Kastriot Islami: Protesta masive jo vetëm revoltë, por edhe shpresë…
Revolta ka prekur shumicën për shkak të gjendjes tejet të rëndë, ekonomike të familjeve dhe katastrofike të bizneseve. Për shkak të papunësisë, sidomos të të rinjve. Të varfërisë ekstreme në rritje. Për shkak të rënies drastike të fuqisë blerëse. Për shkak të keqqeverisjes, korrupsionit galopant, lidhjes së pushtetit me krimin, pastrimit të parave nga njerëzit me pushtet dhe trafiqeve të drogës nga klanet e familjet mafioze të lidhura ngushtësisht me kupolën qeverisëse.
Revolta është rritur eksponencialisht kohët e fundit nga arroganca e pushtetit, konkretisht e Kryeministrit dhe 5-6 ministrave të tij. Nga dhunimi tallës i tyre. Nga dhuna e tyre plot cinizëm. Nga indiferentizmi olimpik për tu marrë me hallet e shqetësimet e qytetarëve. Nga përgjegjshmëria e paprecedentë për të shkelur kushtetutën e ligjet dhe zaptuar të gjithë institucionet me anëtarë të klientelës së tyre.
Revolta është ndihmuar të rritet në ekstrem nga dhuna verbale e narkoanalistëve dhe sharjet e shpifjet e medias klienteliste të paguara me paratë e pista të korrupsionit, krimit dhe drogës. Dhunë që ushtrohet çdo ditë e çdo natë mbi cilindo qëështë opozitar apo kundërshtar i kryeministrit dhe klientelës së tij.Dhunë që ushtrohet në televizione çdo ditë e çdo natë dhe në faqet s shtypit të shkruar. Dhunë e bazuar në dizinformacion e “fake news” që mblidhen e përpunohen nga qendra e dizinformimit në kryeministri. Dhunë që përhapet e shpërndahet, jo vetëm te narkoanalistët e media e klientelës, por edhe deri në rrjetet sociale, përmes një ushtrie të “gardistëve të fake news” që paguhen, edhe këta me paratë e korrupsionit, krimit e trafiqeve.
Revolta, thënë shkurt e qartë, është kudo, në çdo shtëpi, në çdo familje, në çdo biznes, në çdo kafene, në çdo cep, në të gjithë vendin. Atë e ka të qartë edhe vetë Rama. Atë e ndjejnë të gjithë anëtarët e kupolës qeverisëse. Atë e kanë të qartë të gjithë, edhe ata në opozitë, edhe ata që mbështesin qeverinë, edhe ata që janë indiferentë, edhe ata që nuk duan t’ia dinë për politikë. Edhe ata që janë në varfëri ekstreme. Edhe ata që janë të pasur. Edhe ata pa shkollë. Edhe ata me shkollë, mastera apo doktorata. Edhe të rinjtë, edhe ata në moshë pune edhe ata në pension. Edhe gratë, edhe burrat. Madje edhe vetë policët që dalin çdo ditë për të mbajtur apo ruajtur rendin.
Revolta ka marrë përmasa të frikshme, si asnjëherë tjetër në 27 vjet demokraci, edhe për një arsye të “jashtme”. Qytetarët e revoltuar gjithnjë pas 1991 kanë pasur gjithnjë mbështetjen e fuqishme të përfaqësuesve të SHBA dhe të BE. I kanë pasur ata në anën e tyre. Kanë dëgjuar prej tyre kritikat për keqqeverisjen e kujtdo force që ka qenë në pushtet. Kanë lexuar në raportet e tyre realitetin e hidhur që atyre ju duhej të përballonin çdo ditë nga keqqeverisja. Ndërkohë që këtë radhë qytetarët janë të zhgënjyer. Ndjehen të vetmuar. Ndjehen të pashpresë për të ndryshuar gjendjen sepse disa përfaqësues të tyre kanë heshtur edhe për korrupsionin e qeverisë, edhe për lidhjet e shtetit me krimin, edhe për lidhjet e qeverisë me narkotrafiqet e klanet mafioze, edhe për keqqeverisjen e vendit, edhe për varfërinë e tyre që rritet, edhe për papunësinë që shtohet nga korrupsioni e klientelizmi.
Revolta sot nuk ishte e vetmuar, ajo shoqërohej me shpresë. Sot njerëzit erdhën masivisht në protestë, shumë më shumë se në 18 shkurt 2017, më shumë se çdo herë tjetër në këto 27 vjet, jo thjesht për shkak të revoltës së tyre ekstreme, sepse të qytetarë të revoltuar që nuk kanë dalë ende në protestë ndoshta ka disa herë më shumë. Por se ata që ishin sot masivisht në protestë kanë filluar të kenë shpresë se gjendja mund të ndryshojë. Se ka një mundësi që revolta e tyre të orientohet në ndryshim.
Revolta sot nuk ishte partiake e politike, por përtej tyre, sepse po të ishte vetëm politike e partiake do të ishte ndryshe, se PD e LSI, i kanë të gjitha mundësitë të organizojnë një protestë të madhe revolte vetëm me mbështetësit e tyre. Revolta sot ishte qytetare, i përkiste qytetarëve të revoltuar që kanë filluar të kenë shpresë. Protesta e qytetarëve të revoltuar dhe me shpresë do të vazhdojë të rritet nëse do të forcohet organizimi inspirues politiko-partiak, nëse do të formësohet ekipibindës për realizimin e shpresës së tyre, nëse do të shikojnë/dëgjojnë alternativën e zgjidhjes së problemeve që kanë shkaktuar revoltën e tyre.
Rama duke ndjerë rrezikun e madh të një proteste masive, të revoltës masive e të shpresës së lindur, u përpoq ti vriste kësaj revolte shpresën. Ai përdori mjetin e sugjeruar nga strategjistët e sjelljes së tij në pushtet; baltosjen e të gjithëve, vrasjen e alternativës, njollosjen e lidershipit të shpresës. Sepse, nëse për të marrë pushtetin Ramës iu desh të përdorte si mekanizëm “betejën anti-korrupsion” ndaj qeverisjes së kaluar, tani për të mbajtur pushtetin atij i duhej të vriste shpresën e të shuante/ndrydhte revoltën duke baltosur e njolloste të gjithë organizatorët e protestës sepse kështu Rama shpresonte se qytetarët do të mund të mpihen, të paralizohen, të bëhen indiferentë e për rrjedhojë ato s’do të vinin masivisht në protestë, duke preferuar të vazhdonin të emigronin të pashpresë apo të ndrydheshin të depresuar në hallet e problemet e tyre.
Revolta e shpresa do të vazhdojnë të rriten edhe për nja arsye të “jashtme”. Ekzistojnë të gjithë indikacionet që në Uashington, administrata e re, në kuadër të strategjisë së re të Presidentit Trump për sigurinë kombëtare, të mbështesë qytetarët e revoltuar dhe konservatorët e vlerave në të gjithë Europën, për rrjedhojë edhe në rajonin tonë, pra edhe në Shqipëri. Këtej e tutje do të jetë Rama që do të ndjehet i vetmuar e në goditjet e merituara për gjithçka ka bërë edhe për shkak të indiferentizmit e të mbështetjes të përfaqësuesve të establishmentit global. Kjo do të thotë gjithashtu se sot e tutje do të mund të ketë më pak emigrantë nga Shqipëria dhe ky është një lajm i mirë jo vetëm për Shqipërinë e shqiptarët.