Albspirit

Media/News/Publishing

Misteret e ekstradimit të Nezar Seitit

Edhe ndryshimet ligjore të reformës nuk i shmangen dot dritëhijet që mbeten pas vendimeve gjyqësore të ekstradimeve të shtetasve shqiptarë jashtë vendit.

Rasti i radhës ishte Nezar Seiti. Po cilat janë shkeljet që autoritetet e drejtësisë shqiptare kryen në rastin e vlonjatit, i cili ndryshe nga të tjerë që kanë preferuar drejtësinë shqiptare, këmbënguli për katër muaj të mos mbetej në dorën e njerëzve të drejtësisë së vendit të tij.

Dy gjykata, ajo e Krimeve dhe ajo e Tiranës, ndonëse fare pranë njëra-tjetrës nuk e kane patur informacionin e duhur se ç’po ndodhte, pavarësisht se Kodi i Procedurës Penale është i qartë.

Pas ndryshimeve ligjore të hyra në fuqi në gusht 2017, dispozita e ekstradimit nuk lë vend për interpretime. Në nenin 491 thuhet se nuk mund të lejohet ekstradimi kur ka filluar hetimi në Shqipëri, edhe nëse vepra është kryer jashtë vendit.

Siç flasin faktet, pavarësisht hetimit në Katania ndalimi i Nezar Seitit ndodhi pikërisht për shkak të procedimit në Tiranë, ku ai nuk ishte i vetmi i hetuar në këtë dosje.

Por për mungesë të materialeve nga Italia, Krimet e Rënda vendosën fillimisht 20 ditë arrest me burg e më pas më 22 nëntor, Apeli i dha formë të prerë me arrest me burg, që do të thotë se pas këtij vendimi, asnjë gjykatë dhe askush nuk mund të pranonte ekstradimin e këtij shtetasi.

Por, pak metra më tej dhe një muaj më vonë, pavarësisht këtij vendimi, Gjykata e Tiranës shpalli ekstradimin e vlonjatit. Nëse do të lexohej ligji, përpara se të ngrinte çekiçin e drejtësisë, gjykata e kryeqytetit duhet të kryente verifikimet nëse ndaj këtij shtetasi ishte shpallur, apo jo masë sigurie brenda vendit.

Ky është një nga kushtet ndalues në Kodin e Procedurës Penale. Shkelja e dytë e gjykatës është fakti që për këtë shtetas masa është vendosur për të njëjtën vepër penale, që e dyshon edhe Italia.

Në këtë rast, përderisa të dyja vendet kanë marrëveshje sipas konventës mbi ekstradimin, duhet të kishte përparësi zbatimi i ligjit vendas në favor të shtetasit të vet.

Por, edhe kjo shkelje ka kaluar në heshtje dhe nuk është inspektuar as nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ka një autoritet përfundimtar që jep firmën e fundit dhe që është ministri i Drejtësisë.

Sërish siç thotë ligji, përpara se të pranonte, ministrja Etilda Gjonaj duhet të verifikonte nëse ekzistonin apo jo kushtet për të pranuar ekstradimin.

Tashmë që edhe ky ekstradim la zhurmë pas, ajo që ka mbetur është pyetja; si duhet të veprojë Prokuroria më tej? A do ta pushojë hetimin ndaj tij, apo do të transferojë dosjen e këtij procedimi penal në Itali?

Please follow and like us: