Albspirit

Media/News/Publishing

Peleshi shkarkon drejtorin e dënuar si falsifikator

Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi shkarkoi sot kreun rajonal të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit në Korçë. Shkarkimi i tij erdhi pas denoncimit të bërë publik për implikimin e drejtorit të Bordit të Ujit dhe Kullimit të Korçës Nexhip Merolli.

“Duke marrë në konsideratë faktin e bërë publik, se drejtori i Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit për rajonin Korçë – Elbasan – Berat, rezulton fajtor me një vendim të formës së prerë, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, vendosi largimin e tij të menjëhershëm nga detyra”, thuhet në njoftimin për shtyp të kësaj ministrie. “Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, thuhet më tej në njoftim, falënderon dhe inkurajon çdokënd që hedh dritë mbi fakte të kësaj natyre, në funksion të moscënimit të figurës së zyrtarit të shtetit nga asnjë hije e të shkuarës në raport me ligjin”.

Ndërkohë, jo më larg se data 21 dhjetor 2017, kishte qenë Niko Peleshi i cili kishte firmosur emërimin e këtij drejtori, i cili nuk mbushi më shumë se 40 ditë në këtë detyrë.

Me herët gjatë ditës se sotme ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së që ka denoncuar rastin në fjalë. Endrit Brahimllari ka publikuar në faqen e tij në Facebook disa dokumente për të Nexhip Merollin, e emëruar vetëm pak ditë më parë drejtor i Bordit të Kullimit për Rajonin Korçë-Elbasan-Berat. Merolli mësohet se është i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Korçës, por kjo nuk e ka ndaluar kryeministrin ta emërojë në postin e rëndësishëm, shkruante Brahimllari.

Please follow and like us: