Gafat e një dosjeje të Sigurimit të Shtetit
*Dosja agjenturore “Injëoranti”
Gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri, Sigurimi i Shtetit, për personat që ndiqte hapte këto lloj dosjesh:
-Përpunim paraprak (PP), kur kishte të dhëna të pavërtetuara mirë për “veprimtari armiqësore”.
-2B kontroll operativ, ndaj personave me origjinë nga “radhët e armikut”
-2A përpunim aktiv, ndaj personave që zhvillonin “aktivitet armiqësor”.
-Problem i centralizuar, për raste me më shumë se një person. Këtyre iu vihej një pseudonim, përgjithësisht tallës ose denigrues si p.sh. “Katrani”, “Llafazanët”, “Bloza”, “Idiotët”, “Shtrigat”, etj.
Oficerët e Sigurimit të Shtetit përgjithësisht nuk e shkruanin mirë gjuhën letrare shqipe. As për nivel fillor nuk bëjnë, lëre pastaj për inteligjencë. Jo vetëm përpara kongresit të njësimit të gjuhës në vitin 1972, por edhe më pas, e shkruara e tyre është në pikë të hallit. Sot po ju paraqes kapakun e një dosjeje problem i centralizuar, e mbyllur në vitin 1987 në një rreth të vendit, ndaj 13 personave. Punëtori operativ i dosjes i quan të implikuarit e tij “injorantë” dhe për këtë arsye kështu e ka titulluar dosjen . Por duke mos e ditur se si shkruhet në gjuhën shqipe kjo fjalë, mbi dosjen agjenturiale ka shkruar me ngadalë, qartësisht e bukur fjalën “injëoranti.
*Publikuar nga historiani Kastriot Dervishi