Zeman rizgjidhet president i Çekisë
Milos Zeman u rizgjodh president i Çekisë të shtunën. Ishte një fitore e ngushtë, ndaj rivalit të tij pro-evropian Jiri Drahos. Zeman është figura e fundit e njohur të politikanëve aktivë nga periudha e tranzicionit postkomunist të vendit në vitet 1990. Kandidati ish-komunist dhe populist Zeman mori 51.36 për qind të votave ndërsa kundërshtari i tij Drahos 48.63 për qind. 73-vjeçari Zeman, ish-kryeministër i krahut të majtë, përfaqëson votuesit më të varfër dhe ruralë me një nivel më të ulët arsimimi.
Ndërsa ish kreu i Akademisë së Shkencave të Çekisë dhe rishtar në politikë Drahos, 68 vjeç, u bëri thirrje qytetarëve më të pasur dhe të arsimuar. Pasi uroi Zemanin për fitoren e tij të ngushtë, Drahos u tha mbështetësve në Pragë se “ne nuk fituam, por as nuk kemi humbur”, duke u zotuar se ai nuk do të tërhiqej nga jeta publike. Ish-këshilltari politik i presidentit Vaclav Havel dhe analisti politik Jiri Pehe tha se rezultati shfaqi “polarizimin shumë të thellë” të shoqërisë çeke, e cila është “e ndarë në mes” përgjatë linjave rurale-urbane dhe populiste-liberale, pasqyrim i polarizmit kudo në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara. Disa banorë të Pragës shprehën shqetësim për të ardhmen.