Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Ajazi: Përgjigje Metës e Janullatosit në emër të Kristoforidhit

Duket se priftit të Kishës Orthodokse Shën-Mëria Elbasan At Nikolla Markut, nuk i “del e keqja” lidhur me pasaportën shqiptare, dhënë Hirësisë Tij Janullatos, nga Presidenti vendit Ilir Meta. Madje ai edhe pas kaq ditësh, sërish kur e pyet të thotë se “Presidentit Meta doja ti jepja një përgjigje zyrtare dhe kishtare nga Elbasani, edhe në emër të Kristoforidhit, duke i thënë se ju zoti Meta vërtetë ja dhatë shtetësinë shqiptare një prifti grek, por duhet ta dini se, Kisha e Orthodokse Elbasanit, mbetet e vetmja që ka ecur dhe po ecën në gjurmët e babait të gjuhës shqipe Kostandin Kristoforidhit, pasi tek kisha jonë bëhen meshat vetëm në shqip, dhe jo siç i bën “ i shqiptarizuari” nga ju greku Anastas Janullatos”. Dhe fakti është se meshat në Kishën e Elbasanit, si askund tjetër janë dhënë dhe jepen vetëm në shqip (dhe jo greqisht si në kishat e Hirësisë Tij Janullatos) me tekstin ungjillor të përkthyer nga Kostandin Kristoforidhi, “Ungjilli i Hyjnuar dhe i Shenjtë” i cili është riprodhuar me Urdhrin e Sinodit të Shenjtë në shtypshkronjën “Gytemberg” në Tiranë në vitin 1930”.

 

Kjo vepër, që nis me gjuhën shqipe në faqen e parë, përkthyer prej Konstandin Kristoforidhit në Elbasanan, mbahet me kujdes e ruajtur me fanatizëm nga familja e At Markut ndër vite, për tu sjellë në kishën e Shën-Mërisë në vitet e demokracisë. Prifti i Elbasanit Nikolla Marku, nuk ka pranuar dhe nuk do të pranojë kurrë të shkelë mbi amanetin e Kristoforidhit, nuk do të pranojë kurrë tjetërsimin e gjuhës pasi në fletën ku fillon Ungjilli i Hyjnuar, mund të lexohet shqipja e pastër kishtare e Kristoforidhit, në toskërishten e tij.

Libri “Ungjilli i Hyjnuar dhe i Shenjtë pas Joannit” që fillon prej të djelë së shenjtë dhe së madhe të Pashkës, është në gjuhën tonë amëtare, kurse Hirësia e Tij Janullatos, e këndon vetëm greqisht në kishën e tij, edhe pse ka marrë pasaportën shqiptare nga zoti Meta. AT Nikolla Marku, famullitar i kishës së Shën -Mërisë, prej 27 vitesh lufton mediatikisht dhe institucionalisht me Kishën Orthodokse Autoqefale të përfaqësuar nga Janullatos. Duke ruajtur petkun e “nacionalistit besnik” prifti i Elbasanit At Nikolla Marku, mbron tezën e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, pasi shprehet se “Kisha e Shën -Mërisë që unë drejtoj është e vetmja që meshon në shqip duke ndjekur gjurmët e Kostandin Kristoforidhit, Visarion Xhuvanit dhe Fan Nolit”.

Ai e ka kontestuar fort dhënien e shtetësisë shqiptare Anastas Janullatosit nga Presidenti Ilir Meta, dhe e ka quajtur atë si një “përulje të madhe ndaj një greku që kurrë nuk e ka dashur Shqiperinë dhe shqiptarët”. Sipas përkthimit të bërë nga “babait të gjuhës shqipe” Kostandin Kristoforidhi, çdo javë dhe sidomos çdo festë, Ungjilli Hyjnor, këndohet nga At Nikolla Marku, duke vazhduar të gjitha ritet në shqipen e një shekulli më parë. Një besimtar thotë se “vjen në meshë për të dëgjuar fjalët e bukura shqipe të ungjillit në kishën e Kalasë si e vetmja që e bën të mundur këtë dhe që lufton kaq shumë që kisha të jetë shqiptare, siç janë munduar të parët tanë dhe me kënaqësi”. Kisha e Shën-Mërisë është më e bukura ndër kishat në Shqipëri, me një histori të rrallë. Në vitin 1857 Kostandin Kristoforidhi hyri në kolegjin e misionarëve, ku nisi menjëherë përkthimet biblike në një përkthim të ri toskërisht. Në korrik të vitit 1857 Kristoforidhi kalon në kolegjin protestant të Maltës deri në vitin 1860, duke përfunduar edhe përkthimin e “Dhjatës së Re” toskërisht e gegërisht. At Marku, ka dokumentacionin e duhur që dëshmon se, dorëshkrimi në toskërisht ruhet në Londër. Por asokohe shoqëria biblike e Londrës, nuk ishte e vendosur ti botonte këto përkthime, kështu që Kristoforidhi u detyrua të hartonte punimin “Shkrime mbi Shqipërinë, gjuha dhe përkthimi i shkrimeve të shenjta” për të vërtetuar domosdoshmërinë e botimeve të reja shqip. Por as kjo nuk e bindi këtë shoqëri angleze, duke bërë që Kristoforidhi të largohej nga aty, për t’u martuar më pas në Tunis, ku edhe punoi si mësues.

Më 1865 hyri në marrëdhënie me përfaqësuesin e shoqërisë biblike të Londrës Aleksandër Tomson, me të cilin pati një bashkëpunim të gjatë dhe të frytshëm. Gjatë qëndrimit në Stamboll botoi më 1866 përkthimin e parë gegërisht “Katër ungjijtë dhe punët e apostujve në alfabetin latin”, po kështu “Psalltiri”, “Dhiata e Re”, “Të bërët e të dalët”, “Nomi i dytë”, “Fjalët e urta të Solomonit dhe Vivla e Isaisë”. Ka lënë si dorëshkrim “Krijesa dhe të dalët gegërisht” si dhe disa dorëshkrimet e tjera, që nuk janë gjetur akoma.

Please follow and like us: