Albspirit

Media/News/Publishing

Ekstradimi i Seitit, Manjani: “Shpejtësia” e firmosjes së urdhrit është prova, Gjonaj pjesë e skenarit

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, me anë të një statusi të gjatë sqarues në “Facebook” ka folur me detaje në lidhje me ekstradimin e Nazer Seitaj. Sipas Manjanit, firmosja me urgjencë e urdhërit të ekstradimit, tregon se e gjitha kjo është pjesë e një skenari të mirëmenduar, pjesë e të cilit është edhe Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

“Shpejtësia” është prova…. Ekstradimi i Nazar Seitit është më i shpejti i bërë ndonjëherë. Ka disa fakte kokëforta që flasin shumë. Më datë 10.01.2018 Prokuroria e Përgjithshme i ka referuar zyrtarisht praktikën e ekstradimit Ministrisë së Drejtësisë. Ministrja e Drejtësisë e firmos ekstradimin me datë 11.01.2018!!! Kulmi i shpejtësisë! Vetëm një ditë! Po me datë 11.01.2018 Ministria e Drejtësisë njofton Italianët që të vijnë e ta marrin! Italianët e kanë marrë personin me datë 25. Natyrisht ata e kishin me nge, se nuk ishin pjesë e lojës”, shprehet Manjani.

Më tej ish- ministri i Drejtësisë ngre pyetjet se “Çfarë tregon kjo shpejtësi në vendimmarrje?” Më pas ai shpjegon edhe arsyen se kjo për të është thjesht nevoja për të larguar sa më shpejt një “siklet”

“Mesa duket ai vërtetë ka dashur të rrëfehet! Praktikisht, firmosja me sy mbyllur e ekstradimit nga ana e Ministres, tregon se ajo ka qenë pjesë e një skenari të organizuar mirë! Nuk është ajo drejtuesja e këtij operacioni kriminal kundër drejtësisë! Jo! Ajo është pjesë. Detyra e saj ishte të firmoste me shpejtësi një “praktikë që po vjen nga Prokuroria”. Kështu funksionon zbatimi i porosisë “nga lart”… Kjo shpejtësi nuk e ka lënë dot as të mendojë e jo më të verifikojë, personelin e Ministrisë që merret me këto praktika! Meqë ra fjala, asaj zyre nuk i shket asgjë! Por nëse nuk i lihet koha e domosdoshme për verifikime, ata smund të garantojnë dot asgjë”, shton ai.

Manjani sqaron më tej se ligji lejon një periudhë 30 ditore ministrisë pikërisht për të bërë verifikimet e nevojshme dhe sipas tij për çdo person që gjendet në burg, pyetet administrada e burgjeve.

“Që ta mësojë zonja Ministre! Por Ministrja e ka mbyllur vetëm për një ditë! Kështu e ka pasë “porosinë”! Prokuroria, edhe ajo veproi në kohë rekord sipas të njëjtës “porosi”, është vendi ku u gatua gjella e Ekstradimit! Mbyllën fët e fët, pa asnjë apel procesin e ekstradimit në gjykatë! Injoruan tërësisht punën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe ja cuan dokumentat e pa verifikuara… Pra shpejtësia ishte mjeti që “hutoi” specialistët dhe prokurorët e thjeshtë! Ata nuk patën kohën e nevojshme që jep ligji për verifikime të nevojshme”, shkruan Manjani.

Më tej ai thekson se “Mbledhjen e informacionit nga prokurori të ndryshme e ka detyrë ekskluzive Prokurori i Përgjithshëm! Askush tjetër në prokurori! Por “shefet” (Prokurorja dhe Ministrja) e dinin shumë mirë se cfarë po bënin, sepse “porositësi” është i njëjtë! Ndaj smund të lejonin verifikime të mëtejshme. “Porositësi” donte me çdo kusht të largonte “sikletin” sepse po fliste… Paradoksi është se ne presim që Prokuroria të arrestojë veten dhe “porositësi” të shkarkojë ato që i urdhëroi të kryenin krimin! E pamundur! Duhet rrugë tjetër…”.

Please follow and like us: