OKB: Koreja V. ka transportuar thëngjill të ndaluar në Rusi e Kinë
Një raport i Kombeve të Bashkuara pretendon se Koreja Veriore ka transportuar mallra të ndaluara në disa shtete, duke përfshirë Rusinë gjatë vitit 2017.
Me këtë hap është thënë se Koreja Veriore ka arritur të ketë 200 milionë dollarë të hyra.
Një panel i ekspertëve ka thënë se në raportin që është parë nga mediat amerikane, thuhet se Pheniani ka shkelur sanksionet e OKB-së, duke transportuar thëngjill, hekur, çelik, dhe disa mallra tjera që janë të ndaluara nga kjo organizatë për Korenë Veriore.
Në raport është përmendur transportimi i thëngjillit në Rusi, Kinë, Malajzi, Korenë Jugore dhe Vietnam me anë të anijeve, “duke përdorur teknika të ndryshme”.
Transportimet janë kryer duke përdorur dokumente false, të cilat e kanë paraqitur Rusinë dhe Kinën si vende të origjinës, në vend të Koresë Veriore.
Paneli i OKB-së, po ashtu ka hetuar rastet e tranfereve të produkteve të naftës, anije-anije, në kundërshtim me sanksionet e vëna, duke thënë se “rrjeti mbrapa këtyre anijeve është në provincën Tajvan të Kinës”.
Pheniani “ka vazhduar me eksportimin e pothuajse të gjitha mallrave të ndaluara me rezolutë, duke siguruar të hyra gati 200 milionë dollarë në periudhën janar-shtator 2017”, është thënë në raport.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së më 2016 dhe 2017 ka miratuar një seri rezolutash për të ashpërsuar ndalimet e ekporteve për Korenë Veriore.
Ekspertët po ashtu kanë gjetur të dhëna të bashkëpunimit të Koresë Veriore për zhvillimin e programit të armëve kimike të Sirisë, dhe sigurimit të raketave balistike për Burman.
Këshilli i Sigurimit ka sanksionuar shtatë anije për transferim të paligjshëm të thëngjillit dhe naftës së Koresë Veriore.
Koreja Veriore ka zemëruar komunitetin botëror duke vazhduar testimin e armëve bërthamore, duke thënë se SHBA-ja është nën rrezën e raketave të këtij shteti.