Albspirit

Media/News/Publishing

Gjergj META: Kriza aktuale si krizë besimi

Pas Luftës së Dytë Botërore, nuk mendoj se shoqëria njerëzore në tërësinë e saj ka kaluar ndonjë krizë më të madhe sesa kjo e viteve të fundit. Edhe pse rënia e murit të Berlinit u duk sikur i dha fund krizës së Luftës së Ftohtë duke hapur një epokë të re, kjo e fundit ndodhi, kurse e para jo, d.m.th, krizës nuk iu dha fund, ndërsa epoka e re nisi. Kjo epokë e re ka një të ardhme të paqartë. Në këtë makroshoqëri hyn edhe mikroshoqëria shqiptare, e cila ende orvatet ndërmjet postkomunizmit, tranzicionit dhe dëshirës së mirë për të hyrë në një fazë të qëndrueshme zhvillimi.

Problemet që godasin shoqërinë tonë janë të shumëllojshme e analiza mund të nisë nga çdonjëri prej këtyre problemeve. Duhet thënë që ne nuk jemi një shoqëri e qetë, nuk jemi aspak një shoqëri, e cila ka zgjidhur disa probleme të qenësishme. Është e vërtetë se të gjitha shoqëritë europiane, dhe jo vetëm, ankohen dhe ende nuk kam parë një shoqëri, që të jetë e kënaqur 100 % me realitetin. Kjo është pjesë e rritjes njerëzore, që kërkon gjithnjë më të mirën e gjithnjë më shumë nga vetja.

Në Shqipëri nuk po kërkohet më e mira, por bazikja. Kërkohet ai cak, që më bën të ndihem njeri në përputhje me çka është themelore sot në listën e të drejtave të njeriut. Kjo, në Shqipëri, nuk është arritur në këto vite e sipas ritmit të deritanishëm, kërkon ende shumë kohë. Kjo situatë në të cilën ndodhemi, gjen tek arena e luftës politike simptomën më domethënëse përshkruese të saj.

Por jo vetëm në të. Edhe funksionimi i administratës, sjellja e biznesit, madje, shpesh edhe funksionimi i enteve fetare dhe problematikat e brendshme të tyre apo qasja me realitetin e jashtëm që ata kanë, pasqyrojnë, sipas bindjes sime, një element shumë të fuqishëm, që do të shpjegonte një seri mosfunksionimesh të realitetit tonë. Ky element është mosbesimi apo kriza e besimit.

Kush lexon këto rreshta, duke e ditur që unë jam klerik katolik, mund të mendojë menjëherë se e kam fjalën për besimin në Zot. Këtë herë nuk e kam fjalën për besimin në Zot, edhe pse çka do të Them, nuk e përjashton atë, madje, në fund të arsyetimit, e përforcon këtë gjë. Edhe herë të tjera e kam artikuluar disi këtë gjë, por tanimë e shoh qartë e më qartë si dukuri.

Shqiptarët përfundimisht nuk kanë besim te njëritjetri, nuk kanë besim tek institucionet, të çfarëdo natyre qofshin ato, nuk kanë besim në fund të fundit as te vetvetja, se mund të jenë faktor ndryshimi për më mirë. Ndoshta, të vetmet institucione që gë- zojnë njëlloj koeficienti besimi, janë ato fetare dhe përfaqësitë e huaja, por edhe këto jo në masën e duhur. Ne nuk kemi besim sepse kemi një raport të varfër me të vërtetën. Ne nuk besojmë sepse jemi mësuar të gënjejmë. Kemi gënjyer nga frika, nga varfëria, e kjo na është bërë sport, gati-gati një lloj habitus-i.

Në masën që gënjejmë, ne nuk kemi besim. Mossinqeriteti prodhon mosbesim e anasjelltas. Në mesazhin e tij për ditën e botërore të mediave, duke folur për lajmin e rremë, Papa Françesku citon Dostojevskin, pikërisht “Vëllezërit Karamazov”, e që mendoj se i shkon për shtat edhe argumentit tonë: “Kush gënjen vetveten dhe dëgjon mashtrimet e tij, arrin deri në atë pikë sa nuk di më ta dallojë të vërtetën, as brenda vetes e as përreth tij, e kështu fillon të mos ketë më vlerësim për vetveten e as për të tjerët. Më pas, meqenëse nuk ka më vlerësim për askënd, nuk arrin më të dojë e atëherë, në mungesë të dashurisë, për ta zënë veten me diçka e për t’u hutuar, e braktis veten në dorë të pasioneve dhe kënaqësive vulgare, dhe për faj të veseve të tij, kthehet në një kafshë; e kjo rrjedh nga gënjeshtra e vazhdueshme që u themi të tjerëve dhe vetvetes”.

Ja pse një Reformë në Drejtësi në Shqipëri nuk është një çështje teknike ligjesh dhe këtë përfaqësitë e huaja nuk mund ta kuptojnë dot. Po ashtu, e njëjta gjë është Reforma në Arsim apo në shumë sektorë të jetës. Të tjerët, përveçse vendet e Lindjes komuniste apo ato që vijnë nga ish-Perandoria Otomane, nuk mund ta kuptojnë këtë realitet. Ne jemi mësuar që të veprojmë me dy standarde: një përballë eprorit dhe një përballë vartësit. Kjo është mendësia perandorake dhe ajo komuniste e servilizmit.

Ne pastrojmë “shtëpinë” sepse do vijnë miq, jo sepse ajo duhet pastruar, njësoj sikur në kohën e komunizmit çoheshin turistët në vendet “e bukura” për të parë arritjet e partisë. Në Shqipëri shtrohet rruga sepse do të vijë Kryeministri, por jo sepse e do populli. Jemi një popull ende foshnjor dhe i frikësuar, që ndërton fasadën pa u përpjekur të punojë për përmbajtjen.

Nuk arrijmë të sforcohemi as të bëjmë eksperiment në besim, që domethënë të besojmë se tjetri e ka përnjëmend e të mundohemi edhe ne ta kemi përnjëmend. Ne ulemi në tryezë, bëjmë marrëveshje dhe sapo dalim, themi: “hë mer mo se e njof unë atë”. Por ky besim-besueshmëri nuk kultivohet nëse nuk ka një nënshtrat shpirtëror, një sistem referimi të përbashkët vlerash, të cilin ne e kemi humbur fatkeqësisht. Ne kemi reaguar ndaj imponimit komunist duke relativizuar gjithçka.

Nuk arritëm të zëvendësonim gjënë e përbashkët me të mirën e përbashkët, kujdesin e partisë me solidaritetin ndërshoqëror, kolektivin me komunitetin, spiunllëkun falas me përgjegjshmërinë qytetare, diktaturën me forcën e ligjit. Frika nga diktatura apo nga padishahu na ka bërë gënjeshtarë dhe mosbesues. Këtu e kuptojmë pse forcat politike në Shqipëri nuk arrijnë të bëjnë marrëveshje ose kur i bëjnë, nuk janë të qëndrueshme. Sepse veprohet me dy standarde e kur çirret njëri standard, bie e gjithë ngrehina.

Ky është një problem shpirtëror i thellë, një mosfunksionim i ngulitur në psiken kolektive dhe individuale e që trashëgohet fatkeqësisht nga brezi në brez. Prandaj, në Shqipëri nevojitet një shkollë besimi, në të cilën njerëzit mësojnë të kenë besim e të bëjnë gjërat sepse duhen bërë e jo sepse më shohin të tjerët apo sepse kam frikë nga eprori. Shkëputja nga vlerat e përbashkëta, e nëse duam, edhe nga besimi në Zot ka sjellë si rrjedhojë shkëputjen nga e vërteta e nga besimi. Rimarrja e tyre do të përforconte më shumë besimin te mundësitë, për një të ardhme më të mirë.

Please follow and like us: