Albspirit

Media/News/Publishing

Ç’ndodhi me Detin. A i marrin çamët pronat me heqjen e Ligjit të Luftës?

INTERVISTË – DITA – Në atmosferën e një debati të ndezur furishëm ditët e fundit pas bisedimeve të shefave të diplomacisë shqiptare dhe greke, përfshihet edhe Prof. Ksenofon Krisafi, një nga ekspertët tanë më të mirë për marrëdhëniet ndërkombëtare. Sa të vërteta janë supozimet se pala shqiptare ka shitur sërish hapësirë detare, apo pse nuk ka ngritur çështjen çame në bisedime.

Çfarë thonë Konventa ndërkombëtare “Për të drejtën e detit” ku Greqia dhe Shqipëria janë palë dhe çfarë përfitojnë çamët nga heqja e Ligjit të luftës. Sidoqoftë, Prof. Krisafi thekson se “në Tiranë, Prishtinë, Athinë, Shkup, Podgoricë, Beograd etj, ka ardhur në pushtet një brez politikanësh të rinj, që, pavarësisht nga retorika momentale, duket se priren nga vullneti për t’u bërë interpretë të dëshirës së popujve të vet që duan paqe e  miqësi” duke e konsideruar këtë një zhvillim pozitiv për rajonin e Ballkanit, ndërsa këmbëngul në faktin e njohjes me përmbajtjen e bisedimeve dypalëshe, para se t’i vihet ‘vula’ debatit mbi këtë temë.

-Profesor Krisafi, prej disa ditësh vazhdon një debat lidhur me bisedimet Bushati-Kotzias. Më së shumti flitet se grekët kanë dalë më të fituar nga bisedimet dhe marrëveshjet e arritura. Ju si i konsideroni këto bisedime dhe marrëveshjet e arritura?

– Mendoj se duhet treguar mirëkuptim për shqetësimin e shprehur këto ditë, pas zhvillimit të dy raundeve negociatash në Kretë e në Korçë. Për më tepër që, fraza të shkëputura hera herës nga konteksti i zhvillimeve të plota, shaktojnë sensibilitet në opinionin publik. Atmosfera ngarkohet edhe me mendimin se jo më larg se nëntë vjet më parë, Shqipëria kishte rrezikuar seriozisht të humbiste territor dhe, atëhere, ndryshe nga më parë, me pëlqimin e saj.

Preokupimi që ngjallën informacionet e rrjedhura nga tryezat e bisedimeve, të vërteta ose jo, dhe komentet rreth tyre kanë të bëjnë me faktin se është fjala për diskutime kufijsh në një zonë problematike, e cila ka qenë vazhdimisht objekt pretendimesh territoriale, prej së paku gjysmës së dytë të shekullit të XIX. Prandaj shqetësimi nuk është i qortueshëm. Ai ushqehet edhe nga konfidencialiteti ekstrem që ka marrë trajtat e mungesës së transperencës. Duhet të tregohet mirëkuptim për domosdoshmërinë e një atmosfere konfidencialiteti, por duket se ajo është e tepruar.

Prof. Ksenofon Krisafi

Mendoj se popujt e këtij pellgu të gadishullit të Ballkanit, këto kohë përjetojnë një stinë marrëdhëniesh inkurajuese pozitive. Në Tiranë, Prishtinë, Athinë, Shkup, Podgoricë, Beograd etj, ka ardhur në pushtet një brez politikanësh të rinj, që, pavarësisht nga retorika momentale, duket se priren nga vullneti për t’u bërë interpretë të dëshirës së popujve të vet që duan paqe e  miqësi. Dua të besoj se ata janë ndërgjegjësuar se paqja dhe miqësia nuk arrihen me mentalitetet atavike të së shkuarës, me konceptet e platformave shoviniste, por me kurajo dhe frymë civilizuese që vjen nga qytetërimet perëndimore. Zhvillimet e këtyre kohëve, duket se ecin në këtë rrugë. Ata, nëpërmjet dialogut konstruktiv, kompromiseve parimore, po kërkojnë të heqin vjetërsirat primitive dhe të shohin përpara, për të zgjidhur disa çështje të mbetura si kular në qafën e popujve të tyre. Me këtë optikë i shoh rezultatet e deritanishme të takimeve, vizitave dhe bisedimeve dy e shumëpalëshe të politikanëve të rajonit. Me këtë sy dhe me shpresë për zgjidhje europiane do të doja t’i shihja edhe bisedimet Bushati-Kotzias. Prandaj gjykoj se është detyrë e të gjithëve që t’i përshëndesin, t’i mbështesin dhe t’i përkrahin negociatat dhe negociatorët.

Në bisedime të tilla askush nuk mund të pretendojë të marrë gjithçka, kurse pala tjetër të humbasë gjithçka. E rëndësishme është që ato të zhvillohen mbi bazën e parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare, si barazia, respekti i ndërsjellë i sovranitetit dhe i tërësisë territoriale, mosndërhyrja në punët e brendshme të njeri-tjetrit, bashkëpunimi, fqinjësia e mirë etj., me qëllim që në përfundim të mos ketë të humbur, por vetëm të fituar, popuj që lënë pas të kaluarën konfliktuale dhe gjejnë rugën e miqësisë dhe të ardhmes.

– Mendoni se ka spekulime në debatet që bëhen?

– Duke u kthyer në komentet që bëhen këto ditë nga analistë apo të tjerë njerëz, kam përshtypjen se ka spekulime. Flitet pa pasur ndonjë gjë konkrete zyrtare. Do të ishte mirë që të pritet deri sa të publikohet rezultati, me qëllim që të veprojë më shumë arsyetimi logjik dhe më pak ose aspak imagjinata.

– Sidoqoftë shefi i diplomacisë greke, Kotzias, tha se Greqia ka fituar 12 milje detare…

– Pa dashur të shprehem për thelbin e çështjes, për sa kohë që nuk ka ende diçka zyrtare se ç’është biseduar ose vendosur, nuk ka logjikë të perdoret si argument deklarimi i ministrit grek Kotzias, që pala shqiptare pranoi propozimin për shtrirjen e ujërave tona territoriale deri në 12 milje detare. Sipas nenit 3 të Konventës “Për të drejtën e detit”, nënshkruar në Montego Bay, në dhjetorin e vitit 1982, në të cilën janë palë Shqipëria dhe Greqia, çdo shtet bregdetar ka të drejtë që ta përcaktojë vetë gjerësinë e ujrave territoriale deri në 12 milje detare. Kushdo që është palë në Konventë ka të drejtë ta konformojë legjislacionin e vet me përcaktimet e Konventës. Greqia me Ligjin 230/1936, të vitit 1936 e kishte vendosur gjerësinë e ujërave të veta territoriale në 6 milje detare. Nuk ka pse të pengohet që, kur rrethanat e lejojnë dhe interesat ia kërkojnë, ta bëjë 12, sa e ka fiksuar Konventa. Nëse ajo që atribuohet si deklarim i ministrit Kotzias pranohet si e vërtetë, kuptimi i saj duhet interpretuar logjikisht që kjo gjerësi, normalisht prerogativë e palës greke, do të shtrihet deri në 12 milje detare vetëm në ato segmente të bregdetit grek, përballë të cilave shtrihen hapësira detare, ku gjerësia ndërmjet dy brigjeve është minimalisht më e madhe se 24 milje detare. Nëse është më e vogël, në bazë të nenit 15 të Konventës së Montego Bay, ajo do të përcaktohet me marrëveshje midis tyre. Në varësi të relievit natyror dhe të konfiguracionit gjeografik, në raport me fqinjët përballë ose në krah, do të zbatohen parimi i barazlargësisë (ekuidistancës) ose/dhe i ndershmërisë-drejtësisë (ekitesë). E njëjta gjë thuhet në Konventë edhe për caktimin e kufijve të Zonës Ekonomike Ekskluzive dhe shelfit kontinental midis shteteve përballë ose në krah të njeri-tjetrit.

Po t’i referohemi gjerësisë së ujrave territoriale shqiptare të fiksuar në distancën e 12 miljeve detare, sipas përcaktimit të nenit të lartpërmendur të Konventës Për të drejtën e detit, me logjikën e atyre që flasin me amatorizëm, mund të shtrohet e njëjta pyetje, pse Shqipëria e shpalli në përmasat e 12 miljeve detare dhe kujt i mori lejë? Prandaj do të ishte mirë që secili të qëndrojë brenda profesionit të vet dhe të mos marrë përsipër të shprehet, me “muhabate kafenesh”, për çështje që dalin jashtë caqeve të specialitetit të tij.

Nëse do të vazhdojmë të arsyetojmë sipas “shqetësimit” të shprehur nga ata që kanë folur aq shumë këto ditë, nuk mund të pranohet që Greqia do ta shtrijë gjerësinë e ujërave të saj territoriale nga bregu i Korfuzit në drejtim, le të themi, të Ksamilit, në 12 milje detare. Së parinuk ka hapësirë të mjaftueshme për këtë gjerësi. Së dyti, në bazë të nenit të lartpërmendur të Konventës, këtë të drejtë e ka në të njëjtën masë edhe Shqipëria. Është kjo arsyeja pse ajo që komentohet nga fjala e ministrit Kotzias, e shkëputur nga konteksti i vërtetë i konceptit juridiko-ndërkombetar, duket e pabesueshme.

– Ndërkohë flitet se Greqia ka premtuar heqjen e Ligjit të Luftës me Shqipërinë. A nënkupton kjo se çamët do të përfitojnë tërthorazi të drejtat e tyre pronësore?

– Përsa i përket pyetjes shumë të rëndësishme që shtrohet, me të drejtë nga opinioni i gjerë nëse nga abrogimi i ligjit të luftës përfiton edhe popullsia çame, përgjigja ime është pohuese. Nga pikepamja teoriko-juridike kur u miratua i ashtuquajturi ligj lufte 2636 i datës 10 nëntor 1940, për vendosjen në sekuestro konservativë të pasurive të shtetasve të shteteve armike, i pasuar menjëherë nga dekreti mbretëror i po asaj date, për shpalljen e Italisë dhe Shqipërisë shtete armike, banorët e Çamërisë nuk prekeshin prej tij sepse ishin shtetas grekë, natyrisht me kombësi shqiptare. Pra nuk ishin shtetas shqiptarë, nuk ishin shtetas armiq dhe statusi i pronave të tyre nuk ndryshonte nga aktet e lartpërmendura. Kur ata u dëbuan përdhunisht nën pretekstin absurd të bashkepunimit me gjermanët,  pretekst i hedhur poshtë nga vendimi i gjykatës së diktimit të Janinës, i vitit 1976, autoritetet greke, me akt të posaçëm të vitit 1947 iu hoqën shtetësine greke, duke i lënë pa shtetësi. Me që më jepet rasti të shprehem për këtë çështje, dua të sqaroj se ka disa interpretime ekstreme nga individë, që shprehen kundër aktit të autoriteteve shqiptare që iu dhanë të ardhurve nga Çamëria, en bloc, shtetësinë shqiptare. Pa dashur të bëj avokatin e veprimit të ndërmarrë aso kohe, mendoj se gjithçka duhet të jetë kryer në kushtet e një nevoje ekstreme. Kishin kaluar shumë vjet që këta mijëra njerëz të keqtrajtuar, të përzënë përdhunisht nga trojet e tyre, nën pretekstin e bashkëpunimit me gjermanët, (pretekst i përgënjeshtruar zyrtarisht me vendim tëposaçëm në vitin 1976 nga Gjykata e Diktimit, që hodhi poshtë vendimin e Gjykatës së Janinës për shpalljen e 1930 çamëve fajtorë). Ata jetonin në Shqipëri, pa ndonjë shpresë të afërt riatdhesimi në vendin e tyre, duke mos pasur asnjë shtetësi. Mungesa e saj i privonte nga gëzimi i shumë të drejtave të rëndësishme. Prandaj, me sa duket, për t’iu ardhur në ndihmë, autoritetet shqiptare të kohës, iu dhanë shtetësinë shqiptare.

Tashmë ata janë shtetas shqiptarë. Si të tillë, në kushtet e heqjes së ligjit të luftës, do të kenë më shumë mundësi, të përfitojnë nga zbatimi i angazhimeve të nenit 4 Kodit civil grek, që ka sanksionuar se të huajt në Greqi, gëzojnë të njëjtat të drejta si vendasit. Do ta kenë këtë të drejtë edhe në zbatim të nenit 1 të Protokollit I, të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, ku Greqia është palë. Ai thotë se “Çdo person fizik ose juridik ka të drejtë për respektimin  e pasurisë së tij. Askujt nuk mund t’i hiqet prona e tij veçse për dobi publike dhe në kushtet e parashikuara nga ligji si dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare”.

– Pra heqja e Ligjit të Luftës mga ama e Greqisë, ndonëse shumë me vonesë, dihet të konsiderohet një hap pozitiv në marrëdhëniet midis dy vendeve?

– Abrogimi i të ashtuquajturit Ligj lufte, akt që kur të realizohet zyrtarisht, meriton të përshëndetet, do të krijojë një atmosferë më të favorshme, të shtendosur nga mentalitetet dhe mekanizmat e tij gërryese. Por Greqia duhet të merret edhe me ligjin Nr. 2664, “Mbi kadastrat Kombetare dhe dispozita të tjera”, miratuar në 27 nëntor 1998. Sipas Nenit 9/1 të tij “Pronat e paluajtshme, që nuk janë regjistruar si prona të personave të caktuar dhe në regjistrat e kadastrës figurojnë si prona të privatëve të panjohur, konsiderohen se janë në zotërim të shtetit grek menjëherë me t’u konsideruar regjistrimi si përfundimtar. Në këtë rast, sipas nenit 7, paragrafi 1, në favor të shtetit krijohet prova e pakundërshtueshme.”

Këto veprime duhet të përfundonin brenda datës 5 tetor 1999. Por shtetasit shqiptarë, pretendues të titujve të pronësisë për prona të tyre në territorin grek, të përfshirë jo për faj të tyre, në kategorinë e privatëve të panjohur, sipas termave të Ligjit të mësipërm, do të penalizoheshin ndër të parët dhe rrezikoheshin të zhvisheshin nga të drejtat e pronësisë, sepse, për shkak të vështirësive të ndryshme, kanë mbetur pa bërë regjistrimin e pasurive të tyre në regjistrat e kadastrave kombëtare greke, brenda afateve ligjore.

Heqja e ligjit të luftës dhe abrogimi ose ndryshimi i ligjit të kadastrave të vitit 1998 do të krijonte kushte pozitive dhe do të lehtësonte jetën e njerëzve, duke kontribuar edhe më shumë në përmirësimin e klimës së marrëdhënieve shqiptaro-greke.

 

****

Ksenofon Krisafi është dekan i Fakultetit të Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.  Intervistoi Xhevdet Shehu. Botuar sot në DITA.

 

Please follow and like us: