Albspirit

Media/News/Publishing

Lufta Italo-Greke në kronika të kohës të patransmetuara ndonjëherë

Në tetor të vitit 1940 trupat fashiste italiane sulmuan Greqinë. Një nga kronikat e para të Institutit “Luce” që pasqyroi këtë sulm ishte kronika 89/1940, me titull “Marshimi i trupave italiane drejt Greqisë”, si edhe filma të tjerë propagandistikë e mashtrues që falsifikonin qëndrimin e popullit tonë përballë agresionit fashist kundër Greqisë. Për të përligjur këtë agresion para opinionit dhe për të mashtruar popullin shqiptar se gjoja mbronin interesat e tij, ata gjetën pretekstin banal për sajimin e një vrasjeje nga ushtarët grek në kufirin shqiptaro-grek të një farë Daut Hoxhe. Por populli shqiptar nuk u mashtrua nga ky provokacion, ai nuk e aprovoi këtë sulm fashist dhe nuk u mashtrua nga teksti demagogjik i filmave që trajtonin këtë temë dhe jo vetëm që nuk u ngrit kundër popullit grek që luftonte për mbrojtjen e lirisë së tij, por edhe kundërshtoi të rekrutohesh në ushtrinë fashiste. Shumë nga ata që ishin nën armë dezertuan në mënyrë të organizuar nga radhët e ushtrisë. Demagogjinë bajate dhe të rëndomtë të shprehur nëpërmjet kronikave të “Luce-s” e hodhi poshtë vetë lufta e vendosur e popullit shqiptar kundër fashizmit italian, e cila bëri që në Shqipëri të gozhdoheshin disa divizione që u goditën pa ndërprerje nga forcat e Ushtrisë sonë Nacionalçlirimtare. Kjo luftë qe një ndihmë e madhe për popullin vëlla grek, i cili i dha një përgjigje të merituar agresionit fashist italian.

Vetë Musolini u detyrua që më 2 nëntor 1940, në letrën e njohur dërguar Hitlerit, të pohonte se një nga shkaqet e disfatave të ushtrive italiane në frontin grek ishte “tradhtia” (siç i pëlqente atij ta quante), pothuajse e përgjithshme e forcave shqiptare, të cilat “ngritën krye kundër trupave tona”1.(Les letres secret change par Mussolini et Hitler,Edition Pavois).

Sulmi italian kundër Greqisë është trajtuar edhe në disa kronika angleze, siç janë, për shembull, British News Nr. 22 e 28 tetorit 1940, me titull “Trupat italiane sulmojnë Greqinë nga territori shqiptar”, në të cilën jepen këto trupa me biçikleta, motoçikleta dhe forca të koracuara që shkojnë drejt frontit, pamje nga mobilizimi ushtarak dhe përgatitjet në Greqi për t’i bërë ballë këtij sulmi nga ana e trupave greke të komanduara nga gjenerali Metaksa. Në kronikat e mëvonshme jepeshin aspekte nga luftimet italo-greke në territorin shqiptar, disa refugjatë shqiptarë, sulmi dhe marrja e qytetit të Korçës nga ana e trupave greke, si dhe luftime, ndërtime urash kalimi prej druri për të zëvendësuar ato të gurit që ishin shkatërruar nga italianët në tërheqje, kapje materialesh luftarake etj.2. Kronikat angleze (British News) kanë fiksuar edhe ndeshje ajrore midis aviacionit të trupave ndërluftuese gjatë luftës italo-greke, sidomos në fillim të vitit 1941.

Luftimet italo-greke janë pasqyruar në shumë kronika jo vetëm të institutit “Luce”, por edhe të shoqërive të tjera kinematografike italiane. Në një dokument të Mëkëmbësisë së Përgjithshme që i dërgohej Ministrisë së Kulturës Popullore, nga kjo e fundit kërkohej që t’i krijoheshin mundësitë kinoregjizorit Amadeo Kastellani, përfaqësues i firmës “Tirrenia – Film”, i cili ndodhej atëherë në Tiranë, për të xhiruar një film të metrazhit të shkurtër në kuotën “731″ (afër Qafës së Gllavës).

Të shqetësuar nga gjendja, vetë Musolini vizitoi frontin grek prej 2-21 mars 1941. Megjithëse ai erdhi i maskuar në Shqipëri, “Luce” i kushtoi një kronikë të posaçme kinematografike të destinuar për t’u shfaqur në ekranet italiane. Kjo vizitë kishte për qëllim të tregonte “trimërinë” e udhëheqësit fashist dhe për të ngritur moralin e trupave që ishin dekurajuar e rraskapitur nga sulmet e pandërprera të forcave patriotike greke, nga sabotimet e furnizimeve dhe nga goditjet që po pësonin ato nga ana e popullit tonë që ishte ngritur në luftë.

Po në këtë kohë (më 11 maj 1941) bëri një vizitë në Shqipëri Mbreti i Italisë, i vetëquajturi Mbret dhe i Shqipërisë, Viktor Emanueli III, i cili synonte ta afirmonte veten si i tille. Kësaj vizite fashistët i dhanë rëndësi të jashtëzakonshme dhe bënë përgatitje të mëdha për ta pritur me pompozitet, gjoja në emër të popullit shqiptar. Mobilizuan të gjithë përkrahësit e tyre, të hapur e të fshehtë, të armatosur dhe të paarmatosur, por me gjithë këto masa, siç dihet, populli shqiptar e priti mbretin italian me plumba. Heroi i Popullit Vasil Laçi, i bëri atij atentat duke depërtuar midis morisë së përkrahësve dhe mbrojtësve të mbretit italian. Vizitës së Viktor Emanuelit në Shqipëri “Luce” i bëri jehonë me anën e kinokronikave 145 dhe 146 të viti 1941, si dhe në një film të veçantë kronikal, natyrisht duke e fshirë aktin heroik të Vasil Laçit. Filmi pasqyron pritjen e Viktori Emanuelit nga Kryeministri kukull Vërlaci, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe autoritetet e tjera, vizitat e tij në kishën ortodokse, në xhaminë e Tiranës si dhe vizitat që bëri në Krujë, Durrës, Vlorë, Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Korçë, Pogradec, Elbasan dhe Shkodër. Gazetat fashiste u mbushën me lajmet pompoze dhe supertitujt: “Shqipëria përshëndet Mbretin e saj”, me premtimet dhe lëmoshat që u dha ai hierarkëve fashistë dhe me të ashtuquajturat ndihma për të dëmtuarit nga lufta, të cilat, sigurisht, përfunduan në xhepat e kuislingëve. Si gjithnjë para ngjarjeve të mëdha, erdhi në Tiranë konti Çiano. Ai mbërriti në Shqipëri më 9 maj 1941, d.m.th., dy ditë para se të vinte Perandori italian. Kjo vizitë u xhirua edhe në film.

(Marrë nga libri i autorit  “Arti i 7 në Shqipëri”, botim ALBIN, 1994)

Please follow and like us: