëgjua gati 1.5 km larg.
Në korrik të 2013 automjeti i Gentian Litit ishte shënjestër e lëndës plasëse ndërkohë që askush në atë periudhë autori i vendosjes së tritolit nuk u gjend. /JuguNews/