Vitet e fundit të Ismail Qemalit, dëshmi të panjohura për Plakun e Vlorës
Prof. dr. Bardhosh Gaçe
Në kushtet e daljes në dritë të ngjarjeve, fakteve, shënimeve, kujtimeve lidhur me momentet madhore, si shpallja e Pavarësisë në Vlorë në vitin 1912, historiografia shqiptare gjithmonë do të ketë nevojë dhe arsye për të sjellë në vëmendje përjetime, pamje, të dhëna dhe dëshmi për personazhet e kësaj periudhe, për raportet diplomatike, për marrëdhëniet që ajo pati dhe krijoi jo vetëm brenda vendit por dhe në perëndim, në kancelaritë evropiane dhe induksionet e veçanta që lidhen me të. Sado që është shkruar, sado që është kornizuar pamja dhe dëshmia historike për të, kohët kanë treguar se ka akoma mundësi për të sjellë në këto dëshmi të rëndësishme fakte, interpretime dhe për të pranuar burime të tjera të nevojshme dhe për një arsye tjetër; ngjarja jonë kombëtare, përveçse ishte mu në qendrën dhe vlugun më të nxehtë të Gadishullit të Ballkanit, ajo pleksi dhe një opinion të gjerë diplomatik ndërkombëtar të kohës.
Në historinë e çështjes sonë kombëtare, të paktën burimet franceze, njoftojnë se dhe në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, dalja në dritë e tri grupeve, që diferenconin qëndrime thuajse të thella, tregonte se shqiptarët kishin dhe problemet e tyre të brendshme, kryesisht me dakordësitë e mëdha, siç ishte çështja kombëtare shqiptare. Në një kohë të ngjeshur diplomatike dhe të qëndrimeve të hapura dhe të fshehta të Fuqive të Mëdha, që nga Rusia, Anglia, Franca, Italia, Gjermania, Austro- Hungaria, Turqia, kanale të tjera të nëndheshme, shkapërderdhjeve të shumta të njerëzve që mundësuan Pavarësinë e Shqipërisë, në nëntorin e vitit 1912 Plaku i mençur dhe i urtë Ismail Qemali, dhe delegatët nga të gjitha viset shqiptare ngritën flamurin shqiptar, i cili përbënte dhe simbolikën më të rëndësishme dhe më reale për sakrificën sublime të shumë intelektualëve, mendimtarëve, njerëzve të dijes dhe të luftës.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe brenda faktorit shqiptar u shpall në rrethanat e veta të zhvillueshme, ku u shfaqën probleme të mprehta me të cilat u përball Qeveria Përkohshme e Vlorës, ministrat dhe kryeministri, njerëz të administratës etj. E gjithë kjo kohë, kur qeveria e Ismail Qemalit qe e detyruar të ketë një jetë të shkurtër, por të rëndësishme, përkonte po ashtu dhe me zhvillimet e natyrës së vështirë për t’i dhënë rrugë një zhvillimi normal të vendit. Ismail Qemali do të mbetet njëri nga njerëzit më aktiv, më të angazhuar të historisë së Shqipërisë, i cili falë një inteligjence të jashtëzakonshme, të një përvoje prej shtetari të sprovuar të një perandorie ndër më të mëdhatë e kohës, u përball vetë me to, reagoi ndaj tyre dhe mbajti qëndrim.
***
Siç dihet, Ismail Qemali dha dorëheqje në vitin 1914 (22 janar) për t’i hapur rrugë një stadi të ri të zhvillimeve në vend, por dhe për shkak të një qëndrimi jo aq dashamirës të Perëndimit për drejtimin e vendit nga qeveria e tij. Duke qenë një shtetar i lartë klasi, Ismail Qemali nuk donte t’i faturonte vendit ndonjë izolim nga Perëndimi, pasi zhvillimet ndërkombëtare dhe një lloj kobi i zi nacional- shovinist nga fqinjët i vërtitej rrotull Shqipërisë.
Përveç angazhimit të plotë që Plaku i Vlorës bëri lidhur me Pavarësinë, një histori brilante është ajo që pason me të pas dorëheqjes së qeverisë së tij. Ismail Qemali mbeti aktiv gjatë gjithë jetës së tij, deri kur mbylli sytë në mënyrë misterioze në Itali. Të rëndësishme janë qëndrimet që ai ka mbajtur mbi zhvillimet pas dorëheqjes së tij, për situatën politike të Princ Vidit, ato lidhur me Esat Toptanin, Qeverinë e Durrësit, lidhur me përfaqësimet shqiptare në arenën ndërkombëtare, lidhur me zhvillimet politike, ku kishte qëndrime të ndryshme, madje dhe të kundërta. Me vendosjen e tij në Francë, Ismail Qemali mbante lidhje me mjaft mëmëdhetarë të shquar të kohës brenda e jashtë vendit si me A. Kastrati, Rasif bej Dinon etj. Ai i ndiqte me interes zhvillimet në Shqipëri si me anën e letërkëmbimeve, ashtu edhe me udhëtimet që bënin nga Shqipëria në Nicë: Ibrahim Abdullai, Sali Hallkokondi, Elmaz Xhaferi, Zihni Abaz Kanina, Ahmet Durmishi, Spiro J. Koleka, Ymer Radhima, Xhezo Balo, Xhafer Xhuveli etj. Në Kushtet e Luftës së Parë Botërore, për t’i bërë ballë copëtimit të trojeve shqiptare, ai e shikonte të nevojshme krijimin e një qeverie kombëtare.
Në një kohë relativisht të ngjeshur me zhvillime, Ismail Qemali i ra kryq e tërthor Evropës. Qendrave politiko – diplomatike të Perëndimit për të thënë atë që duhej për Shqipërinë dhe shqiptarët, për atë që kishte nevojë vendi, për shkakun e njohjes përfekte që ai kishte për gjeopolitikën evropiane, e cila lexohej prej tij përmes burimeve të shumta, që nga e kaluara e në aktualitetin e saj. Të kësaj kohe janë qëndrimet dhe për zhvillimet evropiane, të cilat janë botuar në shtypin dhe gazetat perëndimore. Një nga rrëfimet më të gjata është “Shqipëria dhe shqiptarët”, që daton vitin 1917 (Paris), i cili kapërcen kapacitetin dhe misionin e një shkrimi të tillë, është botuar në “Quartely Revieë”.
Duke e parë si një zhvillim të qëndrimeve të Fuqive të Mëdha, ardhjen e një princi të huaj në Shqipëri, më së shumti për nevojën që vendi kishte, për të krijuar marrëdhënie dhe bashkëpunim të nevojshëm me vendet e huaja, Ismail Qemali e vlerësoi ardhjen e Princ Vidit. Ai mendonte se Princi do ta udhëhiqte vendin drejt bashkimit kombëtar, do ta nxirrte vendin nga prapambetja dhe do të punonte për organizimin administrativ të tij.
Zhvillimet politike në Shqipëri kishin pasur terrenin e tyre. Veçmas, gjatë periudhës së Tanzimatit, një lloj reforme të shtetit turk, shqiptarët e pritën jo mirë dhe ndonjëherë dhe me kundërshtime të forta, veçmas gjatë kohës kur luftohej për Pavarësinë e vendit, ndër shqiptarët kishte një reagim më të fortë dhe më të ashpër lidhur me faktorin ndërkombëtar. Kështu, edhe pas dorëheqjes së Qeverisë së Vlorës dhe fronëzimin e Princ Vidit, shqiptarët nuk e pritën mirë ardhjen e tij, madje pati dhe kundërshtime me forcë. Në këtë kohë Ismail Qemali ishte në Nicë të Francës. Më shumë reagimit të ashpër të kundërshtimit të Vidit iu shtua dhe ndalimi i ardhjes së Ismail Qemalit në Shqipëri, nën ndikimin e Esat pashë Toptanit, që kishte postin e ministrit të brendshëm.
Pas largimit nga vendi, Ismail Qemali mbante lidhje dhe korrespondencë me faktorin politik dhe diplomatik ndërkombëtar. Ismail Qemali, si një shtetar i zoti dhe i mençur, duke kuptuar mjaft mirë koniunkturën ndërkombëtare, pushtetin ia kishte dorëzuar KNK-së, duke konfirmuar në një farë mase se shqiptarët kishin shtet dhe se Evropa e kishte për detyrë që t’i mbronte ata. Me të drejtë një veprim i tillë ka qenë kaq i zgjuar dhe kaq diplomatik, të cilin mund ta bënte vetëm një diplomat karriere dhe një shtetar, i cili dinte të orientohej si mos më mirë në një “kaos” të kësaj natyre siç ishte Shqipëria dhe mënyra se si Fuqitë e Mëdha po menaxhonin Evropën, e cila nga dita në ditë po rrëshqiste drejt Luftës së Parë Botërore.
Duke qenë larg Shqipërisë, por duke e njohur nga afër dhe në detaje çdo zhvillim, Ismail Qemali nuk ishte për t’u acaruar situata në Shqipëri dhe pse ai e kuptoi shumë shpejt se i dërguari i Perëndimit, Princ Vidi, as kishte dëshirën dhe as kishte mundësinë të bënte ndonjë gjë konkrete në pritshmëritë e patriotëve shqiptarë prej tij. Ai ishte një lloj lodre në duart e Fuqive të Mëdha, që siç shprehej dhe Ismail Qemali se “Mbretërimi i shkurtër i Vilhelm Vidit qe më i pasur me episode groteske se sa në përpjekje reale për të riorganizuar një shtet në lindje e sipër, nxori në shesh kujdesin e pakët që treguan Fuqitë në çështjen e zgjidhjes së sovranitetit”. Ngjarjet në Shqipëri, pas ardhjes së Princ Vidit ishin të paparashikueshme. Esat Toptani po krijonte precedent të paparashikueshëm, për shkakun e një egocentrizmi të theksuar të tij, pasi ai i kundërvihet dhe Princ Vidit, duke e bërë akoma më të vështirë qëndrimin e tij në Shqipëri. Largimin e Vidit e kishte kërkuar edhe kryengritja fshatare.
Ismail Qemali kishte një përvojë jashtëzakonisht të rëndësishme lidhur me aftësinë e interpretimit drejt të situatave të tilla. Shqipëria rrezikonte disa fronte për të humbur kujdesin e faktorit ndërkombëtar. Dhe pse Vidi dukej si një “gozhdë e ndryshkur” në këtë kohë, trajtimi tij në mënyrë kaq të ashpër në sytë e ndërkombëtarëve nuk i bënte mirë vendit. Në të mirë të një qëndrimi shqiptar të qëndrueshëm Ismail Qemali erdhi në Shqipëri në majin e vitit 1914, por dramatikisht Protokolli i Korfuzit, me përfaqësuesit e “Vorio Epirit” cenonte rëndë sovranitetin e shtetit shqiptar, i cili ishte dhe në kundërshtim të plotë me Statutin Organik të Shqipërisë, që e kishin miratuar dhe vetë Fuqitë e Mëdha.
Shovinistët grekë filluan një sulm të paprecedent kundër fshatarëve të viseve të Jugut për t’i detyruar që ata të braktisnin trojet e tyre. Në këto rrethana kritike dhe dramatike Ismail Qemali takon në Durrës Princ Vidin, i shoqëruar dhe nga një dërgatë prej 20 vetësh. Pas këtij takimi, si një diplomat dhe negociator i sprovuar në situata shumë më dramatike dhe më të kompikuara, Ismail Qemali do të shprehej: “Princi më çuditi për mungesën e një ideje mbi gjendjen e vendit dhe për mungesën e një vetëdije për vështirësitë e jashtëzakonshme të çastit”.
Ismail Qemali nuk u kursye kurrë për atë që kërkohej të ndihmohej vendi dhe mundësitë që ai kishte. Vitet 1914 ishin të rënda në Shqipëri, qoftë nga brenda, qoftë dhe nga jashtë. Nga Shqipëria e Jugut kishin lënë trojet dhe shtëpitë mijëra muhaxhirë. Në këtë gjendje, Ismail Qemali në bashkëpunim me parësinë e Vlorës vendosin të krijohej Komiteti i Shpëtimit Publik, dhe përmes njërit nga Komisionet e këtij komiteti iu kërkua Princ Vidit. KNK-së dhe Fuqive të Mëdha ndihma, duke sjellë në vëmendje dhe mbajtja nën pushtim të tokave shqiptare nga Greqia në kundërshtim dhe me vendimet e Konferencës së Londrës dhe Protokollit të Korfuzit, të cilin e kishin nënshkruar dhe grekët.
Pa hyrë në detaje dhe më të holla, Ismail Qemali në këtë kohë përveçse iu gjend afër popullit shqiptar, ai falë përvojës diplomatike, i bënte një shërbim të rëndësishëm vendit, lidhur me një axhentë diplomatike të nevojshme konkrete. Gazeta “Populli” sjell një informacion interesant të kohës lidhur me qëndrimin e Ismail Qemalit në një situatë të tillë dramatike: “Ne kemi mbetur në një vend të pakët dhe të ngushtë. Mijëra njerëz ndodhen në mjerim e në të keqe. Në njërën anë deti, në anën tjetër armiku: kush është atdhetar dhe njeri të mos kursejë as shpirtin për t’i qëndruar këtij rreziku. Vetëm me fuqinë tonë të përpiqemi të kapërcejmë këtë rrezik e t’i themi Europës që ne kemi të drejtë të rrojmë. E drejta jonë nuk arrin për të kapërcyer rreziqet tërësisht, port ë kujdesemi e të lypim prej Europës që ne kemi të drejtë të rrojmë”.
Pas këtyre ngjarjeve në gusht të vitit 1914 ai shkon në Romë, për ta përdorur dhe në këtë rast këtë pozicion për të marrë kontakte më të drejtpërdrejta me faktorin ndërkombëtar lidhur me problemet që kishte vendi i tij. Për arsye të ditura historikisht Ismail Qemali u përball në të shumtën e rasteve me një lloj arrogance dhe nënvleftësimi të faktorit ndërkombëtar lidhur me çështjet shqiptare. Lufta e Parë Botërore do të ishte një problem i vështirë për Shqipërinë. Pasi Fuqitë e Mëdha kishin marrë nën kujdes vendin, ata kurrë nuk u interesuan dhe as patën një angazhim për ta nxjerrë Shqipërinë nga prapambetja dhe nga kaosi në të cilën ajo u gjend qoftë nga tendencat e brendshme politike, po ashtu dhe ata të huaja, veçmas të fqinjëve. KNK-ja gjatë kësaj kohe u bë inekzistente në Shqipëri. Në rrethanat e “iniciativave” të ndryshme, qoftë të forcave qeveritare, ato antividiste, ato të agjentëve turkomanë, ato greke dhe të qarqeve të tjera, të cilat vepronin në vend, Ismail Qemali kërkonte ruajtjen e flamurit shqiptar dhe mospërdorimi i flamurit turk, me ç’rast forcat greke do të kishin një pretekst më shumë që të ndërhynin në Vlorë, duke dhënë dhe këshillime për sigurimin e vendit me forcat lokale.
Ndër këshillimet e mençura të Plakut të Vlorës në këtë kohë, lidhur me tendencat dhe qëndrime pro dhe kundër për zhvillimet në Jugun e vendit, Qeverinë e Durrësit, çështja e muhaxhirëve, antividizmin dhe zhvillime të tjera, të cilat kishin angazhuar mjaft njerëz të niveleve të ndryshme në Vlorë, Durrës, Shijak, në Jug e gjetkë, ishte që ato të interpretoheshin si zhvillime të brendshme për të ruajtur pavarësinë e Shqipërisë dhe Flamurin kuq e zi.
Gjatë Luftës së Parë Botërore Ismail Qemali qëndroi në Itali dhe në Francë, duke ndjekur me shqetësim zhvillimin e ngjarjeve në Shqipëri, e cila ishte vazhdimisht e rrezikuar nga palët ndërluftuese, pavarësisht se ishte një vend që kishte dakordësinë ndërkombëtare si shtet. Për fatin e keq dy fuqitë ndërluftuese të kësaj drame zhvillonin luftime dhe në Shqipëri. Në këto rrethana, Ismail Qemali kuptonte rrezikun që i kanosej pavarësisë së vendit, kështu që në vitin 1915, në gazetën franceze “Le Matin” ai fliste se Shqipëria, e cila që në vitin 1913 ishte një shtet më vete, e kishte humbur pavarësinë sepse “u shtrëngua nga të gjitha anët prej serbëve, malazezëve, bullgarëve dhe grekëve” dhe ju kërkonte francezëve t’i ndihmonin shqiptarët dhe Shqipërinë, pasi ato janë të besës dhe në ditët e duhura ata të vijnë në ndihmë. Por kjo thirrje nuk u dëgjua nga francezët, ndryshe ata bënin plane kundër Shqipërisë.
Ismail Qemali, gjithmonë lidhur për fatin e vendit të tij, kishte një qëndrim gati të formuar lidhur me fatin e luftës, duke pasur një lloj besimi tek forcat e Antantës, për një arsye të thjeshtë, sepse ata llogarisnin në krahun e tyre dhe Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, por një kumtesë e tillë nuk arriti të bëhet publike, për shkakun e kundërshtimit të Francës dhe Rusisë, sepse ishin kundër lëshimeve që i bëheshin Italisë në këtë rast, që sipas qarqeve diplomatike të kohës, shqiptarëve në vitin 1915 u premtohej nga qeveria e Londrës rimëkëmbja e shtetit shqiptar në formën e një“Shqipërie autonome nën protektoratin e Italisë”. Siç dihet nga historiografia, qëndrimet e Francës dhe të Rusisë kanë qenë gjithmonë në mbështetje të nacional – shovinizmit të fqinjëve ballkanik për të copëtuar tokat shqiptare rast pas rasti dhe konferencë pas konference, qoftë përmes traktateve, qoftë dhe marrëveshjeve të fshehta.
Gjatë qëndrimit në Francë, Ismail Qemali trokiti disa herë në portat e diplomacisë franceze, por aty mësoi se autoritetet franceze për çështjet e Shqipërisë elementi më i përshtatshëm ishte Esat Pashë Toptani. Dhe kjo kishte arsyet e veta, pasi pozicionit të vendosur franko-anglez në favor të Greqisë dhe Serbisë, i shkonte për shtat politika që ndiqte Esat Pashë Toptani me bekimin e Serbisë, tek e cila Franca shihte një mbështetje të veçantë. Kështu, Esat Pasha u paraqit në Paris si kryetar i Qeverisë Shqiptare. diplomacia franceze i propozoi Ismail Qemalit kërkesën e saj për të ngritur në Shqipëri një lëvizje që t’i shërbente si bazë për operacionet e ushtrisë franceze në Ballkan. Por ai e kundërshtoi hapur kërkesën e tyre, pasi vendi i tij nuk mund të bëhej përsëri një fushë beteje. Në këto kushte francezët e braktisën Ismail Qemalin; vetë kryeministri A. Briand u shpreh se nuk mund të ndihmonte “një pensionist të padobishëm për Francën...”.
Si pasojë, Ismail Qemali u njoftua të largohej nga Franca dhe në maj të vitit 1918 mërgoi në Spanjë së bashku me familjen. Siç kujtonte i nipi, Ismail Vlora, ato çaste ai u tregoi të bijve, Et’hemit dhe Qazimit një histori: Vite më parë, më 1871, kur francezët bënin protesta për çështjën Alsas-Lorenës, Ismail Qemali, i dftruar dhe i shoqëruar nga Viktor Hygo e Klemansoi, kishte marrë pjesë në mbledhjen e Parlamentit Francez, pas mbledhjes kishin darkuar në një lokal. Flemansoi, i befasuar nga kultura e Ismail Qemalit, e kishte pyetur: “Si është e mundur që ju dini kaq shumë për vendin tim, ndërsa ne e njohim shumë pak vendin tuaj?” Dhe Ismail Qemali ia kishte pritur: “Kështu ndodh z. Klemanso, sepse ju francezët keni 500 vjet, e merrni baltën dhje e fryni e krijoni heronj, ndërsa ne shqiptarët heronjtë tanë i kemi kthyer në baltë...”.
Duke udhëtuar për në Barcelonë, Ismail Qemali u takua në Marsejë me diplomatin italian Spetia, të cilit i shprehu kënaqësinë, se atje do të kishte më shumë lehtësira për të punuar për çështjen shqiptare, në veçanti përmes kontakteve me shqiptarët e Amerikës. Nga Barcelona, sipas gazetës “Koha”, 25 korrik 1918, ai udhëtoi disa herë në Madrid, ku u takua me ambasadorin e SHBA dhe përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga rreziku i copëtimit ballkanik.
Një lëvizje tjetër e rëndësishme e Ismail Qemalit, duke parë terrenin e ashpër dhe të befasishëm evropian, ka qenë dhe bashkëpunimi me kolonitë shqiptare të mërgimit , të cilët kishin rritur mjaft rolin e tyre në Lëvizjen Kombëtare. Të gjendur në rrethana dhe më të favorshme dhe të parrezikuara, ata kishin mundësi të ishin një zë i fortë lidhur me angazhimin për t’i ardhur vendit në ndihmë nga njëra anë, por dhe për të bërë thirrje për drejtësi. Ismail Qemali e kuptonte mjaft mirë këtë mundësi që i afronte lëvizja kombëtare në Amerikë, një vend që kishte rol të rëndësishëm në zhvillimet botërore dhe ato evropiane. Shqiptarët në Amerikë ishin mbledhur rreth organizatës“Vatra” (e cila kishte dy delegatët e saj në Evropë, Mehmet Konicën në Londër dhe Mihal Turtullin në Lozanë) dhe organizata tjetër e njohur si “Partia Kombëtare Politike”, e formuar në vitin 1917, me të cilën u lidh dhe filloi bashkëpunimin Ismail Qemali. “Partia Kombëtare Politike”zgjodhi si përfaqësuesin e saj në Evropë Ismail Qemalin, duke e konsideruar atë si një nga më të njohurit në qarqet diplomatike të Evropës, më i dëgjuari në Shqipëri, i cili numërohej një nga më të mëdhenjtë diplomat të Evropës dhe nderohet kudo, shkruante gazeta “Koha”.
Lidhur me qëndrimet e tij të vazhdueshme, ka një korrespondencë të rëndësishme, ku bie në sy një ekuilibër i jashtëzakonshëm. Në letrën që ai nis më 17 nëntor nga Madridi, ndër të tjera bie në sy një pasazh i rëndësishëm, që lidhet me nevojën e sjelljes së tij prej diplomati dhe në nivelin e korrespondencës, kur shkruan: “Sa qeshë në Paris, me gjithë sigurimin e plotë për fundin e luftës dhe me besimin tonë për simpathinë e Entantës (bllok i Antantës), detyra jonë ishte të mbajmë terezinë në mes të qeverive të mëdha.” Pavarësisht përplasjes që ndodhi për shkakun e të qenit delegate i Evropës nga “Partia Kombëtare Politike” e Ismail Qemalit, me organizatën“Vatra”, një debat që u zhvillua kryesisht përmes shtypit të njërës dhe tjetrës organizatë, Ismail Qemali pati motive akoma më të mëdha për të punuar sa ishte e mundur në shërbim të vendit. Siç dhe kuptohet, tashmë kishte dhe një dritare në shumë për të punuar dhe për t’i mishëruar idetë dhe punën e tij. E kësaj kohe është dhe thirrja që ai u drejtonte bashkatdhetarëve të tij, ku kërkohej “bashkimi i atdhetarëve”, të cilët duhet të linin grindjet e çastit për të luftuar me argumentet tona të patundura për të drejtat tona, lidhur me sigurimin e tërësisë territoriale dhe të pavarësisë kombëtare të Shqipërisë.
Ismail Qemali nuk qe vënë kot në krye të lëvizjes më të vështirë dhe më madhore ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, atë të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, nëse ai nuk do të njihte mirë jo vetëm diplomacinë, jo vetëm aktet themeltare ndërkombëtare mbi kombet dhe popujt, jo vetëm historinë e zhvillimit të popujve ballkanik dhe evropian, por dhe koniunkturën dhe artin e madh të të bërit diplomaci. Ai njihte mirë mekanizmat dhe mjetet që i kërkoheshin një diplomati dhe argumentet që i duheshin një vendi për t’iu imponuar realitetit ndërkombëtar që ai t’i njihte atij të drejtat e duhura.
Vijon…