Albspirit

Media/News/Publishing

Ministria e Drejtësisë: Ekstradimi i Nezar Seitit, në përputhje të plotë me ligjin

Ministria e Drejtësisë ka reaguar nëpërmjet një komunikate për shtyp lidhur me vendimin për ekstradimin e Nezar Seitit drejt Italisë.

Sipas dikasterit të drejtuar nga Etilda Gjonaj, çdo hap është ndërmarrë në përputhje të plotë me procedurat ligjore.

“Ministria e Drejtësisë në reagim të lajmeve të publikuara sot, lidhur me ekstradimin e shtetasit Nezar Seiti, sqaron se janë ndjekur me përpikmëri të gjitha procedurat ligjore të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale, Ligjin nr. 10193 datë 3.12.2009, Konventës Evropiane të Ekstradimit, të vitit 1957, Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë dhe Konventës Evropiane për ndihmë juridike dhe çështje penale”, thuhet në deklaratën e MD.

Ministria e Drejtësisë sqaron më tej se “në datë 20.10.2017, është njoftuar nga Interpoli Tiranë, mbi arrestimin e shtetasit Nezar Seiti po në datën 20.10.2017, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, në bazë të Urdhërit Arrestit Ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata e Catanias, në datë 12.10.2017, për kryerjen e veprës penale “Organizatë kriminale me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga legjislacioni penal italian.

Ministria e Drejtësisë në datë 24.10.2017, i ka përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme njoftimin e Interpolit Tiranë, me qëllim kryerjen e veprimeve nga ana e Prokurorisë për të kërkuar nga autoritetet italiane dërgimin e akteve. Ministria e Drejtësisë shqiptare, menjëherë pas marrjes së kërkesës të datës 24.11.2017 nga Ministria e Drejtësisë italiane për ekstradim të shtetasit Nezar Seiti, ia ka përcjellë atë Prokurorisë së Përgjithshme.

Prokuroria e Përgjithshme në datë 10.01.2018, ka vënë në dijeni Ministrinë e Drejtësisë lidhur me vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me Nr. 1506, datë 18.12.2017, i cili ka marrë formë të prerë më datë 29.12.2017, duke vendosur miratimin e kërkesës së Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për lejimin e ekstradimit të shtetasit Nezar Seiti.

Gjykata në pjesën arsyetuese të vendimit Nr. 1506 datë 18.12.2017 është shprehur se nuk ka asnjë pengesë ligjore për të mos e lejuar ekstradimin në perputhje me parashikimet ligjore të brendshme dhe ato ndërkombëtare.

Please follow and like us: