Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI: LABIN NUK U MPOSHTËN PLAGËT E LUFTËS

 

 

(Kushtuar partizanit lab Mato Mato që u shua nga plagët e LANÇ, në moshën 27 vjecare, më 17 Prill 1946)

 

 

Bijtë e Labërisë luftën dhe luftrat i kanë parë shekujve si detyrë për të mbijetuar përballë pushtimeve. Lebërit ishin kthyer nëpër shekuj si profesionistë të luftrave, një “kastë luftëtarësh me armë në dorë”. Kështu kanë vepruar Fushëbardhasit, e krejt lebërit edhe në Luftën e Dytë Botërore. Bijtë e bijat e saj vrullshëm mbushën rreshtat e çetave, batalioneve e Brigadave partizane. Fushëbardha i ka falur atdheut dhjetra dëshmorë edhe në periudhat historike kur shteti ka qenë një “nocion gjeografik”.

Vitet e luftës antitanzimat me osmanët më 1847, më 1852, në luftën e Lëkurësit (Sarandë) dhe Janinë më 1978, më 1913, në Luftën e Skërficës më 1914, në luftën e Vlorës më 1920 e sidomos gjatë LANÇ në vitet 1939-1944 janë që të gjitha epope guximi e trimërie. Një ndër luftëtarët partizanë që i bënte nder Fushëbardhës e gjithë krahinës e trevës labe ishte partizani i orëve të para Mato Mato.

Të dhënat dokumentare flasin se, luftëtari Mato Serjan Mato u lind në Fushëbardhë të Gjirokastrës në nëntorin e vitit 1919. Ai ishte fëmija e parë i familjes së thjeshtë fushëbardhase në zemër të maleve të Labërisë. Emri i tij është gdhendur në çdo zemër të fushëbardhasve dhe të mbarë Labërisë. Mato Mato dhe gjithë të rënët për Atdheun janë krenaria shqiptare për sot, për mot dhe përgjithmonë. Emrat në lapidar janë shumë pak.

Familja ku u lind Matua ishte një familje me tradita të shquara luftarake, atdhetare, patriotike e liridashëse. Të parët e tij kishin luftuar historikisht me osmanët, andartët grekë e më tej edhe me pushtuesit italianë e gjermanë. Aktiviteti i tij edhe pse në moshë fare të re që me njësitet guerile të krahinës dhe ngeli në memorie dhe në këngët e popullit si luftëtar profesionist që e kishte trashëgimi brezash.

Frymë e luftës për liri ishte fryma e gjithë lebërve të lindur e të rritur “për pushkë”. Fushëbardha ishte një nga fshatrat e Labërisë që mbushi vrullshëm rreshtat e çetave, batalioneve e Brigadave partizane. Fushëbardha i ka falur atdheut 15 dëshmorë në vitet e luftës antifashiste nacionalçlirimtare. Gjatë LANÇ në vitet 1939-1944, një ndër luftëtarët partizanë që i bënte ndër Fushëbardhës e gjithë krahinës e trevës labe ishte partizani i orëve të para Mato Mato.

Matua në moshën 23 vjeçare, pasi kishte kryer detyra në interes të lëvizjes nacionalçlirimtare në fshat e krahinë, mori vendimin të dilte partizan, vendim që gjeti përkrahjen e babait të tij. I rritur dhe i pjekur para kohe për të qenë në radhët e rreshtave partizane atje ku e kërkonte zëri i arsyeshëm i atdheut me trupin e tij si div u rreshtua atje ku e thirri zëri i arsyes dhe këshilla e babait.

Pas pjesëmarrjes në njësitet guerrile krahinore më 12 dhjetor 1942, u bë pjesë e  çetës së parë partizane që u ngrit në Fushëbardhë, çetë që mori emrin e luftëtarit të shquar të lirisë “Çerçiz Topulli”. Kjo çetë e filloi aksionin që në ditët e para në Rrëzomë, në Krahinën e Kardhiqit e deri në Konispol. Me partizanët e vjetër e me eksperiencë ishte bashkuar edhe Mato Mato, i cili do të dallohej që në fillim të aksioneve si një ndër partizanët më trima e më të shquar të kësaj çete me emër.

Më vonë Mato Mato si partizan që nga fillimi me armë në dorë më 13 prill 1943 në Cepo pranë Plesatit u rreshtua në batalionin territorial ku nga Fushëbardha ishin 72 luftëtarë që nga komandanti Karafil Bello dhe shumë trima të tjerë si Sami Golemi, Mato Mato, Nishat Çarçani, Hodo Basho, Tafil Lagji, Dino Meçani, Destan Nora, Ferik Shalari, Maliq Cama, Shefqet Golemi, Neshat Kondi, Hodo Basho etj. Mato Mato me trup të bëshëm dhe i pjekur para kohe nga hallet e jetës ka qenë luftëtar i denjë i batalionit partizan territorial i krahinës së Kardhiqit me komandant Karafil Bellon nga Fushëbardha dhe zv/komandant Xhipe Kozaku.

Muajt do të kalonin të mbushura me beteja me armikun, dhe më 7 gusht 1943 krijohet batalioni “Asim Zeneli” tek rrepet e Kardhiqit si njësi e mëdhe partizane të krijuar me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH. Mitralieri Mato Mato në batalionin partizan “Asim Zeneli”, tregoi trimëri të rrallë dhe u plagos dy herë por nuk u tërhoq nga fronti i luftës. Plagën e parë e ka marrë në luftimet në rajonin e Libohovës. Plagët do të shëroheshin bashkë me shqipërinë e lirë u thoshte shokëve. L

ANÇ mori hov të madh veçanërisht në vitet 1943-1944. Matua ishte bërë kështu një luftëtar profesionist në radhët e rreshtave partizane. Në maj të vitit 1944, vetëm katër ditë përpara se të fillonte punimet Kongresi i Përmetit, pikërisht më 20 maj 1944, rreth 600 partizanë e partizane të ardhur nga Zona e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër, u mblodhën në Sukë të Përmetit dhe krijuan Br12S. Komandant kishte Refat Bajramin e Komisar Qemal Klosin. Detyra e parë e Br12S ishte mbrojtja e punimeve të Kongresit, prandaj emri i kësaj brigade është i lidhur me Kongresin e Përmetit ndaj dhe thirret “Brigada e Kongresit”, kështu do ta njihte historia. Brigada bëri organizimin e saj duke i ndarë forcat luftarake në 4 batalione, ku në këtë brigadë karakteristike ishte pjesëmarrja masive e vajzave partizane, që në fillim ishin 50 dhe që më vonë numri arriti në rreth 200 partizane, të cilat luftuan trimërisht për atdheun. Brigada u rrit në 670 partizanë nga të cilët 200 nga Gjirokastra dhe mbi 400 nga Vlora e Mallakastra.

Në Përmet partizani Mato Mato u takua me 26 bashkëfshatarë fushëbardhas, që luftonin në të njejtën njësi luftarake si: Mehmet Tafil Lagji, Cirok Cama, Guxho Muho, Maksut Muho, Fejzo Kapo, Sako Mullai, Shefqet Golemi, Ramiz Cama, Aqif Bello, Avni Bello, Boço Muho, Baxhul Nora, Rauf Basho, Musto Zani, Lufto Bello, Rabihe Caca, Sako Meçani, Laze Muho, Ramo Nora, Sorush Bineri, Shefqet Deçka, Shega  Onjea, Nuri Çarçani, Amzo Muho, Dife Maçi dhe Hodo Basho. Br12S në Operacionin armik të Qershorit 1944, përballoi detyra të rëndësishme duke vepruar në Berat e Skrapar, në luftimet e Tendës së Qypit dhe Qafës së Kiçokut, në Tepelenë, Kurvelesh, Vlorë, Llogara, Himarë etj, ku Mato Mato dhe partizanë të tjerë të kësaj brigade shkruan faqe heroizmi e lavdie.

Në betejën e  Tendës së Qypit merr edhe plagën e tretë por partizani fushëbardhas Mato Mato ngeli i papërkulur. Plagët e tij edhe pse rridhnin gjak nuk e mboshtën deri në ditën që pa lirinë më 29 nëntor 1944. Respekti për ata që sollën lirinë që dhanë gjithçka për çlirimin e Shqipërisë nuk do të rreshti asnjëherë. Mato Mato dhe gjithë luftëtarët e Br12S do të kujtohen gjithënjë nga pasardhësit e veteranëve të partizanëve e partizaneve që janë ndarë nga jeta, nga Organizata e Veteranëve dhe e dëshmorëve, në emër të etërve, të nënave, gjyshërve e gjysheve që mbajnë lart idealet e luftatarëve për liri.

Mato Mato dhe Brigada 12 Sulmuese janë shkëlqim në gjoksin e atdheut, janë nderi dhe krenaria e kombit që dolën malit për liri jo për dekorata e shpërblime, por për një ideal të madh të lirisë së kombit. Ata dëshmuan trimëri e mbetën simbole të trimërisë, sakrificave dhe heroizmit në shërbim të Atdheut e lirisë. Prandaj ne kemi detyrimin e respektin e nderimit të tyre, nderimin e gjakut të derdhur për atdhe. Në Br12S, Mato Serjan Mato, partizanët që janë gjallë të kësaj brigade e mbajnë mend si komandant toge që nuk ju nda armës së tij të preferuar mitrolozit, si një luftëtar me aftësi të spikatura si shënjues.

Pas çlirimit të vendit Mato Mato është dekoruar nga Ministria e Mbrojtjes si “shënjues”, “luftëtar i dalluar” dhe medalje të tjera që flasin për trimërinë dhe heroizmin gjatë luftës partizane.  Luftëtari i rreshtave të para partizane Mato Mato, ndërroi jetë në moshën 28 vjeçare prej plagëve më 17 prill të vitit 1946. Plagët e Mato Matos flasin përjetësisht,  kujtohen e nderohen përjetësisht, ato plagë të marra në betejat e luftës për liri e çlirim të Atdheut tonë të shtrenjtë.

Partizani Mato Mato tregoi trimëri e shkathtësi në fushëbatejat dhëmbë për dhëmbë me armikun. Ai tregoi gjithashtu aftësi për të ndihmuar shokët e plagosur, veti që ia jepte edhe zemërmirësia dhe dashuria për shokët, por edhe aftësia për të mbajtur e transportuar shokët e plagosur si rrezultat i fuqisë trupore të fizikut të tij si trupmadh dhe i shëndetshëm. Tani është koha për reflektim. Partizani që u shua nga plagët edhe pse e ka merituar prej dekadash titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”, procedurat ligjzbatuese ende nuk e kanë marrë në shqyrtim, njërin prej bijëve më të mirë të Fushëbardhës, krahinës lavdiplote të Kardhiqit si dhe krejt trevës së Labërisë, një bir që plumbi i hasmit nuk ja mori jetën në mënyrë të menjëhershme por që me plagët në trup shijoi ditën e lirisë por nuk gëzoi jetën.

Fakt është se Mato Serjan Matos rezultonte luftëtar partizan sipas regjistrimit të Komitetit të Veteranëve të LANÇ të Gjirokastrës, firmosur nga ish-kryetarja Vera Sako me nr. Rregj.423. Ai u shua nga plagët e gjakosura të luftës në moshë fare të re 27 vjeçare duke lënë në pikëllim gruan dhe një vajzë të vogël 3 vjeçare. Mato Mato në më shumë se shtatë dekada është nderuar si luftëtar i rreshtave partizane njësoj si dëshmorët nga strukturat në Tiranë e rreth por ende nuk i është akorduar statusi i merituar “Dëshmor i Atdheut”. Çdo 5 maj familja e tij nderohej e respektohej si gjithë dëshmorët e tjerë, sepse gjakun e derdhi betejave heroike të luftës dhe u shua përfundimisht në Fushëbardhën e tij të dashur.

Titulli i shenjtëruar “Dëshmor i Atdheut”, është pikërisht për bijtë që derdhin gjakun për Atdheun. Tre plagët e luftëtarit partizan Mato Mato nuk ja morën dot jetën në mënyrë të menjëhershme por e lanë që trimi të luftonte edhe me armikun edhe me plagët, sepse labin Mato Mato nuk e mposhtën plagët e luftës. Ai u shua për Atdheun dhe mbeti përmbi shtatë dekada dëshmia e plagëve që rrjedhin gjak për Fushëbardhën dhe gjithë trevën e Labërisë.

Please follow and like us: