Albspirit

Media/News/Publishing

Avramopoulos: Greqia mund të parandalojë luftë në Ballkan

Komisioneri evropian Avramopoulos ka paralajmëruar se rruga e vetme për të parandaluar luftë në Ballkan është afrimi i këtyre shteteve me Bashkimin Evropian përmes Greqisë si urë lidhëse.

 

 

Dimitris Avramopoulos, Komisioner për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, paralajmëroi se rritja e nacionalizmit dhe populizmit në shtetet e Ballkanit mund të sjellë kaos dhe “luftë”.

“Është me rëndësi që ne të mos kthehemi në të kaluarën e errët. Liderët e këtyre shteteve e dinë se është qenësore të mendosh dhe të veprosh në një shpirt evropian”, ka thënë ai.

Sipas tij, Greqia ka pasur rol kyç në mbajtjen e Ballkanit nën kontroll. Ai shtoi se shtetet si Greqia mund të “ndërtojnë ura” që do të afronin Ballkanin Perëndimor me familjen evropiane.

Ai ka thënë se Gjermania i ka treguar botës se çfarë mund të bëhet me një perspektivë të re të fokusuar në bashkëpunim ndërkombëtar dhe humanizëm.

“Gjermania i ka treguar Evropës dhe gjithë botës se çfarë mund të bëhet nga një shtet i bazuar në humanizëm dhe vlera demokratike”, ka thënë ai.

Bashkimi Evropian, sipas “Express.co.uk”, është i vendosur që Serbia dhe Mali i Zi t’i bashkohen bllokut në fazën e radhës, me gjasë më 2025.

BE-ja ka bërë përpjekje që t’i afrojë edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në këtë pako zgjerimi. Shqipëria, Kosova, Bosnja, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia të gjitha shpresojnë t’i bashkohen bllokut, por në këtë regjion ka pasur probleme, kryesisht lidhur me çështjet e migrimit. Regjioni është përballur me luftëra etnike gjatë ndarjes së ish-Jugosllavisë. Serbia akoma e llogaritë Kosovën si provincë, ndërsa strategjia e BE-së për dy vendet shtrihet në “normalizimin e marrëdhënieve” që pritet të përfundojë më 2019.

Liderët e Ballkanit kanë akuzuar Rusinë, aleat tradicional i Serbisë, se po përpiqet të zgjerojë ndikimin e saj në Ballkan duke manipuluar me ngjarjet politike.

Please follow and like us: