Komisioni i Kongresit voton për publikimin e memos mbi FBI
Komisioni i Zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve votoi sipas përkatësisë partiake, për publikimin e një dokumenti të hartuar nga ligjvenësit republikanë, që pretendon për një qëndrim të anshëm të Departamentin e Drejtësisë, kundër presidentit Donald Trump.
Dokumenti i hartuar nga kryetari i komisionit, ligjvenësi Devin Nunes, thotë se FBI-ja ka abuzuar me ligjet e përgjimit dhe ka siguruar në mënyrë të gabuar urdhra-mbikqyrjeje, duke përdorur një dosje të paverifikuar lidhur me Donald Trumpin dhe Rusinë, të përpiluar nga ish-agjenti britanik i zbulimit Christopher Steele.
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë i bëri thirrje Kryetarit të Komisionit së Zbulimit të mos e publikojë dokumentin, pasi siç tha, do të ishte një vendim “jashtëzakonisht i pamatur” dhe mund të dëmtonte sigurinë kombëtare dhe hetimet në vazhdim.
Një demokrat i lartë i komisionit Adam Schiff tha se e hëna shënoi një “ditë shumë të trishtuar, në historinë e këtij komisioni duke vendosur interesin personal të presidentit, mbi interesin kombëtar”.
Shtëpia e Bardhë ka sinjalizuar në mënyrë të përsëritur se presidenti është në favor të publikimit të dokumentit.
Sipas ligjit, presidenti ka pesë ditë afat për të vendosur nëse do të lejojë publikimin e dokumentit ose jo.