Arabia Saudite liron nga “burgu” disa princa dhe biznesmenë
Autoritetet saudite kanë liruar një numër të madh të princave dhe biznesmenëve të arrestuar gjatë një operacioni kundër korrupsionit. Lajmi është bërë i ditur nga mediat europiane, të cilat raportojnë se personat që u mbajtën në hotelin “Ritz-Carlton” të Rijadit u liruan pas arritjes së marrëveshjes me autoritetet.
Emrat e të liruarve nuk publikohen, por thuhet se dosja e të arrestuarve nën dyshimin për korrupsion “do të ketë përparim në ditët e ardhshme”.
Ndërkohë, miliarderi saudit, princi Alwaleed bin Talal pritet të lirohet brenda pak ditësh. Autoritetet saudite ende nuk kanë lëshuar një deklaratë zyrtare mbi lirimin.
Në Nëntor, autoritetet saudite arrestuan dhjetëra figura publike, duke përfshirë princa dhe ministra në një operacion masiv kundër korrupsionit.
Arrestimet erdhën menjëherë pasi një komitet kundër korrupsionit nën drejtimin e princit të kurorës, Mohamed bin Salman, u formua përmes një dekreti mbretëror. Autoritetet saudite theksuan se së paku 100 miliardë dollarë ishin keqpërdorur përmes korrupsionit sistematik.