Fevziu: Blushi, drejtor te Topi do sfidojë modelin e televizionit tonë spektakël
Blendi Fevziu ka komentuar gjatë lëvizjet e fundit në media dhe ato të konkurentëve të tij të drejtpërdrejtë. Por ai është ndalur sidomos tek lajmi i marrjes së frenave të Top Channel nga Ben Blushi duke e konsideruar atë edhe si një sfidë për TV Klan. “Blushi do investohet në gazetarinë serioze, në gjërat me thelb dhe nuk do ndjekë trendin fatkeq të 3 – 4 viteve të fundit që e ka reduktuar gazetarinë në nivele karnavaleske” ka thënë ai në një intervistë për Panorama. Ja pjesa e plotë ku ai ka folur për kalimin e Blushit në Top Channel:”….shkuarja e tij në krye të Top Chanel është një lajm i mirë për të gjithë. Për Topin në rradhë të parë, për gazetarinë serioze dhe për ne që punojmë në Klan apo televizione të tjera. Unë e njoh Ben Blushin që fëmijë. Ai është ndër njerëzit që merret me thelbin e gjërave, që lexon, ndjek zhvillimet në botë dhe del tej vizionit provincial që dominon shpesh mediat tona. Unë nuk e di se si do të jetë ai si drejtor, por jam i bindur që Blushi do investohet në gazetarinë serioze, në gjërat me thelb dhe nuk do ndjekë trendin fatkeq të 3 – 4 viteve të fundit që e ka reduktuar gazetarinë në nivele karnavaleske. Kudo në botë, gjërat janë bërë më fun. Mediat on line e kanë detyruar Televizionin të lehtësojë formatet e tij. Nuk ka emisione shumë të rënda dhe shumë serioze. Por nuk ndodh në asnjë vend tjetër të botës, që çështjet serioze të injorohen, që thelbi të anashkalohet. Këtu po ngatërrohen padashje rrjetet sociale me televizionin. Po bëhen njësh. Edhe pse janë dy gjera kaq të ndryshme. Për fat të keq kjo po ndodh vetëm në Shqipëri. As në vendet fqinjë si Kosova.
E dyta, Blushi ka një staturë të fortë dhe nuk do thyhet kollaj nga presionet në media. As nuk besoj që do të reflektojë aty, ndjesitë e tij personale ndaj qeverisë.
E treta, shpresoj shumë që ai të krijojë një traditë ndryshe nga ajo e gazetarisë së pazareve dhe gazetarëve pazarxhinj që po gëlojnë në media dhe që po i shohin hapësirat e tyre mediatike si mundësi për gjobvënie dhe shantazh financiar.
Së fundmi, ardhja e tij në Top Chanel shpresoj se do ndikojë në rritjen e konkurencës me Klan dhe si e tillë do të reflektohet edhe tek ne. Kjo është padyshim pozitive. Ka vetëm një formulë magjike për ta çuar përpara një media dhe kjo është konkurenca”.