Albspirit

Media/News/Publishing

“Kadare dhe regjimi komunist”, 101 dosje nga aparati diktatorial shtetëror

Libri “Kadare dhe regjimi komunist”, me autor Dashnor Kaloçi është promovuar ditën e sotme. Një libër me 101 dosje nga aparati diktatorial shtetëror të periudhës nga 1959-a deri më 1991 –shin.

 Ky libër synon të hedhë dritë mbi raportin e regjimit me artin e kulturën, duke u ndalur posaçërisht te shkrimtari Ismail Kadare.

Spartak Ngjela, i cili ka shkruar edhe parathënien e këtij libri tha se ky libër eliminon mediokritetin e atyre që kanë folur kundër shkrimtarit dhe veprës së tij. “E rëndësishme të thuhet është se çdo shkrimtar i madh ka pasur një konflikt të brendshëm, është lufta e përjetshme e mediokrit me talentin e madh. Është lufta e talentit me ambicien e të dështuarve. Ka një qëllim për të errësuar vlerat kombëtare shqiptare që është një tendencë e vjetër e kundërshtarëve tanë”- tha Ngjela, duke theksuar se ende në Shqipëri nuk kemi një studim të mirëfilltë shqiptar për veprën e Kadaresë.

Ndërsa, Gentiana Sula, Drejtoresha e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-sigurimit të shtetit foli mbi përpjekjet e shoqërisë për ta parë thellë çështjen e hapjes së dosjeve.

“Kadare ka qenë i pari që ka ngritur zërin për një shkëputje morale me të shkuarën nëpërmjet hapjes së dosjeve në vitin 2006, kur Këshilli i Europës nxori një rezolutë të fortë për kohën dhe ai është nga ato figura që diti ta lexojë, përkthejë dhe la disa porosi si duheshin bërë hapjet e dosjeve. U deshën më shumë se 12 vjet përpjekje të shoqërisë që nuk reshtën, e as qytetarët nuk reshtën së dëshiruar dhe porositë e tij u vunë në vend”,- tha Sula, duke shtuar se në ligjin e dosjeve kuraja qytetare e Kadaresë është e përkthyer në aktet dhe nenet.

“Kuraja e tij qytetare nuk reshti edhe kur qe ndër të parët njerëz që bëri aplikimin në institucionin tonë për t’u njohur me dosjet e tij dhe autorizoi qendrën e studimeve Kadare që të ishte agjent i kërkimit shkencor për të punuar me dosjet e tij”- tha Sula, ndërsa tregoi materialin e mbledhur nga arkivi i ish-Sigurimit, ku përmendet emri i shkrimtarit Ismail Kadare.

“Unë e kam këtu dosjen, po të ishte këtu shkrimtari do ia dorëzoja, por ende nuk do ia jap qendrës, do pres shkrimtarin, pro doja ta ndaja me ju që po e kryejmë këtë proces. Dua t’i them qendrës dhe autorit që puna nuk ka mbaruar, besoj se të tjera materiale do të dalin”.

Please follow and like us: