Zëvendëspresidenti i SHBA, popullit të Iranit: Po vjen dita që do të jeni të lirë
Gjatë fjalimit të Zëvendëspresidentit Mike Pence në Knesset, ai vazhdimisht vuri në qendër të vëmendjes Iranin. Ai bëri një “premtim solemn” për botën se SHBA nuk do ta lejojnë kurrë Iranin të ketë një armë bërthamore.
Dhe, pas deklaratave të tij të ashpra mbi “regjimin e rrezikshëm”, ai kishte një mesazh “më të mirë” për popullin iranian. Pence tha:
“Nga populli i Amerikës për popullin krenar dhe trim të Iranit. Ne jemi miqtë tuaj dhe po vjen dita kur do të jeni të lirë nga ai regjim i lig që mbyt ëndrrat dhe varros shpresat tuaja “.
Ai shtoi se, kur të mbërrijë “dita e çlirimit”, miqësia midis SHBA-së dhe “popullit të mirë të Iranit … do të lulëzojë përsëri. ”
Në dhjetor, në të gjithë Iranin shpërthyen protesta lidhur me standardet e këqija të jetesës dhe korrupsionin e qeverisë. Më shumë se 20 vetë janë vrarë në përleshjet dhe mijëra janë arrestuar.
Vdekja e një protestuesi 22-vjeçar gjatë kohës së ndalimit policor bëri që organizatat humanitare të vinin në dyshim trajtimin e të paraburgosurve dhe të bënin thirrje për hetime.
Pence shkroi në Twitter se rezistenca e popullit iranian “u jep shpresë dhe besim të gjithë atyre që luftojnë për liri dhe kundër tiranisë”./BBC/