Istvàn Schütz: E vërtetë e padiskutueshme, shqipja është një gjuhë e lashtë në Ballkan, një nga çuditë e pakuptueshme të botës
Shkenca të ndryshme dëshmojnë lashtësinë e shqipes
Kohët e fundit hulumtues të ndryshëm kanë botuar hipoteza të reja rreth prejardhjes së shqipes dhe të shqiptarëve. Pavarësisht nga gurra e propozuar nga ata, hipotezat e tyre takohen në një pikë të saktë: secili e vë lindjen e shqipes dhe të shqiptarëve të sotëm në shekullin 4 pas lindjes së Krishtit. Me sa duket këta hulumtues nuk kanë mësuar asgjë nga pësimi i mëparshëm i disa kolegëve të tyre, hipotezat e të cilëve janë pritur me një kritikë të rreptë objektive për shkak se ata kanë harruar plotësisht disa ligje themelore të zhvillimit të shqipes.
Në kumtesën tonë nuk kemi ndër mend që të bashkohemi me këto kritika. Jo, qëllimi ynë është mbledhja e disa dëshmive të shkencave të ndryshme, të cilat flasin njëzëri për një prejardhje më të vjetër të shqipes, të cilat provojnë që paraardhësit e shqiptarëve të sotëm flitnin shqip qysh në kohën e takimit të tyre të parë me legjionet pushtuese romake, bile edhe më herët, duke huazuar me dhjetëra fjalë nga greqishtja e vjetër. Do të tregojmë me të dhëna konkrete që përroin e lashtë e shqipes mund ta ndjekim, kundrejt rrymës, gati deri në burimin e tij të lashtë indoevropian. Dhe shumica e këtyre dëshmive nuk janë zbulime të reja, bile ato njihen prej kohësh, por ato janë botuar andej-këndej, në studime dhe artikuj të ndryshëm, si qirinj të vegjël të shpërndarë në errësirën e natës, dhe gjer më sot asnjëri s`e ka bërë mundimin t`i mblidhte për të parë ndriçimin e tyre të bashkuar.
Dëshmitë e tilla më të lashta i gjejmë së pari në mitologji, në besimet dhe bestytnitë e popullit, në disa zakone të lashta, të cilat mbijetojnë edhe sot në disa krahina malësore. Por dëshmi të tilla nuk mungojnë as nga fusha e gjuhësisë, me qenë se fjalësi i shqipes ruan edhe sot disa kujtime nga takimi i stërgjyshërve të lashtë të shqiptarëve me banorët e parë të trevave ballkanase. Kështu, bie fjala, shqipja e sotme ka ruajtur disa fjalë të tilla nga koha e ardhjes së ilirëve në Ballkan: fjala shqipe karpë `shkrep` e ka gurrën në baskishten (karb-he `gur, shkrep`) dhe është përjetësuar në emrin e vargmalit të Karpatëve. Po në këtë drejtim na drejton vëmendjen ruajtja e sistemit të lashtë njëzetor të numërimit. Shqipja e sotme e përdor vetëm sistemin dhjetor, mirëpo janë ruajtur numrat njëzet (një + zet), dyzet (dy + zet) dhe forma dialektore katërzet (katër + zet). Ky sistem numërimi rron edhe sot në baskishten nga e ka huazuar edhe frëngjishtja e folur në Francë: quatrevingt `tetëdhjetë`, por valonët e Belgjikës njohin vetëm formën ottante.
Ka disa mendime që stërgjyshërit e shqiptarëve do ta kenë huazuar sistemin njëzetor jo nga banorët e lashtë (baskoidë) të Ballkanit, po nga tregtarët shumerianë, të cilët përdornin po këtë sistem numërimi. Sidoqoftë të dy mundësitë na çojnë në mijëvjeçarin e dytë para Krishtit. Po aq e lashtë na duket edhe fjala shqipe shegë, e cila ka një prejardhje të përbashkët (jo indoevropiane!) me fjalën greke crEOYTJ me të njëjtin kuptim, dhe me fjalën e iranishtes seb `mollë`, fjalë e përdorur edhe sot në disa gjuhë të vogla në krahinat e Kaukazit në formën soyun `shegë`.
Ndofta një fjalë tjetër me një lashtësi aq të madhe do të jetë edhe fjala shqipe hekur, me prejardhje semite, ndofta shumeriane, sepse arkeologjia ka vërtetuar që një nga rrugët e mbërritjes së këtij metali nga Lindja e Mesme në Evropë çoi nëpër truallin shqiptar të sotëm. Ruajtja e kësaj fjale në shqipen e sotme provon që stërgjyshërit e shqiptarëve e kanë marrë fjalën bashkë me metalin e ri nga tregtarët e Lindjes para pushtimit romak të trevave të tyre, gjë e cila shpjegon edhe mos marrjen e fjalës latine ferrum gjatë pushtimit të gjatë romak.
Në këtë buqetë fjalësh të lashta duhet vënë edhe emri i malit të shenjtë të shqiptarëve, siç e quan i pavdekshmi Naim Frashëri Tomorin në breg të Osumit. Emri shpjegohet me fjalë rrënjë indoevropiane *tom- `i errët, i zi` + *or- `mal`, d.m.th `Mal i Zi`. Mali ishte në kohët e lashta një vend kultik, hipotezë e mbështetur nga zakoni i pleqve të krahinës përkatëse, të cilët e bëjnë benë më të rëndë edhe sot “mbi atë i cili vetëtin majë Tomorit”, dhe jo mbi gurin, si bëhet në malësinë e veriut. Në Dalmacinë e sotme vetëm emri i një rrethi të administratës romake ka ruajtur kujtimin e këtyre derviopëve, të cilët, me sa duket, rrinin ca kohë atje para se të vazhdonin lëvizjen e tyre drejt jugut.
Emri Tomor nuk ka pësuar asnjë ndryshim fonetik gjatë shekujve. Nuk e kanë ndërruar as grekët e vjetër, as dyndja e parë sllave, as fiset ilire të vendosura në luginën e Osumit, as pushtuesit romakë. Kjo gjë provon rëndësinë e malit si qendër kultike. Sipas hulumtuesit grek M. Sakellariu (Peuples prehellejniques d`origine indo-europienne, Athinë 1977) në trevat e Beratit të sotëm është vendosur si i pari etnos indoevropian, etnosi i derviopëve (greqisht OEpmO1tEç), anëtarët e të cilit jetonin në grupe të vogla duke mbledhur kryesisht fruta, farëra, rrënjë dhe kërpudha të ndryshme, ende nuk kishin as nocionin e perëndive, por adhuronin dhe u bënin fli shpirtrave, të cilët, sipas besimit të tyre, jetonin në lisat me fruta që haheshin duke i ringjallur këta para fundit të dimrit që të jepnin sërish ushqim njerëzve. Gjurmët e kësaj dendrolatrie i gjejmë edhe sot në disa fshatra malësorë në zakonin e buzmit, d.m.th. të kërcurit të posaçëm të zgjedhur dhe të prerë në pyll apostafat për ta vënë pranë zjarrit në kullë për natën e solsticit të dimrit. Edhe sot ruhen fjalët e të yshturit të lashtë:
Po vjen buzmi bujar
me gjeth e me bar,
me edhe, me shtjerra,
mbas tyne vjen vera…
Në këtë natë edhe miqtë e përshëndesin zotin e shtëpisë me Buzmi bujar! Johannes Georg von Hahn, ky diplomat-gjuhëtar përmend në vëllimin e tij Albanesische Studien (Jena, 1854) ankesat e panumërta e priftërinjve katolikë, të cilët bënin çmos për të zëvendësuar Natën e buzmit me Krishtlindjen e krishterë, po kot luftonin kundër këtij zakoni të lashtë të fiseve shqiptare.
Rrënjë të lashta kanë edhe disa zakone dhe besime të tjera të fshatrave malësorë. Në përgjithësi fiset ilire nuk kishin një kult të zhvilluar dhe të përhapur të gjarpërit, siç e kanë pasur grekët e vjetër. Me gjithë këtë, në disa krahina të truallit shqiptar jeton edhe sot besimi që gjarpëri është shpirti i stërgjyshërve, ose midis shqiptarëve të Tetovës zakon i lashtë i mbledhjes së petkave të nuseve shterpe për t`i vendosur në fillim të pranverës në një lëndinë të bukur në mes të pyllit. Atje burrat e fshatit hedhin gjarpërinj mbi këto petka, të bindur që gjarpërinjtë, me fuqinë e tyre misterioze, do t`i pllenojnë nuset përkatëse duke bërë dredha mbi rrobat e tyre. Të dy besimet e kanë gurrën e tyre në mitin më të lashtë ballkanas mbi prejardhjen e botës. Miti i përket shtresës më të vjetër të miteve greke dhe duket që është me prejardhje pellazge, të cilin e përmend në shekullin 3 para Krishtit Apollonios Rhodios në veprën e tij Argonautika, dhe e trajton me hollësi shkrimtari bizantin me kulturë shumë të gjerë nga shekulli 12 Tzetzes në veprën e tij të shkruar në vjersha Theogonia. Ky mit na tregon që përpara krijimit të botës dhe të gjithësisë, në errësirën e plotë lëvizte ngadalë vetëm Hëna, një grua e bukur e quajtur Euronyme d.m.th. `ajo që ecën larg`, ose `Ajo që sundon gjerësisht`. Në errësirë dhe në të ftohtë ajo u mërzit dhe filloi të mërdhinte. Si mbrojtje kundër të ftohtit dhe mërzitjes ajo filloi të kërcente sa vinte më shpejt. Lëvizjet e saj kanë çuar një erë dhe ajo e dridhte këtë erë për të përdredhur prej saj një bullar, d.m.th. një gjarpër të madh, Omphionin. Dhe ajo vazhdoi të vallëzonte me një ritëm edhe më të shpejtë, gjersa vallja e saj ndezi epshin e bullarit, i cili e pushtoi dhe e pllenoi. Pastaj Euronymeja u bë një pëllumb dhe polli disa vezë, nga një vezë për secilin planet. Me lindjen e perëndive edhe Euronymeja bashkë me Ophionin kanë hyrë në Olymp, ku Ophioni filloi që të mburrej që gjoja ai do të kishte krijuar botën dhe gjithësinë. Me të dëgjuar kapadai1lëkun e bullarit, Euronymeja e inatosur e ka shtypur me këmbë kokën e bullarit kryelartë, dhe nga dhëmbët e tij të rënë janë lindur njerëzit e parë, pellazgët.
Këto dëshmi na tregojnë që stërgjyshërit e shqiptarëve kanë përvetësuar mjaft nga toponimia dhe nga besimet e gjetura në atdheun e tyre të ri, duke i ruajtur edhe mbas kthimit të tyre në fenë e krishterë si pjesë organike të jetës së tyre. Ky qëndrim konservator vihet re edhe në fushën e huazimeve latine. Midis këtyre shembulli më i rëndësishëm na duket që të jetë emri i ditës së shtatë (ose i ditës së parë) të javës. Duke nënvizuar faktin që të gjitha gjuhët neolatine kanë marrë emrin latin të kësaj dite si e kanë përdorur të krishterët e parë, në format e tij përkatëse: domenica (italisht), dimanche (frëngjisht), domingo (spanjollisht), duminidi (rumanisht) etj., kurse shqipja e ka marrë si kalk emrin e ditës nga kalendari romak pagan: dita e diel (dies Solis latinisht), një dëshmi e padiskutueshme e faktit që shqiptarët i kanë huazuar fjalët e para nga latinishtja para lindjes së Krishtit, para përhapjes së fesë së re në Gadishullin Ballkanik. Profesori Zef Mirdita, në monografinë e tij të re Krishtenizmi ndër shqiptarë (Prizren-Zagreb, 1998), na mëson që apostulli Pal predikonte në vitin 57 në qytetin e Dyrrachionit, d.m.th. fjala shqipe dita e diel është një kalk, data e lindjes e së cilës duhet vënë në shekujt e parë para lindjes së Krishtit, në çdo rast ajo nuk ka hyrë në shqipen pas shekullit 1. p. Kr.
Ju kemi mbledhur vetëm një grusht dëshmish nga fusha e shkencave të ndryshme për t`i bindur hulumtuesit në vendet e ndryshme të cilët kanë ndër mend që të farkëtojnë ndonjë hipotezë të re mbi prejardhjen dhe lindjen e shqipes që asnjë përpjekje e tyre nuk do të shpëtohet nga dështimi i pashmangshëm në qoftë se para formulimit dhe botimit të saj ata nuk do të vënë re këta qirinj dhe në dritën e tyre të vërtetën e padiskutueshme: shqipja është një gjuhë e lashtë në Ballkan, një nga çuditë e pakuptueshme të botës. Si, në ç`mënyrë, me çfarë mjetesh u ka bërë ballë me sukses ajo ndikimit asgjësues të greqishtes (të helenizmit), të latinishtes (të romanizimit) dhe të sllavishtes së vjetër? Shpjegimi dhe shkoqitja e kësaj enigme, me gjithë që kërkon shumë durim mundime, na premton patjetër përfundime më të vlefshme, përfundime që janë njëkohësisht ndihmesa të reja për të rindërtuar rrugën e humbur në mjegullat e kohëve parahistorike, rrugën e përshkruar nga shqiptarët që nga djepi i tyre deri në paraqitjen e tyre në dritën verbuese të skenës së historisë. Përfitoj nga rasti i volitshëm për t` ju ftuar të gjithë që të vazhdojmë bashkë shkoqitjen e kësaj enigme fantastike.
Ligjëratë e Ishtvan Schutz e mbajtur në Seminarin XX Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare.