Basha: Partnerët e kanë kuptuar se Rama ka kapur drejtësinë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas takimeve me drejtuesit më të lartë të Partisë Popullore Europiane, vuri në dukje jehonën në Bruksel të protestës së 27 Janarit për një drejtësi të pakapur politikisht. Në takimet me drejtuesit më të lartë të Partisë Popullore Europiane, Basha konfirmoi qëndrimin e opozitës se zgjidhja politike për Shqipërinë është një qeveri antimafia e çliruar nga krimi, që do t’i japë vendit zgjedhje të lira e të ndershme.
“Duket qartë se zëri i shqiptarëve të bashkuar më 27 janar kumbon fuqishëm edhe këtu në Bruksel në zemrën e Bashkimit Europian. Ka një shqetësim të jashtëzakonshëm të institucioneve europiane dhe të përfaqësuesve të vendeve anëtare për ngecjen e reformës në drejtësi dhe për kapjen e drejtësisë, e cila mishërohet nga rasti “Tahiri”-tha Basha, njofton zyra e shtypit në PD.
Zoti Basha pati takime me Presidentin Joseph Daul, me zëvendëspresidentin dhe njëkohësisht Kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian David Mcallister, me komisionerin Hahn, me Kryetarin e Komisionit të Çështjeve Europiane në Bundestag Gunther Krichbaum, Kryetarin e grupit parlamentar të PPE Manfred Weber etj.