Denis Dyrnjaja: Kush po proteston, kundër kujt?!
Nesër do ketë protestë që në fakt është manifestim partiak i militantëve të opozitës dhe njerëzve që në mënyrë direkte ose indirekte kanë patur interesa apo i kanë të lidhura interesat me opozitën e sotme për shkak se kanë humbur vendin e punës dje që e kanë gjetur nga partia, ose presin vendin e punës nga partia, kur ajo të vijë në pushtet. Nesër protestojnë ata që nuk janë të shqetësuar sesi po qeverisin socialistët, por pse nuk janë ata vetë në qeveri. Nesër po protestohet për privilegjet e humbura të pushtetit, jo për dëmet që i bën pushteti popullit, sepse për popullin është njëlloj, ndryshon vetëm ngjyra e kravatave dhe forma e abuzimeve, ndërsa qëllimi është i njëjtë “marrje e pushtetit për të ushqyer tributë politike”. Opozita është e frustruar sepse e di çfarë ndodh në sarajet e pushtetit, sepse ka qenë vetë brenda atyre mureve e kolltuqeve dhe i krijon irritim fakti që nuk janë përfitimet në duart dhe xhepat e njerëzve të saj, por në duart dhe xhepat e rivalëve. Në emër të popullit flasin të dyja palët, por popullit ja fusin sa herë janë në pushtet. Populli do ishte në rrugë vetë nëse do kishte besim te përfaqësues të ndershëm të interesave të tij, jo dallkaukë e bashibozukë që flasin në emër të kauzave dhe ndershmërisë, por me maskën e hipokrizisë. Shihni kush janë protagonistët që bëjnë thirrje për të protestuar shihni dhe kundër kujt do protestojnë. Janë këmbyer në pushtet, janë sharë e lëpirë sa herë kanë ndarë tepsinë e qeverisjes. Protesta nesër do të ndodhë, por ajo nuk është protesta e popullit, nuk është protesta që buron nga zemërata reale e popullit që do të protestojë, por për kë dhe kundër kujt, tashmë të gjithë janë njësoj. Po, populli duhet të jetë në protestë, madje çdo ditë për të zhdukur këtë kastë mashtruesish, hipokritësh e demagogësh që e kanë marrë peng vendin prej 27 vjetësh dhe duan ta mbajnë edhe për 27 të tjerë.