Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: In memoriam për Basri Çapriqin

 
Ndarja para kohe e Basri Çapriqit, poet dhe profesor në Prishtinë, ishte një nga lajmet më të trishtuara të këtij fillimviti. Pas një mundimi mbi trevjeçar për të mposhtur një sëmundje të rëndë, Basri Çapriqi më së fundi u dorëzua, mbase atëherë kur familja dhe miqtë e afërm nuk e prisnin. Ishte 58 vjeç kur mbylli sytë.
Për miqtë e tij ishte dhembje e madhe. Por jo vetëm për miqtë e të dashurit. Disa njerëz fati i pajis me talente, me dhunti jo të zakonshme. Basri Çapriqi ishte njëri nga këta të zgjedhurit e fatit. Ai pati talentin e publicistit, të poetit, të lektorit universitar të lëndëve semiotikë, stilistikë dhe letërsi bashkëkohore shqipe. Shkroi dhe botoi libra studimorë që i shërbyen karierrës së tij universitare për të marrë gradën e Doktorit të Dhkencave dhe titullin Profesor. Si studiues dhe hulumtues në Kosovë dhe në shumë aula ndërkombëtare u përfaqësua me dhjetra kumtesa e studime. Sikur vetëm me njërin nga këto talente të shquhesh, mbetesh i nderuar për gjithë jetën. Basri Çapriqi nxitoi të jetë një emër në gjithë këto fusha sikur ta dinte se do të ikte shpejt nga kjo jetë.
Sipas një ligjësie të njohur prindërit, kur ikin, jetojnë te bijtë, profesionistët e shquar jetojnë te kolegët e tyre, ata më të përkryerit si poetë, si shkrimtarë, si studiues bëjnë jetën e të gjallit te veprat që kanë shkruar. Jetë të tilla të pasura për nga cilësitë lënë pas zbrazëti dhe dhembje. Kjo nxit atë që kujtimi i tyre të mbetet jo vetëm në emocionet e bashkëkohësve, të studentëve, të kolegëve, miqve, poetë e profesorë, por dhe të bëjë vend, të rëndojë në thesarin e mjediseve që i patën në pjesë.

Basri Çapriqi ishte njeri i detyrës. Ai diti dhe pati fuqinë që t’i kryejë më së miri detyrat. Talentet, dhuntitë i ktheu në vepra. Miqtë e tij kurrë nuk u ankuan prejj tij. Dhe si familjar qe me fat, bashkë me Sazana Çapriqin, rritën, edukuan dy fëmijë të mbarë.
Dhe pikërisht në kohën kur kishte shënuar pikun e arritjeve të tij, ishte afirmuar si individualitet, kur mund t’i lëmonte dhe thellonte më tej prirjet e veta, ai ndahet përfundimisht nga kjo jetë.
E kam njohur Basriun si poet dhe si kreun e PEN Qëndrës së Kosovës. Kemi recituar dhe kemi parashtruar pikëpamjet tona në shumë veprimtari në Shqipëri, në Kosovë dhe në konferenca e kongrese të PEN Internacional. Basri Çapriqi në të parë ishte një natyrë e tërhequr, mund të thuash e ftohtë. Miqtë e moshës sime, si i ndieri Ali Podrimja, e vlerësonin këtë tipar jo emocional të Basriut. Ne vinim nga një kohë e angazhimeve. Basriu ishte i ftohtë, por mbase kjo është shenjë e largësive që detyrimisht njërin brez e ndan prej tjetrit. Basriu këtë tipar të distancës nga ndjeshmëritë me ngarkesa dyshuese a negative që i ushqejnë ngushtësitë e mjediseve tona, që i ushqejnë ndonjëherë vanitetet a egoizmat e lëmisë së krijuesve letrarë, e dëshmoi për gjatë gjithë kohës në udhëheqje të PEN Kosovës. Ky ishte një virtyt i tij, një cilësi e brendshme e personalitetit të tij. Ai kështu i ndihmoi krijimit të marrëdhënieve bashkëpunuese, projekteve që i bëjnë më produktive bashkësitë e shkrimtarëve në Shqipëri dhe në Kosovë.
Dhe në poezi Basri Çapiqi erdhi me prurjet e veta. Kjo nuk është në fjalë dhe aq. Në fillimet e krijimtarisë ai solli në mjediset e Prishtinës poezi të aromës mesdhetare. Me kohë kjo poezi mori tiparet e atij brezi që pasoi poetët e brezit të Ali Podrimjes, e brezave të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të. Po vinte një brez që ndjeshmëritë e veta në këto kohë tronditjesh, mund të thuash kohë tërmetesh, shoqërore, politike dhe nacionale po i përcillte në art me mjete të tjera shprehëse. Me më pak retorikë. Me një optikë të distancës që shprehet me mejete të ironisë, të groteskut, të mosfunksionit të qëndrimeve angazhuese ndaj ndonjë kauze, madje të mohimit të çdo kauze. Indivdi merr peshë tashmë jo kolektivja. Por në këtë gjuhë të tëhuajtur sa nga intimja, po aq dhe nga përkushtimet e jashtme, Basri Çapriqi poet solli brumin e vet, erdhi me bukën e vet në furrën e lashtë ku mbruhet e piqet lënda e poezisë. Dhe ai nuk ishte një poet i ftohtësisë. E ankthshmja, kllapia në sintaksën e poezisë së tij, është shenjë e së ethshmes, e nxehtësisë, e vlimeve të thella në ndjeshmëri. Basri Çapriqi poet ishte bir i epokës së tij, i një gjuhe postmoderne, i prirjes për ta përqeshur atë që ankthshëm na ngushton jetën edhe kur “muret” ideologjikë, kulturorë, politikë në dukje kanë rënë. Ndaj emblematike do të mbetet poezia e tij “Dritaren lëre hapur”.
Basri Çapriqi iku në kulmin e fuqive të tij krijuese. Nuk mund të profetizojmë se çdo të sillte e nesërmja e tij. Veç dhembjes që ai la si studiues, si përfaqësues i botës akademike të Prishtinës, si poet më së shumti la një zbraztësirë që do të ndjehet.
Si mik i tij do t’më mungojë një bashkëpunëtor i përkushtuar në veprimtaritë e përbashkëta, do t’më mungojë një Basri që e donte miqësinë, ushqimin e mirë, bisedën e shtruar me një gotë verë, Basriun që e donte shumë jetën, i donte shijet dhe gëzimet që burojnë nga thjeshtësia e të qenit bashkë me miq të së njëjtës prirje.

Please follow and like us: