Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Metafora e malit, e fëmijërisë, e vendlindjes

Libri ‘Metafora e bardhë’ është një arritje kulmore e poezisë së Pirro Lolit dhe, në realizimet më të mira, përbën një prurje origjinale për poezinë shqiptare.

Në tërësinë e tij vjen një libër me intonacione dramatike, me thekse të protestës për problematikat ekzistenciale të fateve tona personale e kolektive.

E veçanta e librit, ajo që guxoj ta quaj prurje në fondin më të mirë të poezisë shqipe, është tek temat e vendlindjes. Vendlindje, fëmijëri, pejsazh, gjëndje psikologjike, ndjeshmëri e diktuar nga një jetesë me gurin, me malin ngjeshen në një substancë shkëndijuese…. Është një lëndë e fortë dhe e brishtë. Ky kthim nëpërmjet gjuhës tek këto imazhe bazë të elementeve që kanë gatuar e kushtëzuar psikologjikisht fëmijën, është fatlum për poezinë.

Kjo lëndë e veçantë në një libër voluminoz prej 188 faqesh, vjen vetëm në një grusht vargjesh, në rreth 20-30 poezi, që për cilindo nuk janë pak….

Pra, pa mohuar a nënvleftësuar poezitë e tjera, ky gjerdan poetik me temën e vendlindjes, përbën arritje, origjinalitet të panjohur kësisoj deri më sot. Mbase kjo që them nuk i mjafton autorit të mbi 150 poezive të këtij vëllimi. Por unë besoj se pikërisht me këto poezi për malin dhe për vendlindjen Pirro Loli shënon lartësitë e talentit të vet si poet, madje për më tepër bën dhe një vend në poezinë shqipe.

Këto arritje realizohen me mënyrën se si është qëmtuar lënda, vijnë në mikrostrukturat brenda poezive, te vargu, te figurshmëria, te gjuha.

Është një ngjeshje gjuhe që përmblidhet në pak vargje, ndërkohë që e tërë thurja poetike në vargje të lira është e freskët, rrjedh vrullshëm dhe butë, duke ruajtur njësinë e ndjenjës. Imazhet janë të gjalla, të gdhendura më daltë me dy tre goditje të shpejta. Mbyllja e poezive bëhet e beftë dhe më gjetje poetike. Kjo është një mjeshtëri e brishtë, por që nuk pranon lajle-lule, një dorë e sigurtë që vizaton lehtë dhe të vrazhdën.

Ka një prurje të bollshme, një laryshi të imazheve malore. Ato janë të forta në ngrysjen e tyre. Është nëna, shtëpia, (babai është vizatuar më mirë), është Dhëmbeli, gurët dhe varfëria. Flutura… prilli, e brishta, e blerta e gurit.

E plaket shega pak nga pak  vyshket ëmbëlsohet

Me trupin mavi

Ç’të bëj me lëvozhgat e kuqërremta

Do t’i hedh si copa resh të ndezura

Do t’ia fal muzgut

Le t’i marrë dielli në perëndim

Në orën e lamtumirës…  (Nga poezia ‘Muzg’)

Në vështrim të parë ka një mospajtim mendor e ndjesor që e përshkon tej përtej këtë tërësi poetike. Hapur ka një si shtyrje me bërryl  të malit, të varfërisë, të horizontit të rënduar nga gurët, dhe të mendësive që të zënë frymën, të diktuara prej gurit. Me të drejtë. Ky është vështrimi i autorit mbi malin.

Trajtim realist, mund ta quash. Jo ai idealizimi mitik legjendar aq i shpërdoruar në poezi i malit. Zagoriti gjithmonë e jetës ka mërguar nga Dhëmbeli.  Po atëherë pse ky rikthim poetik, pse kjo lëndë poetike e jashtëzakonshme në këtë libër.

Si ka lindur poezia nga ajo xhveshje shpirtërore e lëndore, nga ai stoicizëm kockor i malësorit, nga ajo  ashpërsi me gjembat, kulprat, gorricat, lofatat, gjarpërinjtë, gurrat, fluturat…? Këto (rebelimi, deri braktisja e malit dhe poetizimi  i tij) të duket se janë dy kahe që nuk do të takohen,  se nuk do të priten kurrë.

Por fëmijëria, vendlindja, poezia i bëjnë bashkë ato që jetësisht e kanë shtyrë njëra-tjetrën. Kjo është jeta, kjo është pozia. Kthime të tilla te zanafillat, te nostalgjitë më parake, më të dhëmbshura e më të fshehta të njeriut, janë  në natyrën e poetëve. Ata mund t’i ngjallin e pajtojnë të kundërtat me instrumentin magjik që zotërojnë, me anë të gjuhës.

Pa patur asnjë ngjashmëri stili më kujtojnë poezi të Vasko Popës për kalin, derrin, pulën, rosën etj poezitë e Pirro Lolit për gjembat, kulprat, gorricat, lofatat, gjarpërinjtë, gurrat, fluturat, gurët.. Por më kujtojnë edhe Martin Camajn. Ngjashmaëria është fare e largët. Jo në stil, as në konceptim. Në frymë, në filozofi.

Elemente të tilla thelbësore të pejsazhit, objekte të rëndomta, por karakteristike të natyrës dhe të klimës nëpërmjet gjuhës shndërrohen në shenja, në ikona të pejsazhit shpirtëror. Duke mos qenë simbole, as pejsazhe këto poezi me lëndën e së shkuarës, depozituar në kujtesë, çojnë te shenja të identifikimit të njeriut me mjedisin kulturor ku u formua.

Në bisedën me Dhëmbelin e vendlindjes del pyetja e cilitdo njeriu që rritet nën hijen e një mali: ç’fshihet matanë malit:

 

Kur u ngjita mbi lulen e çajit, kur preka majën e majës,

Përbindshi im u zemërua

…unë i kërkova të më tregonte ç’kish pas vetes…

Mali heshti siç heshtin hyjnitë..

Pas meje ka male të tjerë, sipër meje

ka një varr.

Këtu bje perdja. Pirro Loli nuk kthehet më te mali. Mbase as fëmijtë, as nipërit e tij. Ai si Çajupi e ka braktisur Dhëmbelin. Por poezia, ngado të shkojë, nëpërmjet gjuhës, nëpërmjet lëndës që i dha mali gjuhësisht e përjetësisht mund ta çojnë, ta rikthejnë vetëm atje.

Please follow and like us: