Rihapen në Kubë shtëpitë e dashurisë
Strehat e dashurisë shtetërore do të rikthehen për t’u dhënë pak intimitet atyre çifteve, të cilët jetojnë me të paktën tri breza të afërmish. Këto janë shtëpitë e dashurisë, të marra me qira me një kosto prej pesë dollarësh për tre orë, një e gjashta e pagës mesatare prej më pak se 30 dollarësh në muaj.
Siç dihet Kuba është vendi i pasionit. Por ndonjëherë dashuria kushton shtrenjtë. Pesë dollarë për tre orë: ekuivalenti i një e gjashta e pagës mesatare, ose 29.60 dollarë. Ky nuk është çmimi i një prostitute apo hyrjeje në një bordello, por tarifa e shtëpive të dashurisë, aty ku çiftet zakonisht ndajnë shtëpinë me të paktën tri breza të të afërmve, më në fund mund të gjejnë pak intimitet. Për këtë agjencia shtetërore praktikisht ka vendosur të hapë shtëpitë e dashurisë, motele me dhoma me qira me orë, me tarifa të përballueshme për të gjitha buxhetet.
Kjo nuk është asgjë e re. “Trabajadores”, një gazetë e përditshme shtetërore, shpjegon se “streha” e parë e dashurisë në kryeqytet është “Carabanchel”, e hapur në shekullin XIX në qendrën historike të qytetit, e ndjekur më pas me dhjetëra të tilla, edhe pas ardhjes së revolucionit “Castro”. Në vitet nëntëdhjetë, “për shkak të krizës ekonomike”, pothuajse të gjitha ato ishin shndërruar në strehim emergjent për viktimat e uraganit. Të paktat që mbetën të hapura, me kalimin e kohës vuajtën nga mungesa e mirëmbajtjes dhe për këtë arsye ato u shkatërruan deri në zhdukjen e tyre.
Por pesë dollarë për tre orë privatësie dashurie janë shumë, thotë gazeta e punëtorëve kubanë. Ofrohet ajër i kondicionuar, frigorifer, ujë i nxehtë dhe i ftohtë dhe një rehati e mjaftueshme. Por alkooli jo. Ai paguhet veçmas. Një shishe rumi ka çmim stratosferik. Problemi, tregon gazeta, është se kush nuk mund të përballojë një dhomë me orë të tëra mund të përpiqet të gjejë alternativa të tjera pa shpenzime, si parqet, shkallët në errësirë, plazhet deri tek i famshmi “Malecon”, bulevardi i Havanës.
Për momentin, shteti do të rihapë vetëm një “strehë”, hotel “Vento”-n. Por në Havana janë në projekt dhe katër të tjera. Ky është një treg mjaft fitimprurës. Klientët janë të dashur sekretë, por edhe çifte në arrati që ikin nga një rrëmujë familjare apo dhe ish të divorcuar të detyruar të vazhdojnë të jetojnë me ishin e tyre për mungesë strehimi alternativ. Të gjithë kubanët mbi tridhjetë vjeç, kujton gazeta, kanë nga një kujtim nostalgjik për puthjen e parë të paharrueshme, dhe të portierit që troket te dera duke i lajmëruar se koha e tyre mbaroi.