Rama: Nisim negociatat për ndërtimin e aeroportit të Vlorës
Kryeministri Edi Rama ka bërë publik vendimin më të fundit të qeverisë që u miratua në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Rama bëri me dije se shumë shpejt do të nisin negociatat për kontratën e ndërtimit të aeroportit të Vlorës.
Më tej ai thekson se shpreson që shumë shpejt të japë të njëjtin lajm edhe për aeroportin në Kukës.
“Qeveria miratoi projektligjin për nisjen e negociatave për kontratën e ndërtimit të aeroportit të Vlorës. Së shpejti shpresoj dhe Kukësin”, shkruan Rama.
Lajmi për një ofertë me aeroportin e Vlorës u bë me dije edhe disa ditë më parë nga kryeministri Rama. Pas kësaj Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë informoi se bëhet fjalë për zonën e Akërnisë ku aktualisht është një aeroport i vogël pjesë e një baze ushtarake.
Ministri Damian Gjiknuri publikoi në faqen e tij në rrjetin social disa nga fotot e projektit ku krijohej qartësisht ideja sesi është menduar ky aeroport.