Thirret në Prokurori, Shkëlzen Berisha: Rama kërkon të mbulojë skandalet e trafikut të drogës
Shkëlzen Berisha i është përgjigjur akuzave të kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Ballës se është thirrur nga prokuroria për të dëshmuar për aferën e CEZ. Me anë të një statusi në Facebook, djali i ish-kryeministrit Berisha, e quan flluskë- thirrje të “kryeprokurorit të Surrelit”, ndërsa thekson se Edi Ramën nuk ka gjykatës apo prokuror që do ta shpëtojë nga drejtësia për vjedhjen e 650 milionë eurove.
“Një përgjigje për flluskë-thirrjen e kryeprokurorit të narko-shtetit. Ndonëse dështoi me turp për t’i ofruar publikut qoftë dhe një fakt të vetëm që më lidh mua, aktivitetin tim, kontaktet ose të ardhurat e mia me privatizimin e OSSH. Edi Rama, kryegjykatësi dhe kryeprokurori i ri i Shqipërisë, më dërgoi sot një flluske-thirrje publike “në cilësinë e personit që deklaron në rrethana të dobishme” në bazë të kallëzimit të bërë po vetë nga ai, përmes parlamentit. Me këtë flluskë-thirrje Rama shpreson të mbuloje 650 milionë euro që sipas KLSH ka vjedhur nga paratë e shqiptarëve gjatë divorcit të “mjaltit” me CEZ”, shkruan Shkëlzeni.
Më tej ai shprehet se kjo flluske-thirrje e kryeprokurorit të Surrelit vjen si përgjigje ndaj dy padive penale që sipas tij ka ngritur për shpifje ndaj “Tualetit” dhe “Urithit” të tij dhe sigurisht pas skandaleve të trafikut të drogës që kanë përfshirë ministra dhe familjarë të tij.
“Është e qartë që prokurori de fakto i rilindjes Edi Rama, po e përdor drejtësinë jo thjesht si pushkë ndaj kundërshtarëve politikë, por më shumë si bombë tymuese për të shpërndarë vëmendjen ndaj krimeve të narkoshtetit dhe ndaj pakënaqësisë popullore që po i afrohet çdo ditë e më shumë derës së kryeministrisë.
Por sado të përpiqet t’i mbuloje me sulme politike si gjethe fiku, nuk ka prokuror, gjykatës, apo flluskë-thirrje, që do ta shpëtojë nga drejtësia kryegjykatësin dhe kryeprokurorin e narkoshtetit për vjedhjen e 650 milionë eurove. Për pallatet pa faturë dhe bankat e kthyera në lavariçe parash të pista nga “nusja” e shtëpisë. Si dhe për milionat dhe diamantet e përfituara nga trafiku i drogës të drejtuar përmes ministrit dhe vëllait të tij”, përfundon Shkëlzen Berisha.