OKB kërkon nga Teherani gjykim të drejtë për të krishterët
Katër ekspertë të të drejtave të njeriut në Kombet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Iranit të sigurojë “seancë të drejtë dhe transparente”, për tre iranianë të krishterë të cilën pritet të dalin para Gjykatës Revolucionare të Teheranit këtë vikend.
Pastorët, Victor Bet Tamraz, Amin Afshar Naderi dhe Hadi Asgari, janë dënuar në mes të 10 dhe 15 vjetëve burgim për një numër akuzash duke përfshirë “drejtimin e aktiviteteve ungjillore dhe atyre të kishave nëpër shtëpi”, kanë thënë ekspertët e pavarur përmes një deklarate.
Këta persona pritet të paraqiten më 4 shkurt para Gjykatës Revolucionare të Iranit, e cila ka fuqi të mbyllë rastin, të konfirmojë dënimet apo të dërgojë rastin në Gjykatën Supreme.
Ekspertët e OKB-së për situatën e të drejtave të njeriut në Iran, së bashku me ekspertët për lirinë fetare kanë thënë se akuzat dhe dënimet janë “në kundërshti të plotë” me oligimet e Iranit sipas ligjit ndërkombëtar.
“Ne jemi të shqetësuar për mungesën e qasjes në kujdesin shëndetësor për këta persona derisa janë të ndaluar, sidomos për gjendjen shëndetësore të Asgarit që tani është në burg”, kanë thënë ata.
“Anëtarët e minoritetit të krishterë në Iran, sidomos ata që janë konvertuar në këtë besim janë duke u përballur me diskriminim dhe persekutim fetar”, kanë thënë ata.
Ekspertët po ashtu i kanë bërë thirrje qeverisë që menjëherë të lirojë të gjithë ata persona që janë arrestuar apo ndaluar sepse kanë ushtruar të drejtën e tyre për liri apo besimin në fenë që kanë zgjedhur.