Albspirit

Media/News/Publishing

Monika Shoshori Stafa: Libri “Kadare dhe regjimi komunist” është një mision

Ky libër, një mision. Një e vërtetë e parë mes dokumentesh, letrash shkresore dhe jo vetëm, por dhe fakteve.

Mua më pëlqen t’u referohem shifrave në punën time për të arritur në përpunimin e mendimeve deri te një analizë, e nisur nga kjo, mendoj se ky libër ia ka dalë objektivit të tij.

Të paraqesë shkrimtarin në raport me diktaturën aty ku duhej, dhe si ai është vendosur. Janë të ndarë në grupe ata që e duan shkrimtarin dhe ata që hedhin baltë ndaj tij. Kjo që është botuar tashmë nuk është një e vërtetë e fshehur, është një e vërtetë e publikuar si çdo krim, i cili mundohet të fshihet. Fundja sa shumë krime janë munduar të fshihen gjatë kohës së komunizmit?!

Autori i librit, Dashnor Kaloçi është një ‘murg’ arkivash. Kur punoja temat e mia mbi dokumentarët historikë në arkiv apo kur kërkoja në arkiva mbi doktoraturën time, e shihja gati për çdo ditë Dashin dhe çdo orë.

Ajo që vura re më pas gjatë punës me të, mund të them se Dashi ishte i pangopur në sjelljen e të vërtetave të vogla për një ngjarje, derisa ndërtonte si në një puzzle atë të madhen. Kështu ai pati durimin, të ndërtojë këtë libër me të gjitha ngjyrat e errëta të një tiranie të pashembullt që u ndërtua në Lindjen komuniste; nga pothuaj të gjitha kategoritë, që nga intelektualët që e sulmonin Ismail Kadarenë, e deri tek dosja që iu hap nga Sigurimi i Shtetit, Policia Sekrete e shtetit shqiptar. Me këtë libër Kaloçi, sjell ngjarjen e plotë që në shtyp ka 27 vjet që publikohet e paplotë, vetëm gjysma e saj, njëra pjesë e qëllimtë apo vetëm njëra anë e skajshme e saj.

Papa Françesku në një dalje publike në Vatikan, aty nga muaji tetor, mbi fake news, tha se; publikimi apo raportimi i shkrimeve apo i librave me artin e një misionari për të vërtetën e plotë, të bën të shenjtë. Ndaj ka dhe një ditë të të shenjtit të gazetarëve dhe shkrimtarëve, të atyre që këtë profesion e shohin si mision, është 24 janari. I shenjti që i prin këtyre njerëzve që punojnë me këtë qëllim është, Francis de Sale, që papa Piu i 11-të e shpalli të shenjtë në 1923.

Gazetarët theksoi më tej Papa Francesku në fjalën e tij, ne e dimë që priren drejt arrogancës, kërcënimit dhe padurimit të zbrazët për të botuar të vërteta të paplota. Dashi është e kundërta; me mirësinë njerëzorë, durimin kalorësiak dhe urtësinë prej fëmije, megjithëse në profesion gazetar prej 27 vjetësh, sjell një libër shumë të rëndësishëm, me peshë historike para lexuesit shqiptar, por së pari para studiuesve të letërsisë dhe jo vetëm; para historianëve që studiojnë totalitarizmin shqiptar, i cili ka qenë një model unik në pjesën lindore të kontinentit.

Përveçse është një libër që ka përmbushur një mision, atë të së vërtetës së plotë, ndër të tjera ai ka dhënë shembullin për të ecur në rrugën e gjatë e të vështirë të njohjes së të kaluarës komuniste në Shqipëri, sidomos tek brezat e rinj. Hyrjes në rrugën e përpunimit të të dhënave që na japin dokumentet dhe artefaktet që shoqërojnë këtë dosje, por jo vetëm, modelin, se si ne, na duhet të shkundemi nga një e kaluar e përbashkët e errët; të gjithë sa jemi e të mos jemi më, peng i saj. Shqipëria po ecën drejt në një rrugë tjetër, atë të Shqipërisë që thërrisnin në majin e vitit 1973, kryengritësit në revoltën e burgut të Spaçit; Shqipërinë që e duam si gjithë Europa.

Edhe diçka të fundit; në Bibël ka një shprehje; shumë janë të thirrurit, por pak të zgjedhurit. Kadare provoi me këtë libër, se ishte i thirrur të ishte një yll në yjësinë e botës shqiptare dhe sado baltë të hidhen mbi të, sa herë afron stina e shirave, atij emri i ishte dhënë bekimi i Hyjit për të qëndruar me dinjitet në historinë e kombit shqiptar dhe shqiptarët për ta pasur si hero të fjalës mes vetes.

(Fjala e mbajtur në promovimin e librit “Kadare dhe regjimi komunist” në Universitetin Europian të Tiranës)

Please follow and like us: