Paralajmërimi para protestës: PD duhet çliruar, do dalin forca të tjera të djathta
Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Edvin Kulluri një nga firmëtarët që kërkonte dorëheqjen e Lulzim Bashës pas zgjedhjeve, shpërthen live ndaj tij. I ftuar sot në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, Kulluri komenton protestën e 27 janarit dhe thotë se ajo do të jetë një tjetër betejë e humbur e PD-së. Sipas tij, ka ardhur koha që PD-ja të çlirohet prej atij që e quan establishment që po e mban peng dhe këtë siç thotë mund ta bëjnë vetëm forca të reja brenda PD-së.
“Përderisa ka marrëveshje të fshehta, të panjohura mund të flasim vetëm për teatër. Këtu vetëm një zgjidhje ka, ose të çlirohet PD nga establishmenti që e ka zënë, ose do dalin forca të tjera brenda PD. Unë mendoj që jemi në prag të një krize sociale”, tha Kulluri.
Duke folur për Bashën, anëtari i Këshillit Kombëtar u shpreh: “Atij njeriu i kanë skaduar të gjitha afatet brenda partisë dhe merr kurajo e i bën thirrje shqiptarëve kur ka gjysmën e mbështetësve të tij që rrinë në shtëpi për shkak të mënyrës arrogante se si ai e drejton partinë”, tha ai.
Sipas Kullurit, PD-ja sot është e përçarë dhe në krizë të thellë programi, idesh dhe njerëzish.
“PD është sot në krizë të thellë programi, idesh dhe njerëzish. Ky është problemi i PD. Kur ishte në çadër Basha u katandis me 300 veta. Mirë që do dalë në miting pasnesër, po më 28 apo më 29 çdo ndodhë? A është i gatshëm ta çojë ai vendin në zgjedhje të parakohshme? Ai nuk hyn dot se s’ka alternativë njerëzish dhe idesh. Sepse partia është një bashkim vullnetar njerëzish rreth një ideje të caktuar. Ai e humbi bastin me demokratët dhe shqiptarët”, shtoi Kulluri.