Albspirit

Media/News/Publishing

Top sekret/Zbardhet raporti i DASH për politikanët e pas nëntëdhjetes

Raport i përgjithshëm

Shqipëria është një vend në tranzicion nga ekonomia e centralizuar drejt ekonomisë së tregut të lirë, por ka shumë pikëpyetje privatizimet, pretendimet e pronësisë dhe rregullat e biznesit. Rreth 30 për qind e popullsisë jetojnë nën nivelin e varfërisë, pjesa më e madhe në zonat rurale. Dy të tretat e të punësuarve punojnë në bujqësi dhe një rol kryesor në ekonomi luajnë remitancat e të punësuarve jashtë vendit. Nga viti 1945 deri në vdekjen e tij në 1985, Enver Hoxha dominoi vendin duke imituar stilin stalinist të qeverisjes, me spastrime të gjera të kundërshtarëve, me anë të organeve të sigurisë. Pasuesi i tij Ramiz Alia bëri hapa të kujdesshëm drejt liberalizimit dhe decentralizimit. Ai hapi lidhjet me disa vende të Evropës Perëndimore. Pas rënies së komunizmit në Evropën Lindore në 1989, dhe demonstratave të studentëve në Shqipëri, ritmet e reformave u përshpejtuan. Në dhjetor 1990 u shpall pluralizmi politik dhe partia e parë opozitare demokratike u regjistrua. Feja nuk ishte më e jashtëligjshme. Në mars 1991 u zhvilluan zgjedhjet e para shumëpartiake që prej vitit 1920 dhe komunistët fituan më shumë se 60 për qind të votave, por vëzhguesit e pavarur kontestuan papastërtinë e zgjedhjeve dhe protestat e vazhduara detyruan qeverinë komuniste të dorëhiqej. Në 1991 u formua qeveria e stabilitetit me 12 prej ministrave jo-komunistë. Në mars 1992 Partia Demokratike fitoi zgjedhjet parlamentare dhe Sali Berisha u bë president, ndërsa Partia Komuniste ndryshoi emër duke u bërë Socialiste. Përveç problemeve të papunësisë së lartë, çmontimi i shtetit një-partiak solli shkatërrimin e autoritetit të shtetit, dhe kjo soli rritje serioze të krimit. PD hartoi një sërë ligjesh të reja radikale si për shembull ai i ndalimit të mbajtjes së posteve të larta nga njerëz që kishin shërbyer në komunizëm. Në maj 1996 zgjedhjet parlamentare u dënuan ashpër nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe pjesërisht u bojkotuan nga partitë opozitare, pasi PD fitoi 122 nga 140 vende në parlament. Në 1997 shembja e të ashtuquajturave skema financiare piramidale solli humbjen e kursimeve personale dhe nxiti protesta të gjera antiqeveritare. Presidenti Berisha shpalli gjendjen e emergjencës në 1 mars 1997 kur grupe të armatosura morën kontrollin e qyteteve. Organizata për Bashkëpunim e Siguri në Evropë OSCE dërgoi në Shqipëri një mision këshillues të drejtuar nga kancelari Franz Vranitzy të cilët ndihmuan në zbutjen e krizës politike duke iniciuar dialogun mes qeverisë dhe opozitës. Pas evakuimimitë të shtetasve të huaj dhe largimit masiv të shumë shqiptarëve me anije, Berisha emëroi ish-kryebashkiakun socialist Bashkim Fino, kryeministër të qeverisë teknike, në të cilën merrnin pjesë tetë parti. Në prill 1997 Leka Zogu, pretenduesi i fronit mbretëror shqiptar u kthye në Shqipëri dhe kërkoi referendum për rivendosjen e monarkisë. Përveç një vizite të shkurtër në 1993, kjo ishte vizita e tij e parë në vend, që prej arratisjes së babait të tij Mbretit Zog nga vendi në 1939. Rreth 2000 mbështetës e pritën Lekën në aeroportin e Tiranës, të organizuar nga Lëvizja e Legalitetit. Referendumi që pasoi, i cili u gjykua i drejtë nga vëzhguesit e OSCE, u krye në të njëjtën ditë me zgjedhjet e përgjithshme dhe 66.7 për qind e njerëzve votuan në favor të republikës, prandaj dhe Leka Zogu u largua nga vendi. Por prokuroria lëvizi për të ngritur akuza ndaj Lekës dhe i kërkoi Interpol ekstradimin e tij dhe të bashkëpunëtorëve kryesorë për nxitje të kryengritjes kundër rendit kushtetues. Leka u dënua në mungesë me burgim për nxitje dhune e kryengritje të armatosur, pasi kishte ardhur i armatosur dhe me uniformë ushtarake në sheshin “Skënderbej”, bashkë me mbështetësit e tij. Në vitin 2002 gjykatat shqiptare anuluan vendimin e dënimit për Leka Zogun, çka u mbështet dhe nga parlamenti, duke e lënë atë të lirë të kthehej në Shqipëri pa akuza. Zgjedhjet e korrikut u shpallën të kënaqshme nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe rezultuan në fitoren e partisë socialiste. Sekretari i përgjithshëm i PS, Rexhep Mejdani u shpall president dhe Fatos Nano u bë kryeministër. Në raportin final të vitit 1998 të parlamentit mbi trazirat e vitit 1997, u rekomandua ndjekja penale e disa zyrtarëve të PD, duke përfshirë dhe ish-presidentin Berisha për shkelje të kushtetutës dhe dhunë ndaj protestuesve. Për këtë PD bojkotoi parlamentin.

 

Vrasja e Azem Hajdarit

Më 12 shtator 1998 deputeti i PD dhe kryetar i komisionit parlamentar të mbrojtjes Azem Hajdari u vra në një atentat pranë selisë së PD, çka solli protesta të dhunshme. Gjatë funeralit të tij më 14 shtator 1998 mbështetës të armatosur të PD bastisën zyra qeveritare për një kohë të shkurtër, si Parlamentin, televizionin shtetëror dhe radion. U duk sikur ish-presidenti Berisha do të kryente një grusht shteti por pas 72 orësh u rivendos rendi dhe protestuesit dorëzuan tanket që kishin marrë. Më pas Parlamenti hoqi imunitetin e Berishës për rolin e tij në kryengritjen, por përfundimisht mbi të nuk u ngritën akuza. 12 njerëz u arrestuan për dhunën. PD refuzoi të merrte pjesë në të gjitha funksionet shtetërore në nivel kombëtar pas vrasjes së Hajdarit, duke bojkotuar dhe Parlamentin. Zyrtarët e PD përfshi dhe Berishën, refuzuan të dëshmonin në hetimet për vrasjen e Hajdarit, duke argumentuar se hetimet ishin të motivuara politikisht. Kryeministri Nano dha dorëheqjen në shtator 1998 duke cituar mungesë mbështetjeje brenda Partisë Socialiste. Pandeli Majko, ish-sekretari i Partisë Socialiste u bë kryeministër, ndërsa PD e drejtuar nga Berisha u rikthye në Parlament në korrik 1999, pas zotimit të qeverisë të hetojë në tërësi dhe me drejtësi vrasjen e Hajdarit. Ndërkohë vazhdonte gjyqi kreut të partisë së Legalitetit, Ekrem Spahia dhe 12 mbështetësve të tij për ngjarjet e shtatorit 1998 që pasuan vrasjen e Hajdarit.

Më 5 shkurt 1999 Leka Zogu u arrestua në Johanesburg, ku kishte jetuar prej vitit 1979, për zotërimin e një arsenali ilegal armësh e municionesh. Ai u lirua me kusht 10 ditë më vonë.

Në tetor 1999 Majko humbi udhëheqjen e partisë ndaj Fatos Nanos duke u detyruar të dorëhiqej nga posti i kryeministrit disa javë më vonë. Ilir Meta e pasoi atë në post.

Kriza e Kosovës

Rreth 480 000 kosovarë hynë në Shqipëri gjatë krizës së vitit 1999 në Kosovë, të cilat janë rikthyer tashmë thuajse të gjithë. Shqipëria ishte një mbështetëse e fortë e ndërhyrjes së NATO në ish-Jugosllavi dhe rreth 9000 trupa ndërkombëtare u vendosën aty para ndërhyrjes në Kosovë.

Pas kthimit të refugjatëve kosovarë në Kosovë në vitin 2000, Shqipëria mund të rifokusohej në problemet e saj dhe te reformat. Antagonizmi i ashpër politik mes dy partive kryesore dhe mes Nanos e Berishës polarizoi shoqërinë shqiptare dhe pengoi daljen e liderëve të rinj dhe më pak përçarës politikë.

Zgjedhjet lokale tetor 2000

Këto zgjedhje shënuan progres drejt standardeve demokratike, sipas OSCE. Ato u zhvilluan sipas Kushtetutës së re dhe kodit të ri elektoral. OSCE i përshkroi zgjedhjet si të zhvilluara në një mjedis të tensionuar por në atmosferë paqësore, me vetëm disa incidente të izoluara dhune gjatë fushatës dhe ditës së zgjedhjeve. Mangësitë ishin të natyrës së vonesave në listat e votuesve, regjistrimit të kandidatëve, shpërndarjen e dokumenteve të identifikimit dhe materialeve zgjedhore. Zgjedhjet u shoqëruan nga retorika nacionaliste në rajonin e Himarës e cila ka një komunitet të konsiderueshëm grek. Me gjithë rivalitetin e tyre PD e PS u bashkuan për të mundur kandidatin minoritar grek që në fushatë kërkonte krijimin e zonës minoritare. Në qytet fitoi partia socialiste ndërsa Athina tha se grekët etnikë ishin ndaluar të votonin dhe se shqiptarët në Greqi ishin ndaluar të ktheheshin për të votuar. PD zhvilloi protesta në nëntor dhe dhjetor 2000 ndaj rezultatit të zgjedhjeve deh asaj që quante manipulim të listave të votuesve. Zyrat dhe makinat e kryeministrisë në Tiranë u goditën me bomba zjarri. Ndërsa në Bajram Curri përleshjet mes protestuesve dhe policisë rezultuan në vdekjen e një personi. Autoritetet atje pretendonin se protestuesit sulmuan gjykatat dhe policinë. OSCE dhe KE dënoi dhunën dhe kërkoi hetim të ngjarjeve dhe theksoi se mesazhi i drejtë i protestave ishte errësuar nga dhuna e disa elementëve. Sali Berisha u ndalua përkohësisht për dhunën në Tropojë. Kreu i këshillit Bashkiak të Bajram Curri, Azgan Haklaj u arrestua më 20 janar 2001 si organizator i protestës së 28 nëntorit 2000. Haklaj bëri një ankesë zyrtare ku kërkoi nisjen e hetimeve ndaj një zyrtari të emëruar të policisë. Kjo u mbështet nga OSCE që i kërkoi qeverisë më 30 janar 2001 hetimin e akuzave të Haklaj dhe për dhunën ndaj tij në arrest. Komisioni shqiptar i Helsinkit vlerësoi se ai kishte qenë viktimë e shkeljeve nga organet e rendit. Por hetimet nuk u kryen dhe Haklaj u akuzua për ndihmë në organizmin e sulmeve ndaj institucioneve shtetërore, çka mund të dënohej deri me 15 vjet burg. Në janar 2001 Haklaj fitoi lirimin nga gjykata e lartë dhe në qershor të atij viti fitoi një mandat deputeti për zonë e Tropojës. Kjo ishte hera e parë që një person i dënuar bëhej deputet.

Në janar 2001 prokuroria përfundoi hetimet për vrasjen e Hajdarit duke identifikuar një ish-shef policie në Tropojë si autor. Hetuesit identifikuan gjithashtu nëntë njerëz të tjerë që kishin bashkëpunuar në vrasje por katër prej tyre tashmë janë vrarë në incidente të ndryshme. Gjyqi ndaj pesë të tjerëve u hap në Tiranë në 3 prill 2001, dy u gjykuan në mungesë. Këta të fundit besohet se janë larguar drejt Kosovës.

Zgjedhjet parlamentare qershor 2001

Këto zgjedhe u zhvilluan në 24 qershor dhe në 28 e 29 korrik, prej akuzave të ndryshme për mashtrime elektorale. Zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë paqësore dhe sipas OSCE-ODIHR shënuan progres sa i përket fushatës, mediave dhe administratës elektorale. Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara partitë u përpoqën të riparonin gabimet e mëparshme. Partia socialiste fitoi bindshëm. Ilir Meta fitoi një tjetër mandat si kryeministër duke mundur kreun e PS Fatos Nano. Presidenti Rexhep Mejdani emëroi koalicionin qeveritar më 7 shtator, dy muaj pas zgjedhjeve.

Ndarjet brenda PS

Ilir Meta dha dorëheqjen në 29 janar 2001 duke cituar si arsye mospajtimet me kreun e partisë Fatos Nanon. Meta raportoi se Nano kishte ushtruar presion ndaj tij për ta mbështetur të zgjidhej si president në 2002, dhe kur ai refuzoi, Nano nisi një fushatë njollosjeje ndaj tij. Mosmarrëveshjet kishin nisur kur Nano kërkoi largimin e ministrave të akuzuar për korrupsion. Disa ministra dhanë dorëheqjen për uljen e tensioneve, por mohuan akuzat e korrupsionit. Lufta politike mes të dyve largoi vëmendjen nga reformat dhe bëri që FMN dhe BB të shtynte takimet me Shqipërinë për projektet e ndihmës prej rreth 100 mln dollarë. Pandeli Majko u emërua kryeministër i përkohshëm në shkurt 2002, megjithëse mbështetësit e Nanos kishin kërkuar emërimin e Ermelinda Meksit. Majko formoi një qeveria nga të dyja palët që bëri betimin më 22 shkurt 2002. Ndarjet në PS u thelluan në mars 2002 kur Parlamenti shkarkoi kryeprokurorin e përgjithshëm Arben Rakipi, pas mocionit të Berishës për mos hetimin e disa rasteve të korrupsionit e trafiqeve. Një gjykatë e Tiranës vendosi në 29 prill 2002 se vrasja e Azem Hajdarit ishte hakmarrje personale dhe jo e motivuar politikisht. Gjykata dënoi vrasësin e vetëm të mbijetuar Jaho Salihi me burgim të përjetshëm. Izet dhe Ismet Haxhia u dënuan me burgim të përjetshëm në mungesë. Vëllai tjetër i tyre Isamedin u dënua me 2 vjet e gjysmë për mbajtje armësh, kurse i akuzuari tjetër Fatmir Meta u la i lirë. Liderët e partive kryesore të Shqipërisë ranë dakord në 23 qershor 2002 të mbështesin Alfred Moisiun për president, pas paralajmërimeve të BE për stabilitet politik në këmbim të afrimit të lidhjeve me Brukselin. Ish gjenerali Moisiu kishte qenë ministër i Mbrojtjes nga 1974 deri në 1981, dhe përsëri ministër i Mbrojtjes pas rënies së komunizmit. Më 28 qershor 2002 Lek Zogu u kthye n Shqipëri pas marrjes së amnistisë pas akuzat. Ai u prit nga disa qindra monarkistë dhe falënderoi autoritetet për faljen. Policia gjithsesi gjeti armë në bagazhet e Leka Zogut, të cilat ai pretendoi se ishin dhurata e trofe. Në korrik 2002 Pandeli Majko u largua nga posti i kryeministrit dhe u zëvendësua nga Nano, i cili emëroi Metën zv. Kryeministër dhe ministër i jashtëm, kurse Majkon ministër mbrojtjeje. Nano deklaroi se prioritete e vendit do të ishin integrimi euro-atlantik dhe lufta ndaj krimit dhe korrupsionit. Në nëntor 2002 një hetim tre-mujor parlamentar mbi aktivitete ilegale të SHISH dështoi pas refuzimit nga opozita të raportit final. Opozita kishte pretenduar se SHISH ishte i përfshirë në spiunazh ndaj figurave të saj dhe në vrasjen e Hajdarit. Shqipëria dhe BE hapën zyrtarisht negociatat e Asocim Stabilizimit në janar 2003. Presidenti i KE Romano Prodi tha se Shqipëria nisi procesin e integrimit evropian nga një terren më i ulët në krahasim me fqinjët, por avancoi më shpejt për të arritur objektivat e saj.

Please follow and like us: