Albspirit

Media/News/Publishing

KLD: Hetim disiplinor për gjyqtarin që dha ekstradimin e Seitit

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka nisur hetimin disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Kastriot Gramshin, për veprimtarinë gjyqësore të tij në dhënien e vendimit për lejen e ekstradimit për Nezar Seitin , i cilësuar si financieri i grupit kriminal “Habilaj”.

KLD ka njoftuar opinionin publik se nga shqyrtimi paraprak i ngjarjes, konstatohet se ka vend për fillimin e hetimit disiplinor për të verifikuar dyshimet e arsyeshme të ngritura në media dhe në opinionin publik për shkelje në procedurat gjyqësore të ekstradimit dhe që mund të përbëjnë shkelje disiplinore të gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Nga ankesa publike dyshohet për shkelje të rënda profesionale që diskreditojnë rëndë figurën dhe pozitën e gjyqtarit sipas nenit 140 pika 2 të Kushtetutës (shkelje haptazi e nenit 491 pika 1 shkronja ‘ç’ dhe 498 pika 2 të K. Pr. Penale), të cilat nëse provohen se janë kryer, veç të tjerave përbëjnë shkelje disiplinore të parashikuar nga ligji.

Në përfundim të hetimit disiplinor nga Inspektoriati i KLD-së, publiku do të njihet me rezultatet e tij dhe do të ndiqen procedurat ligjore.

Ekstradimi i Nezar Seitajt, i njohur si financieri i grupit të trafikut të drogës së Habilajve, ka shkaktuar akuza të forta politike. Opozita pretendon se ekstradimi i shpejtë i tij është bërë qëllimisht dhe në shkelje të ligjit.

Please follow and like us: