Albspirit

Media/News/Publishing

Kandidatët për organet e drejtësisë; anonimë, të pacertifikuar dhe aspak garant

Ervis Iljazaj

Komisioni ad hoc, i ngritur nga Parlamenti për përzgjedhjen e kandidatëve të cilët do formojnë organet e reja të drejtësisë, si Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ka filluar punën dje duke zgjedhur më short disa nga kandidatët e shoqërisë civile apo nga profesionet e lira, të cilat parashikohen në Kushtetutën e re.

Emrat e rinj u përzgjodhën me short, pasi nuk u arrit konsensusi në komision që parashikohet nga Kushtetua, një mënyrë kjo për të mos krijuar ngërçe procedurale apo bllokim të organeve të reja, edhe pse duhet thënë, që fjala short, kur bëhet fjalë për anëtarët e organeve të cilat do të qeverisin të gjithë pushtetin gjyqësor, krijon një lloj efekti kur e dëgjon.

Çdo gjë pra, sipas ligjit dhe Kushtetutës; mirëpo, problemi nuk qëndron këtu, problemi i vërtetë është pikërisht tek emrat që do të votohen për të qeverisur pushtetin gjyqësor, që për hir të së vërtetës, drejtësia e re shqiptare dhe qytetarët e uritur për drejtësi meritonin më shumë.

E megjithatë, fakti që kjo procedurë tashmë ka nisur është një lajm i mirë. Më në fund, pas shumë pengesash dhe konfliktesh, që shpeshherë janë kthyer në beteja të ashpra politike, rasti i fundit e Kryeprokurores së re të Përkohshme e tregon më së miri, organet e reja janë duke u formuar.

Mirëpo, nga emrat që u votuan, kam përshtypjen se shumë prej nesh nuk i njihte, me ndonjë përjashtim të vogël, asnjëri prej tyre nuk jep sigurinë e mjaftueshme se çdo gjë është jashtë kontrollit të politikës.

Pa paragjykuar personin dhe dinjitetin e tyre, qeverisja e pushtetit gjyqësor të nesërm, fare mirë mund t’iu besohej disa njerëzve që minimalisht do të kishin pak më shumë kontribut në shoqërinë shqiptare në fushat përkatëse.

Së pari, shumica prej tyre janë totalisht anonim. Me ndonjë përjashtim të vogël, asnjëri prej tyre nuk është dalluar cilësisht në profesionin e tyre. Ndoshta, edhe janë, por shoqëria shqiptare është aq e vogël sa që meritat e njërit apo tjetrit profesionist dallohen lehtësisht.

Së dyti, me sa u raportua në media, ka dhe nga ata kandidatë që paskan problem me drejtësinë apo me të kaluarën e tyre, që presupozohej duhet të ishte e pastër si kristali.

Së treti, për dy arsyet e para, garancia që duhet të jepnin këta emra, me sa duket qenkësh e brishtë. Sepse, këtu kemi të bëjmë me organet e drejtësisë të cilat janë jetike për të gjithë pushtetin gjyqësor të nesërm. Në këtë kuptim garancia për profesionalizmin, për pastërtinë dhe kontributin e tyre, duhet të ishte maksimale.

Çfarë tregon e gjithë kjo histori?

Mos ndoshta i gjithë procesi i Reformës në Drejtësi me të gjitha pengesat që vijnë nga politika për të bërë të pamundur ndalimin e saj, është duke dështuar?

Ende nuk mund të thuhet ka dështuar apo jo, por fakti është se, politika shqiptare është në aleancë të plotë dhe gjithëpërfshirëse kundër kësaj reforme. Kështu që, njëra apo tjetra palë, po përdor të gjitha mjetet e fundit në dispozicion, procedurale në këtë rast apo politike si protesta në rastin e opozitës, për të ndaluar një reformë që me shumë gjasa i sheh si subjekte potenciale hetuese.

Prandaj, është jashtë çdo logjike dhe ende nuk dihet, se si ndërkombëtarët do t’ia arrijnë të zbatojnë një reformë ashtu sikurse pretendojnë ata, jashtë kontrollit të politikës, kur për ta bërë këtë kanë nevojë për votat e po këtyre politikanëve që këtë reformë qartësisht nuk e duan.

Please follow and like us: