Dorian Koçi: Kadare dhe Çajld Harold
Kalanë e Tepelenës unë e pashë;
E shkretë ish, bedenat pa njeri,
As roje, as shtiza, as Ali Pashë,
Më nuk kumbon. Por heshtje. Qetësi.
Nuk pashë un’ as zjarre sipër kullash,
As kuaj, as llambadha mbi xhami.
Por pashë tek libraria anës udhës
Si blinte “Çajld Haroldin” një fëmi
Ismail Kadare “Ëndërrime” 1957
Ç’lidhje mund të ketë midis përjetimeve dhe poezisë? A është eksperienca , të prekurit dhe e të përjetuarit e realitetit një kusht themelor për shkrimin e një poezie? Këto janë pyetje universale që rëndojnë ndërgjegjen e të gjithë atyre që pëlqejnë poezinë, të paktën që nga momenti që njeriu i hershëm aty në shpellën e lagësht vizatimin që kish bërë kërkoi që ta shprehte dhe me fjalë.
Po ç’fjalë se? Fjalë të zakonshme? Sigurisht që jo. Në poezi përdoren fjalë që të prekin thellë në shpirt dhe të bëjnë të “arratisesh” me mendje në realitete të tjera. Si fjalët p.sh të Iliadës së Homerit që na dëftejnë vetëm 51 ditët e fundit të Luftës së Trojës dhe që na shtyn të mendojmë se ndoshta dhe ai ishte një nga luftëtarët akeas që ndihte dhe perceptonte gjithçka në atë luftë heroike.
Nëse mundohemi ta marrim për të vërtetë dilemën e parë , atë që eksperienca, të prekurit e të përjetuarit e realitetit është një kusht themelor për shkrimin e një poezie, për fat të keq këtë detaj ne nuk e dimë për Homerin pasi të dhënat që kemi për të nuk na e lejojnë këtë gjë, kurse për poetë që janë më afër viteve tona mund të flasim me siguri.
Lord Bajroni ishte vetëm 21 vjeç kur do vizitonte Pashallëkun e Janinës dhe të takonte në Tepelenë, Pashain karizmatik të quajtur Ali. Eksperiencat dhe përshtypjet e tij nga udhëtimi në Lindjen e Afërt, ai do ti përshkruante në dy Kantot e para të poemës “Child Harold” që e bëri atë të famshëm menjëherë në gjithë Evropën. Kjo poemë do të citohej dhe vlerësohej vazhdimisht nga çdo shqiptar që do të binte në kontakt me kulturën e përbotshme dhe veçanërisht atë anglo-saksone, derisa do ta sillte në shqip të tërën në mënyrë mjeshtërore, mjeshtri i fjalës Skënder Luarasi më 1955.
Se çfarë impakti ka pasur ky botim në botën shqiptare, kjo gjë dallohet qartë nga vargjet e mëposhtme të Ismail Kadaresë që përshtypjet e udhëtimit të tij drejt Tiranës nga Gjirokastra, me ndalesën e pashmangshme të autobusit në Tepelenë për të dorëzuar postën dhe për të marrë pasagjerë të tjerë, rikrijon sërish një skemë kozmopolite të historisë së qytetit të vogël. Janë të gjithë personazhet e mundshëm aty, Ali Pasha dhe Bajroni i fshehur në mantelin e poezisë të botuar në libër me emrin “Child Harold” dhe një fëmi që pafajësisht hyn në botën e poezisë së madhe duke blerë një libër që sapo ka dalë në qarkullim.
Kjo paraqitje e Bajronit nën mantelin e një emri tjetër, duket se i përngjan një rizbulimi të vjetër ballkanas me legjendën e vëllait të vdekur që vjen e troket në portë për të sjellë motrën dhe pastaj ikën sërish në zbrazëtirën që ka lënë në varrin e vet pas stërmundimit të madh për tu rikthyer njëherë në jetë.
Po Bajroni ç’mund të ketë dashur kur ka marrë rrugën e vet sërish për në Tepelenë përmes fjalëve dhe gjuhës së një njeriu që është mjeshtër i përkthimit? Kë ka sjellë nga humbëtira e varrit të vet diku larg në Britani? Për vite me radhë shqiptarët u ushqyen mendërisht dhe estetikisht me veprat e letërsisë klasike që sillnin një aromë tjetër në bregun e ashpër të Adriatikut që nuk kish njohur në masën e duhur ose aspak as Rilindje Evropiane, as Iluminizëm as Revolucion Industrial.
Në përpjekjen e tyre për tu përshtatur me një botë që kish ndryshuar dhe vazhdonte të ndryshonte me shpejtësi marramendëse që nga momenti që ata kishin dashur ti bashkëngjiteshin, kishte çoroditje se kujtonin se kishin gjetur rrugën (koha më vonë e tregoi se s’qe ajo e duhura), kishte utopi se do ndërtonin diçka të re (bota kish vite që ndërtonte gjëra të tilla), kishte iluzion se do viheshin në ballë të botës (botës i ishin dashur shumë vjet për të qenë aty ku ishte) por kishte dhe etje për kulturë dhe këtu bota mund t’i ndihmonte.
Ndoshta Bajroni i veshur me mantelin e Child Haroldit rikthehej në Tepelenë pikërisht për këtë arsye, ndaj dhe Ismail Kadaresë as 20 vjecar në atë kohë nuk i bënte përshtypje për të gjetur me imagjinatë “shtiza e llambadha” as “kuaj as zjarre sipër kullash” por libraria e hapur rishtazi në qytet dhe fëmija që pafajësisht i ndërpriste ndoshta rrugën autobusit që po e çonte poetin e ri drejt Tiranës.
“Child Haroldi” kish filluar shtegtimin e tij sërish në viset shqiptare ndoshta me vetëdije që kësaj radhe të mos i gjente më të rreptë por dhe më shumë të kënduar. Sfidë e madhe për një poet si Bajroni, për një vepër si “Child Harold” dhe për një letërsi klasike e përkthyer në shqip!
Shumë vite më vonë , tashmë rreth 57 vjet më vonë shikojmë se udhëtimi nuk ka qenë i kot. Poeti riosh Ismail Kadare është bërë shkrimtar i madh dhe i lexuar në tërë botën në veprën e tij të shkruar në shqip e të përkthyer në gjuhë të huaja. Për më tepër ai ka udhëtuar në vendin e “Child Haroldit” për të marrë një çmim prestigjioz për letërsinë çka i bën krenar gjithë bashkëkombësit e tij.
Në Tepelenë është vënë një pllakat për Bajronin dhe njerëzit e përshëndesin gjithë ditën sa herë kalojnë nga qendra e qytetit, fëmija i pafajshëm mund të jetë bërë një nga bardët që qyteti ka nxjerr kohë pas kohe dhe qyteti nuk i përngjan më një fushëbeteje si e përshkruan Bajroni tek “Child Haroldi”. “Koha ndryshon realitetet, njerëzit dhe ngjarjet” thotë një postulat i vjetër i perceptimit të saj. Sigurisht që është kështu.
Nuk ka dyshim për këtë gjë, por në këto ndryshime në qytetin e vogël dhe simpatik jugor ka luajtur rol dhe Bajroni i ardhur me mantelin e “Child Haroldit” i përkthyer në shqip nga një njeri me kulturë të madhe i quajtur Skënder Luarasi. Një kontribut i trefishtë si në përralla, i Bajronit, Child Haroldit dhe Skënder Luarasit dhe njësoj si dhe në përralla ai që ka përfituar ka qenë fëmija që duke lexuar vargjet e famshme “Shqipëri o nënë e burrave të rreptë” ka hyrë në botën magjike të poezisë botërore.