Albspirit

Media/News/Publishing

Zbulohet kryeministri që merret me sudokun

Ka shumë pak udhëheqës kombesh në botë, të cilët mund të thonë se e kuptojnë me të vërtetë teknologjinë. Por, edhe më të paktë janë ata që mund të kenë shkruar ndonjë kod programimi deri më sot. Megjithatë, ai që sfidon të gjithë të tjerët është pikërisht Kryeministri i Singaporit, Lee Hsien Loong, i cili ka publikuar atë që konsiderohet “source code”, apo bazën e ndërtimit të një programi të krijuar prej tij, në rrjetin social Facebook. Madje, ai shkoi edhe më tej, duke u kërkuar ndjekësve të tij të raportojnë për ndonjë keqfunksionim të programit, në mënyrë që ta përmirësojë atë.

Lee e kishte përmendur programin gjatë një fjalimi të mbajtur në një konferencë të 20 prillit, përpara udhëheqësve të industrisë së Teknologjisë së Informacionit (IT).

“Programi i fundit që kam krijuar ishte një zgjidhës i Sudokut në C++, të krijuar disa vite më parë, ndaj dhe jam disi jo i përditësuar”, tha ai. “Fëmijët e mi janë ekspertë IT-je, dy prej të cilëve të diplomuar nga Instituti i Teknologjisë së Massachusettsit. Ndërsa njëri gjeti një libër dhe më tha ta lexoja”, tha Lee. Ai ishte një libër mbi gjuhën programuese Haskell, siç kujton kryeministri. “Por ai do të jetë libri i parë që do të lexoj pas daljes në pension”.

Pas fjalimit, Lee mori tej mase kërkesa për të zbuluar kodin e programit të tij. Kështu që sot, ai u ka plotësuar dëshirën të gjithëve, duke publikuar një “fotografim” të atij kodi programues, së bashku me një “link” që të dërgon në një direktori të “Google Drive”, ku ndodhet pikërisht ky kod.

“Ky program është bazik. Ai ekzekutohet në ‘command promt’ të MS-DOS-it”, shkroi ai. “E ndërsa ju provoni të shkruani të dhënat rresht për rresht, zgjidhësi do t’ja nxjerrë automatikisht zgjidhjen e Sudokut, si dhe numrin e hapave që programi ndërmori për të gjetur për zgjidhjen, por edhe disa statistika”.

Në fund, kryeministri i Singaporit e mbyll me urimin: “Uroj t’ia kaloni mirë me këtë program të bukur. Por, ju lutem më njoftoni në rast të ndonjë keqfunksionimi të tij”.

Please follow and like us: