Rama merr vendimin e madh: Qeveria t’i paguajë Arta Markut qiranë e shtëpisë
Janë publikuar vendimet e Këshillit të Ministrave gjatë ditë së sotme.
Sipas VKM, qeveria ka marrë përsipër të paguajë qiranë e banesës kryeprokurores së përgjithshme Arta Marku, e cila jeton me qira në një apartament në Tiranë.
“Kompensimin, në masën 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë në muaj, të pagesës së qirasë së banesës për strehimin, në qytetin e Tiranës, të prokurorit të caktuar të kryejë përkohësisht detyrën dhe funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm”- thuhet ndër të tjera në vendimin e Këshillit të Ministrave.
V E N D I M
PËR
KOMPENSIMIN E QIRASË SË BANESËS PËR STREHIMIN E PROKURORIT TË CAKTUAR TË KRYEJË PËRKOHËSISHT DETYRËN DHE FUNKSIONET E PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kompensimin, në masën 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë në muaj, të pagesës së qirasë së banesës për strehimin, në qytetin e Tiranës, të prokurorit të caktuar të kryejë përkohësisht detyrën dhe funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm.
2. Pagesa e kompensimit, deri në përfundim të periudhës së përkohshme, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të kryhet çdo muaj, me fondet e buxhetit të miratuar për vitin 2018 për Prokurorinë e Përgjithshme.
3. Shuma e përgjithshme e fondit, që do të përdoret për pagesat e kompensimit, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe të rishpërndahet në buxhetin e miratuar për Prokurorinë e Përgjithshme.
4. Ngarkohen Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA