Dritan Demiraj: Bushati të flasë për marrëveshjne me Greqinë
Ish-ministri i Brendshëm Teknik Dritan Demiraj përmes një postimi në facebook, ka reaguar në lidhje me deklaratat e Greqisë, sipas së cilave Shqipëria ka rënë dakord t’i falë Greqisë 12 milje detare.
Deklarata e ministrit grek Kotzias se ministri i Jashtëm i Shqipërisë, z. Ditmir Bushati ka pranuar zgjerimin me 12 milje të hapësirës detare të Greqisë, që përkthehet në brendësi të territorit detar të Shqipërisë është së paku shqetësuese.
Shqetësuese është fakti që këto lajme, po ashtu si dhe për mos bisedimin e çështjes Çame në tryezën e dy ministrave të Jashtëm, e mësojmë nga zyra e shtypit të ministrisë së Jashtme greke.
Ministri Bushati nuk i qartësoi këto vendime në daljet e tij publike të ditës së djeshme.
Mungesa e transparencës së bisedimeve Greqi-Shqipëri mund të paralajmërojë vendime penalizuese për territorin e Republikës së Shqipërisë.
Si qytetar dhe si njeri që i ka shërbyer vendit në shumë sfida sigurie, kërkoj transparencë të plotë të bisedimeve, duke filluar me zbardhjen e proçesverbaleve të takimeve dy palëshe.