Video/Enisa Nikaj shkëlqen në tregun amerikan
Me një vokal të thellë dhe të fuqishëm, e aftë të të imponohet, Enisa Nikaj i është prezantuar prej pak kohësh publikut amerikan. 20-vjeçarja me origjinë shqiptare e ka nisur me kanalin e saj në Youtube, ku realizonte covera të artistëve të ndryshëm botërorë. “Burn this Bridge” është singëlli i saj i parë, i cili gjendet në disa platforma muzikore, përfshirë iTunes dhe Spotify. Së fundi, për të ka shkruar edhe revista amerikane “Slimi magazine” e cila shprehet se Enisa është një zë plot ndjenjë, shprehës dhe i maturuar përtej moshës së saj.
Pikërisht për këto cilësi, shpesh këngëtaren e kanë krahasuar edhe me këngëtaren Amy Whinehouse. “Frika ime është të jetoj një jetë mesatare. Nuk e dua një jetë të tillë. Unë dua diçka të cilën mund ta shoh vetëm në ëndrra” , është shprehur ajo.
Muzika mbetet pasioni i saj më i madh, duke qenë se ka nisur të këndojë që në moshë të vogël, kurse në gjimnaz ishte pjesë e një bande muzikore rock. Synimi i këngëtares së talentuar tani, është të pozicionohet mirë në industrinë muzikore dhe të gjitha cilësitë që zotëron, na tregojnë se kemi të bëjmë me një yll në ngjitje.