Çështja çame/Ministria e Jashtme greke: Përgënjeshtrojmë kategorikisht deklaratat e zyrtarëve shqiptarë
Teksa komenton bisedimet Shqipëri-Greqi, diplomati fqinj thekson se nuk ka asnjë dialog mbi Çamërinë mes palëve dhe se nuk ishte pjesë e axhendës. Kotzias i mëshon faktit se çështja “Çame” nuk ekziston dhe nuk njihet nga Greqia.
Po kështu, me anë të një deklarate, Ministria e Jashtme greke thekson se “përgënjeshtrojmë kategorikisht deklaratat e zyrtarëve shqiptarë, mbi gjoja përfshirjen e problemit çam në negociatat ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë. Përndryshe, tjetër është dëshira e palës shqiptare për ta shtruar këtë çështje dhe tjetër gjë që kjo çështje të pranohet për diskutim”.
Ministria e Jashtme greke i bën thirrje palës shqiptare, që të mos ngrejë çështje që bien ndesh me dialogun e sinqertë dhe konstruktiv që po zhvillohet.
“Një dialog që ndihmon –falë përpjekjeve të të dy palëve- përmirësimin e rëndësishëm të klimës në marrëdhëniet greko-shqiptare dhe që ka dhënë ndërkaq rezultate, në dobinë reciproke të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre”, përfundon deklarata e Ministrisë së Jashtme greke.