Albspirit

Media/News/Publishing

Përmasa planetare e dy romaneve të Kadaresë

 

Ajo që e afron më shumë “Dimrin” me “Koncertin” është, ndoshta, përmasa e tyre planetare, ndërtimi i tyre si një “roman total”, një kompozim polifonik, i përshkuar nga rishfaqja në forma të ndryshme nga mediat, satelitët spiunë, vëzhguesit etj., e të gjitha këto me të njëjtin funksion që kanë kori dhe korifeu në tragjeditë antike. Të trajtoje përçarjet ideologjike dhe në të njëjtën kohë të bëje portretin e shoqërisë shqiptare të viteve gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë nuk ishte e lehtë dhe pa rreziqe, gjë që i solli shkrimtarit jo pak kokëçarje. Por në këtë ndeshje ai gjeti edhe mundësi lirie të papritura, siç qe armiqësia e regjimit të Tiranës për revizionistët sovjetikë e, më pas, për kinezët, gjë që i lejoi shkrimtarit të shprehte pothuajse hapur, mu në qendër të diktaturës, pikëpamje që ishin më se “jokorrekte” në një regjim që, në thelb, nuk ndryshonte nga ai i Moskës apo i Pekinit.
Ky diptik, në fund të fundit, pasqyron një ankth të thellë, atë të një vendi, banorët e të cilit besojnë se në një çast të caktuar të historisë së tyre do të mund të dalin nga orbita komuniste. Autori i shkroi këto dy romane, kur një iluzion i tillë dukej i realizueshëm. Historia tregoi se e gjitha kjo s’ishte veç një kimerë e pamundur. Shqipëria nuk do të mund të shqitej nga ky sistem, veçse kur ai të rrënohej më së fundi kudo në Europë.

ÉRIC FAYE, shkrimtar dhe studiues francez

Please follow and like us: