Albspirit

Media/News/Publishing

Gudar Beqiraj: Reforma e vitit 2007 e mbyti fare Akademinë e Shkencave

INTERVISTA/Flet ish-kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj: Z. Fuga të vij në mbledhjet e Asamblesë aty të bëjë debat, jo me letra dhe facebook

 

Reforma e vitit 2007 e zhyti, e mbyti, e çoi në minus fare Aakademinë e Shkencave

 

Albert Z. ZHOLI

Dhe pse një komision ad hoc i reformës i përbërë nga akademikë është ngritur me vendimin e Asamblesë së ASH-së nr. 18. prot, datë 11 shtator “Për krijimin e komisionit Ad Hoc, (amenduar me vendimin Nr. 1 , datë 18 janar 2018), me mandat të plotë përfaqësimi, miratuar nga Asambleja e Akademisë si Shkencave, për reformën në kërkimin shkencor dhe në atë institucionale”, i cili do të hartojë draftet e akteve të brendshme të vetëreformimit, si: “Statuti” i ASH-së dhe dokumentet: “Kriteret dhe standardet e pranimeve të reja si ‘akademik’ dhe ‘akademik i asociuar’” dhe “Kriteret dhe standardet e konkurrimit në pozicionet drejtuese të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë”, akademik Artan Fuga në një postim në facebook reagon:

Akademia e shkencave: rithemelim, jo restaurim!

Në vëmendje të z. Kryeministër Edi Rama,
të Presidentit të Republikës z. Ilir Meta,
të Ministres së arsimit, znj. Lindita Nikolla,
të sekretarit të akademisë së shkencave z. Vasil Tole

Pa platformë të thellë të pranuar nga i gjithë komuniteti i shkencëtarëve, profesorati, kërkuesit shkencor, pa mirëkuptimin e trupave kolektive që bartin sovranitetin popullor, pa një vendimmarrje kolektive të akademikëve për një platformë strategjike të vërtetë nuk mund të ketë reformim të akademisë së shkencave…

 

-Cili është mendimi juaj për këtë reagim të z. Fuga? A po ecën Reforma në Akademinë e Shkencave apo ka ngecur sërish? Çfarë zhvillimesh të reja ka?

 

 

 

N.q.s do të futeni në portalin e ASH, do të lexoni: Asambleja e Akademisë së Shkencave, në mbledhjen e saj të zakonshme me Vendim nr.1, të datës 18 janar 2018, me rend dite (bashkëmbyllur) të bërë publik më datën 15 janar 2018, mbështetur shkresës nr. prot 224, datë, 10.01.2018 “Për vijimin e ristrukturimit të Akademisë së Shkencave”, të Ministres së Arsimit (bashkëmbyllur), drejtuar kryesisë së ASH-së ku kërkohet caktimi i dy përfaqësuesve të ASH-se në Komisionin e përbashkët të Mirëbesimit, si dhe propozimit të akademik Apollon Baçe, kryetar i Komisionit Ad Hoc të reformës (bashkëmbyllur), ku kërkohet zëvendësimi i dy anëtarëve të dorëhequr të këtij komisioni, pas arritjes së kuorumit dhe aprovimit të rendit të ditës, me propozime të drejtpërdrejta të anëtarëve të Asamblesë (shih procesverbalin) dhe me votim të hapur vendosi; Akademik Vasil S. Tole, sekretar shkencor i ASII-së dhe akademik Beqir Meta të jenë përfaqësuesit e Akademisë së Shkencave në përbërje të Komisionit të përbashkët të Mirëbesimit mes MASR dhe ASH-se, për ndjekjen dhe monitorimin e procesit të reformimit. 2 Komisioni Ad Hoc të ketë 9 anëtarë akademike me këtë përbërje: Akad. Apollon Baçe, anëtar i asamblesë; Akad. Artan Fuga, Akad. Anastas Angjeli, Akad. Aurela Anastasi, Akad. Floran Vila, Akad. Kosta Barjaba, Akad. Neki Frasheri, Akad. Skender Gjinushi, Akad. Salvator Bushati, ..3. Të falenderojë për mbështetjen dhe bashkëpunimin në procesin e reformës, ASH të Gjermanisë-LEOPOLDINA dhe ALLEA-II. Pra në bazë të këtij vendimi, puna ka filluar dhe po ecën në bazë të objektivave të caktuara. Pavarësisht se çfarë thotë z. Fuga, unë, duke ndjekur procesin mund të them se puna po ravijëzohet  në mënyrë korrekte reforma dhe z. Fuga bie ndesh me të gjithë për herë të dytë. Ishte ai që kërkoi reformimin dhe ne e mbështetëm, madje i kërkuam dhe mendim. Asambleja është organi më i lartë vendimmarrës e cila në këtë reformë do të bashkëpunojë ngushtësisht me MASR. Mendoj se z. Fuga nuk duhet të dali dhe mbi Asamblenë dhe zgjedhjet që u kryen për komisionin për ecurinë e reformës, pasi zgjedhjet për komisionin u bënë në mënyrën më demokratike. Edhe në këtë rast ai duhet dëgjuar pasi ka mendimin e tij, por të jemi koshientë dhe transparent me lexuesin, z. Fuga del sërish kundër të gjithëve, pra një kundër 25 a më shumë akademikëve! Si ka mundësi që sërish edhe pas zgjedhjes së Komisionit z. Fuga del kundër 25 akademikëve të respektuar dhe të nderuar?! Gjithmonë kundër edhe kur mazhoranca fiton, si në zgjedhjet parlamentare?! Pra mazhoranca në çdo lloj zgjedhje flet apo triumfon me votë. Por, në këtë rast, ne nuk jemi mazhorancë, por supermazhorancë…

 

-Në kuptimin tuaj çfarë duhet të përmbajë ky reformim? Kush duhet të jetë baza e reformës në ASH?

Reforma për mua ka filluar që me ngritjen e komisionit nga Asambleja. Ka një ligj  dhe një statut, se kush dhe si zgjidhet anëtar i ASH apo anëtar i një komisioni. Pra bazuar në ligj me votim të fshehtë u zgjodhën këta anëtarë të cilët do të ndjekin këtë reformim. Pra ata që do vazhdojnë rrugën e reformimit janë akademikë të aftë, korrektë, me mjaft emër në profesionet e tyre, të cilët ne ju besuam Reformën. N.q.s. ka ndonjë zë kundër tyre le të ketë, por kjo nuk ndikon në ecurinë e Reformës pasi zgjedhjet u bënë sipas statutit dhe nuk ka kush i kundërshton kushdo qoftë.  Për mendimin tim reforma në akademi duhet të kthehet në lartësinë e mëparshme të ekzistencës së Instituteve ku të përcaktohen objektivat dhe standardet për çdo Institut. Psh. Austria kështu e ka të ndërtuar ASH në nivel Institutesh. Institute të kësaj akademie prodhojnë me mijëra euro në vit.

-Si i prodhojnë këto euro institutet në Austri?

P.sh, Instituti i Teknologjisë në Austri projekton, zbulon, ideon aparate, bën zbulime shkencore, shpik pajisje, makineri, që i duhen industrisë. Këto projekte ose këto krijime të reja rrisin prodhimin, ulin koston e prodhimit, rrisin cilësinë dhe të gjitha i shiten industrisë, uzinave, fabrikave, punishteve, metalurgjive ku me fillimin e prodhimit ASH merr pjesën e vetë të fitimit. Pra krijohet një bashkëpunim i thellë Akademi-industri. Madje ky bashkëpunim është më shumë në interes të industrialistëve që kanë shumë interes bashkëpunimi. Ne aktualisht kemi akademikë të niveleve të larta që kërkohen dhe në botë apo që po lënë gjurmë dhe në botë. Edhe ata e kanë përkrahur fillimin e reformës.

 

-Sipas jush cilat institute duhen rikrijuar që të rritet efikasiteti, të rritet bashkëpunimi me sektorin prodhues që Akademia të jetë rentabël?

Janë disa.  Puna nuk është e gjallë duke qenë pa institute,  pavarësisht se akademikët kanë punuar, kanë shkruar, kanë nxjerrë produkte që i shërbejnë ekonomisë, duke filluar nga shkencat e ujit, energjisë, arkeologjisë dhe deri tek teknologjia ku kanë nxjerrë vepra cilësore në fushat e tyre. Duke parë zhvillimet e fundit dhe kërkesat e kohës, Akademia duhet të ketë institutet kryesore, duke filluar nga Instituti Hidrometeorologjisë, Instituti i Sizmologjisë, Biologjisë, Fizikës Bërthamore,  Instituti i Informatikës duke përfunduar tek Albanologjia. Dikur Instituti Sizmologjisë ishte elitar, sot Shqipëria nuk ka më si specialistët me emër të dikurshëm . Ku janë sot  “Ideatorët” e reformës së vitit 2007 të cilët premtuan dhe turfulluan se pas mbylljes së “Akademisë sovjetike”, kërkimi shkencor do të krijonte mrekullia të pabesueshme në laboratorët e bibliotekat e Universitetit?! Ku janë sot ata “shpikës” të asaj “Reforme”?! Reforma sot duhet të konsistojë në atë që ASH të shkojë nga niveli 3 në nivelin katër dhe jo të shkojë në regres. Por ju them me bindje që, reforma e vitit 2007 e zhyti, e mbyti, e çoi në minus fare ASH!  Për shembull, një nga Institutet që u mbyll ka qenë i Informatikës që kam drejtuar unë ku për dhjetë vjet, kisha punësuar 1.200 veta, veç projekteve të ndryshme shkencore. Po sot ku është? E mbylli 2007 dhe teoricienët e asaj “reformë zezë”!  Kush e drejtori 2007-ën, me idetë e tij, i hoqi ASH-së të gjitha institutet dhe për t’i çuar në universitet, gjë që solli çoroditje. Mësimi duhet ndarë nga shkenca. Mësimdhënia mbetet mësimdhënie, kërkimi shkencor mbetet kërkim shkencor.

 

-Në fakt a kemi sot ne akademikë që respektohen dhe u dëgjohet zëri në akademitë e botës?

Po, kemi dhe shumë madje. Kemi akademikë që me punën e tyre jo vetëm kanë bërë emër por kanë lartësuar edhe imazhin e Shqipërisë ne vendet ku punojnë dhe jetojnë. Psh Adnan Kastrati Profesor në Kardiologji, Universiteti Teknik i Mynihut, Zv/shef i Departamentit të Kardiologjisë, i cili kërkohet kudo në botë. Akademik Edmond Pinguli, inxhinier ndërtimi profil: ndërtime qytetare Industriale. Specialiteti kërkimor, punonjës shkencor në fushën e konstruksioneve të materialeve ndërtimore dhe hidroteknike, i cili ka ideuar dhe drejtuar shpërthimin për ndërtimin e tuneleve në Fierzë, një vepër gjigante. Kryeinxhinier kantieri në HEC-in Fierzë (1973–1975) që kur u bë shpërthimi vendet fqinje raportuan për tërmet në Shqipëri.  Jani Vangjeli (biolog) i cili pas daljes në dritë të vëllimit të parë të veprës “Atlasi i florës së Shqipërisë”, botuar në gjuhën shqipe nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe në gjuhën angleze u botua dhe nga shtëpia botuese “Koeltz Botanical Books” në Gjermani. Pra z. Fuga ta dijë mirë se të tillë akademikë ka ASH. Ndaj i kërkoj z. Fuga të vij në mbledhjet e Asamblesë aty të bëjë debat, jo me letra nëpër gazeta, zyra dhe facebook. Jam dakord me mendimin e kryeministrit Rama që të bëhet reformë, por jo me njerëz që vetëm shkruajnë dhe nuk marrin pjesë në zgjidhjen e problemit të Reformës por japin ide vetëm në eter.

Please follow and like us: