Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: Në emër të “kolaboracionistëve” dhe “surretërve”

 

 

I dëgjova kohët e fundit fjalët dhe komentet e zotit Pandeli Majko (si edhe të Leskajt, Paskal Milos e të tjerëve) në lidhje me “kolaboracionistët” ose “surretër-it” siç u referohej zoti Majko. U habita shumë dhe me të thënë të drejtën u zhgënjeva pa masë, pasi zotin Majko e kam takuar disa herë kur ishte kryeministër dhe ministër, gjatë kohës që unë punoja për qeverinë amerikane.

Dua të them kategorikisht që në fillim, se në çdo takim kur vinte për intervista tek ‘Zëri i Amerikës’ më linte përshtypje jashtzakonisht pozitive, dhe me shtonte shpresat se ky njeri – falë moshës së tij të re – do të ishte një forcë pozitive jo vetëm për të reformuar Partinë Socialiste dhe për ta larguar atë nga e kaluara e saj e errët, por do sillte një erë të re bashkëpunimi e tolerance midis forcave të ndryshme politike të vendit.

Respekti im për zotin Majko ishte shumë i lartë në krahasim me shumë udhëheqës të tjerë politikë shqiptarë. Dëgjohej si zëri i arsyes. Me kënaqësi me kujtohen fjalët  shpresëdhënse të zotit Majko për të ardhmen e vendit, për demokracine dhe integrimin e Shqipërisë në organizmat euro-atlantike, përkrahja e tij për Kosovën, etj. Me kujtohen gjithashtu ankesat e tij në lidhje me politikën e vjetër dhe përfaqësuesit e saj në politikën e sotme.

Prandaj e gjej shumë të vështirë të besoj se komentet e zotit Majko në lidhje me të përndjekurit, janë me të vërtetë pikëpamjet e tij apo një lojë politike që i përshtatet dikujt në këtë moment.  Nëqoftëse studenti i lëvizjes për demokraci, zoti Majko mendon kështu dhe përdor të njëjtin fjalor që përdorte Enver Hoxha për kundërshtarët e tij politikë, çfarë mund të themi për të tjerët që ishin shtylla të regjimit komunist dhe mbajnë ende detyra kyçe ne sistemin e sotëm politik të vendit?!

Eshtë një gjë që të kesh shërbyer në një sistem si ai i Shqipërisë, pasi ashtu ishin rrethanat dhe duhej mbijetuar – por është krejt një gjë tjetër që ta mbrosh atë sistem në menyrë direkte ose indirekte për përfitime politike të radhës.

Jam i bindur se zoti Majko dhe kolegët e tij e dinë se trajtimi i të përndjekurve në Shqiperi, gjatë periudhës komuniste, nuk mund të krahasohet me trajtimin që u bëhej kundërshtarve të komunizmit në vendet e tjera të botës komuniste, me përjashtimin e vetëm ndoshta të Koresë së Veriut dhe Kinës gjatë revolucionit kulturor. Nëqoftëse komunizmi, sic thotë zoti Majko, ka rënë 20 vjet më parë, atëhere pse përdoret kjo gjuhë komuniste në diskurset politike të sotme kur u bëhet referencë të përndjekurve e të vuajturve të ish-regjimit komunist brenda Shqipërisë dhe në diasporë? Pse Shqipëria, si asnjë vend tjetër ish-komunist e gjen aq të vështirë të shkëputet nga e kaluara e saj?

Unë nuk jam njeri i polemikës dhe nuk dëshiroj të filloj ndonjë debat me asnjë njeri, as nuk dua të debatoj meritat për shpërblime për të përndjekurit, pasi nuk jam ekspert për këtë çështje, por pasi kam patur fatin e mirë që gjatë dyzet vjetëve të jetës sime në Amerikë kam njohur dhe në disa raste kam punuar me njerëz të tillë që regjimi i Enver Hoxhës, e fatkeqësisht, edhe sot pas 20-vjetë demokraci, politikanët e ditës u referohen atyre si “kolaboracionistë” dhe “surretër”.

A mos vallë, zoti Majko e kolegët e tij kanë në mend Patër Gjergj Fishten e Faik Konicën, vlerat e të cilëve shkëlqejnë si hylli i dritës; apo Ernest Koliqin e Dr. Rexhep Krasniqin që i sollën shkollat e librat shqipe Kosovës, duke krijuar një elitë që shkolloi e mësoi brezat e ardhshëm, apo klerikët e të tre feve, te cilët u zhdukën nga një regjim që e pat shpallur veten me krenari “vendi i parë ateist në botë”, një politikë kjo pasojat e të cilës nuk do të fshihen për shumë kohë?!  Apo ndofta deputetët socialistë kanë në mend Mit’hat Frashërin që punoi aq shumë për Kosovën, të cilën Enver Hoxha ia fali Serbisë – apo Abaz Kupin që luftoi kundër okupatorit fashist?! Apo babain e gjyshin e ish-presidentit Ibrahim Rugova, të cilët u vranë nga serbët, dikur aleatë të ngushtë të partisë komuniste shqiptare, apo mijëra “ballistë” kosovarë që u vranë në  Tivar?!

Nga ana tjetër, deputetët socialistë mund të kenë në mend si kolaboracionistë e surretër mijëra emigrantë politikë që u detyruan të largoheshin nga Shqipëria dhe Kosova pas ardhjes së komunizmit në fuqi, e të cilët u vendosen në perëndim. Ata, bijtë dhe bijat e tyre të cilët për dekada ruajtën identitetin dhe dashurinë e tyre për Shqipërinë dhe Kosovën, megjithëse të përbuzur e të përjashtuar nga vendi i tyre.

Ishin bijtë e bijat e atyre që zoti Majko e kolegët e tij socialistë i cilësojnë si “surretër” ata që organizonin demonstratë pas demonstrate në Washington e anë e mbanë Amerikës e Evropës perëndimore për të sensibilizuar opinionin zyrtar amerikan për fatin e shqiptarëve në Ballkan, në një kohë kur kjo e drejtë ndërkombëtare u mohohej atyre në truallin e vet.

Ishin bijtë e bijat e këtyre “surretërve” ata të cilët formuan ndër më të fortat grupe lobiste në historinë e Amerikës, në përkrahje të çështjes së Kosovës dhe të Shqipërisë. Dua t’ua sjell në mend të gjithë atyre që mund të kenë harruar – e sidomos politikanëve në Shqipëri ashtu edhe atyre në Kosovë – se ishin përpjekjet e kësaj klase të pasardhesve të “surretërve” që ndihmuan në menyrë vendimtare në demokratizimin e Shqipërisë, e që çuan në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, në çlirimin e saj nga zgjedha serbe dhe më në fund në realizimin e ëndrrës sonë shekullore – pavarësinë e Kosovës.

Me plot respekt ju garantoj zoti Majko me kolegë,  se komuniteti shqiptaro amerikan – kryesisht pasardhës të “kolaboracionistëve” nuk i bëri këto përpjekje e pse jo edhe shpenzime marramendëse, as për kollltuk, as për ndonjë detyreë,  as për para – por vetëm e vetëm se në shpirtin tonë mbreteron dashuria për atdheun dhe kombin shqiptar, dashuri kjo që na e gërshetuan të parët tonë – të cilët na mësonin se megjithëse Shqipëria sundohej nga komunistët, kundërshtarë të të cilëve ata ishin – nëqoftëse ajo kërcënohej nga greku a sllavi, ata do të luftonin krah për krah me komunistët shqiptarë kundër okupatorëve të huaj. Këta “surretër” siç po i cilësoni, ju zotëri, na inkurajonin që gjithmonë të sillnim ujin në ‘mulli të atdheut’, duke u frymëzuar nga idetë dhe traditat shqiptare, e jo ato të huazuara nga armiqtë e kombit shqiptar.

Atdheu mbi të gjitha, na thonin ata. Prandaj nëqoftëse politikanët shqiptarë të të gjitha ngjyrave duan të rimbëkëmbin kombin pas errësirës së gjatë komuniste dhe pas pavaresisë së Kosovës, ata duhet të krasisin degët e thata të lisit për t’i dhënë fuqi e frymë trungut të vjetër. Po deshët të rimëkëmbet kombi shqiptar me një të ardhme të ndritur, atëherë duhet që përpjekjet e të gjithëve të jenë të bazuara mbi traditën e shëndoshë kombëtare dhe në respektin për jetën dhe për të drejtat e barabarta të çdo shqiptari, pa dallim, sidomos pa dallime politike. Vetëm në këtë menyrë do të bëhemi pjesë e botës perëndimore, pjesëtare e të cilës e ndjejmë veten.

*Autori i shkrimit është ish-drejtor i Zërit të Amerikës për Evropën dhe ish-nëndrejtor për ish-Bashkimin Sovjetik; si edhe ish-drejtor ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC).   Shkrimi është publikuar së pari në të përditshmen e Nju-Jorkut, “Illyria”, më 20 mars, 2009.

Please follow and like us: