Trump paralajmëron Erdoganin: Shmang konfliktin midis forcave turke dhe amerikane
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se do të vazhdojë operacionin ndërkufitar kundër kurdëve në enklavën Afrin në veri të Sirisë, duke rritur shqetësimet në mesin e shumë aleatëve të NATO-s. Ai i bëri këto komente pas bisedës telefonike me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili i bëri thirrje liderit turk “të shmangë çdo veprim që mund të çojë në konflikt midis forcave turke dhe amerikane”. Trump po ashtu tha se dhuna e vazhdueshme në Afrin “dëmton synimet e përbashkëta në Siri” për mposhtjen e grupit militant Shteti Islamik, njoftoi përmes një deklarate zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders. Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, tha se operacioni, i cili përfshin trupat turke dhe rebelët aleatë sirianë, të mbështetur me avionë luftarakë, artileri dhe tanke, synon krijimin e një zone të sigurisë rreth 30 kilometra brenda Sirisë. Turqia e konsideron milicinë kurde në Afrin si grup terrorist dhe si degë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, e cila kërkon autonomi për kurdët brenda Turqisë. Milicia kurde në Siri e mohon çdo lidhje të tillë. Kjo milici, e cila kontrollon territore të mëdha në verilindje të Sirisë, ka qenë aleat kryesor i SHBA-së në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik atje.