Pakti detar, Xhufi: Kotzias “u hodhi një kockë” grekëve
Historiani i njohur, Pëllumb Xhufi sqaroi dje, se deklarata e ministrit të Jashtëm grek Kotzias është një “kockë” që ai ka dashur t’ia hedhë opinionit grek që është “fanatikisht nacionalist, helenocentrik”. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ndërsa justifikon qeverinë shqiptare se në këtë fazë ajo duhet të ruajë konfidencialitetin, Xhufi shprehet: “Përcaktimi i kufirit detar në vijën e 12 miljeve është një cak i vendosur nga Konventa e OKB mbi detin, e ashtuquajtura Konventa e Montego Bay-t e vitit 1982, së cilës u detyrua t’i përmbahet edhe qeveria e Enver Hoxhës duke hequr dorë nga vendimi i saj i mëparshëm për ta vendosur në mënyrë të njëanshme vijën kufitare detare në gjerësinë e 16 miljeve”.
Zoti Xhufi, pas negociatave me dy raunde që u zhvilluan mes ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, duket se ka deklarata të ndryshme prej tyre. Të martën ministri i Jashtëm grek tha se kishin rënë dakord me palën shqiptare për të shtrirë në 12 milje ujërat territoriale, gjë që nuk pohohet konkretisht nga ministri Bushati? Ç’mendim keni krijuar nisur nga këto informacione që kemi?
Shikoni, negociatat shqiptaro-greke mbi disa çështje të pazgjidhura, ose të zgjidhura keq, deri tani janë zhvilluar në një frymë konfidencialiteti. Për rrjedhim, komunikimi me mediat e me publikun ka munguar ose ka qenë i pamjaftueshëm. Gjykoj se në këtë fazë të bisedimeve, maturia dhe indiskrecioni janë të detyruar. Sigurisht, z. Kotzias “e theu” kodin e heshtjes, duke avancuar ndonjë element të bisedimeve. Dihet që qeveria e z. Cipras ka të bëjë me një opinion publik, që në një pjesë të mirë të tij është fanatikisht nacionalist, helenocentrik, ksenofob e antievropian. Faji i një sistemi shkollor e edukativ, që duke filluar nga viti 1821, ka gatuar gjenerata të tëra grekërish nacionalistë. Kuptohet, që këtij lloj opinioni z. Kotzias ka dashur t’i japë paradhënie ndonjë “kockë”, që të pushojë së lehuri, duke i shitur atij si “fitore” të negociatorëve grekë dy sende që, në fakt, qeverisë shqiptare ia imponon e drejta ndërkombëtare. Përcaktimi i kufirit detar në vijën e 12 miljeve është një cak i vendosur nga Konventa e OKB mbi detin, e ashtuquajtura Konventa e Montego Bay-t e vitit 1982, së cilës u detyrua t’i përmbahet edhe qeveria e Enver Hoxhës duke hequr dorë nga vendimi i saj i mëparshëm për ta vendosur në mënyrë të njëanshme vijën kufitare detare në gjerësinë e 16 miljeve. Sigurisht, ky rregull vlen aty ku dy vende ndahen nga një hapësirë e konsiderueshme detare. Por nuk vlen në rastet kur mes dy vendesh ekziston një hapësirë detare e vogël, siç është rasti i detit që ndan Korfuzin grek nga bregdeti shqiptar përballë tij. Më duket se, më në fund, ka folur drejt për këtë çështje edhe ish-komandanti i flotës sonë, kryenegociatori shqiptar i bisedimeve të dështuara të vitit 2008, z. Gerveni.
Pakti detar me Greqinë është një betejë të cilën Partia Socialiste e fitoi kur ishte në opozitë e tashmë po e rinegocion ndërsa është vetë në qeveri. Ç’mendim keni për këtë proces që ka nisur? A ju duket i rregullt? A duhet të kishte pasur konsultime me ekspertë më përpara?
Pikërisht, për arsyen që ju thatë, qeveria socialiste është e detyruar të jetë e matur në rinegocimin e paktit detar me Greqinë. Ajo ka në anën e saj një vendim të betonuar të Gjykatës Kushtetuese, që bazohet sa në ligjin shqiptar, aq edhe në ligjin ndërkombëtar. Veç të tjerash duhet të përballet edhe me një faqe të ndritur të historisë saj, që e bën atë të ndryshme nga fryma esadiste që ka karakterizuar marrëdhëniet e qeverive të djathta shqiptare me fqinjët grekë në këta 100 vjet të shtetit shqiptar. Unë guxoj ta theksoj me të gjithë forcën, se hedhja poshtë e paktit detar me Greqinë nga Gjykata Kushtetuese më 2009 i detyrohet ekskluzivisht Partisë Socialiste, që e denoncoi atë në Gjykatën Kushtetuese, dhe atyre 5 anëtarëve të asaj gjykate, që me profesionalizëm të lartë e me kurajë intelektuale e qytetare iu kundërvunë diktatit të qeverisë Berisha dhe ndryshe nga 4 kolegët e tyre, e mbi bazën e dispozitave të Kushtetutës sonë e të vetë Konventës së OKB, hodhën poshtë vendosmërisht qysh në votimin e parë atë marrëveshje antishqiptare. Sigurisht, këtu është vendi të kujtoj të gjithë ata ekspertë e profesorë të shquar e patriotë, si Myslim Pashaj, Ksenofon Krisafi, Besnik Bakiu, Sabit Brokaj, Vladimir Beja, Arben Puto, Ago Nezha, si dhe shoqatat atdhetare “Labëria”, “Mallakastra” etj., e në mënyrë të veçantë gazetarin e ri Tedi Blushi, që ishin të parët që ngritën zërin dhe denoncuan atë marrëveshje. Kujtoj gjithashtu, se marrëveshja e detit u bë larg veshëve e syve të opinionit publik shqiptar dhe pa informuar për të partnerët tanë të rëndësishëm, duke iu bindur edhe në këtë pikë një kërkese eksplicite të qeverisë konservatore greke të z. Karamanlis. Do ta lija të paplotësuar kuadrin e partive, shoqatave dhe individëve që u shquan në betejën për hedhjen poshtë të asaj marrëveshjeje, po të mos kujtoja, se atë kohë pozicioni i Partisë Socialiste kundër ujdisë Basha-Bakojanis u mbrojt me energji e dinjitet përpara Gjykatës Kushtetuese e në media të ndryshme, nga z. Saimir Tahiri.
Një tjetër diskutim që është hapur pas këtyre negociatave është edhe “çështja çame”. Greqia deklaron se nuk e njeh “çështjen çame” dhe as e diskuton, ndërsa tjetër gjë pohohet nga ministri e qeveria shqiptare. Përse kjo diskordancë qëndrimesh ose më saktë kjo “druajtje” e palës shqiptare për ta diskutuar me forcë këtë çështje?
Para se të flasim për “drojën”, le të themi që Partia Socialiste, sot në pushtet, është partia që në vitin 2013 e përfshiu çështjen çame në programin e saj si dhe në programin e qeverisë Rama që doli nga zgjedhjet e atij viti. Deri atëherë, vetëm LSI e kishte “çështjen çame” në programin e saj. Dhe duhet thënë, se qeveria socialiste arriti ta përfshijë “çështjen çame” në bisedimet zyrtare me palën greke, madje arriti të tërheqë deklarata tepër të rëndësishme të përfaqësuesve të lartë të BE mbi nevojën e zgjerimit të dialogut greko-shqiptar duke përfshirë edhe këtë çështje me ndjeshmëri të lartë për shqiptarët. Padyshim duhej bërë më shumë, sidomos në drejtim të përvijimit të një “road map”-i të artikuluar në kohë e në rëndësi për zgjidhjen dora-dorës të problemit. Por, gjykoj, se përveç qasjes ndonjëherë të sipërfaqshme e deklamative të qeverisë, për mungesën e një politike e të një aksioni energjik në promovimin e çështjes çame ka përgjegjësi edhe PDIU, partia që do të duhej të përfaqësonte interesat e popullsisë çame, e cila, gjykoj unë, nuk ka ofruar mbështetjen dhe nuk ka ushtruar presionin e duhur mbi qeverinë. Gjithsesi, unë jam i prirur të besoj se çështja çame vazhdon të mbetet në shqetësimet e projektet e qeverisë socialiste. Vetë integrimi i Shqipërisë në BE, që është një prioritet i saj, do të ishte një kontribut i drejtpërdrejtë edhe për çështjen çame, nga momenti që brenda një kuadri evropian, një çështje e tillë do të gjente shtratin ideal ku do mund të realizoheshin shkallë-shkallë aspiratat legjitime të popullsisë çame. Mirëpo, në këtë vështrim, drejtuesit politikë të komunitetit çam duhet të jenë të parët që të reflektojnë qëndrime e sjellje në përputhje me vlerat evropiane. Mirëpo, ngjarje të këtyre kohëve të fundit, po vërtetojnë fatkeqësisht të kundërtën.
Heqja e ligjit të luftës, sipas ministrit Bushati nuk ka lidhje me çamët. Sipas jush a përfitojnë ata nga heqja e ligjit?
Ministri Bushati ka të drejtë. Ligji i Luftës i shpallur me një dekret të mbretit të Greqisë në vitin 1940, u lidh me një efekt të drejtpërdrejtë, që ishte vënia nën sekuestro administrative të pronave të shtetasve shqiptarë në Greqi, të cilët përcaktoheshin nga ligji në fjalë si “shtetas armiq” përderisa ishin banorë të një “shteti armik”. Atë kohë çamët vazhdonin të ishin shtetas të Greqisë dhe efektet e ligjit të luftës nuk mund të shtriheshin mbi ta. Kështu, nga abrogimi i ligjit të luftës do të duhej të përfitonin imediatisht ata pronarë shqiptarë, disa qindra, të cilët qysh në kohën e Perandorisë osmane kishin blerë toka, pyje, kullota, dyqane në Maqedoni, Thesali, Livadhja e provinca të tjera të Greqisë. Këtu përfshihen edhe pronat e mëdha që zotërojnë në ato provinca institucione fetare, siç është rasti i teqesë bektashiane të Turbali Sulltanit në Thesali.
Përse është zgjatur kaq vite nga Greqia heqja e këtij ligji?
Së pari, sepse falë ligjit në fjalë, shteti grek ka shfrytëzuar e shfrytëzon pasuri të pallogaritshme të pronarëve shqiptarë, që mbahen të bllokuara falë këtij ligji. Nga ana tjetër, ky ligj shfrytëzohej e shfrytëzohet nga qeveritë greke të pasluftës si një “paliativ” për të qetësuar vrerin nacionalist të partive e të qarqeve konservatore greke, të cilat e kanë pasur anti-shqiptarizmin një flamur të përhershëm të betejave të tyre politike. Por, nuk është kjo kryesorja. Ekzistenca e ligjit të luftës u mundësonte qeverive nacionaliste greke të mos njihnin kufirin e vendosur nga Fuqitë e Mëdha në Londër, më 1913, dhe që u konfirmua si i tillë edhe në konferencat e Parisit, më 1926 e 1946. Ende nuk ka një marrëveshje për kufirin mes qeverive të Tiranës e Athinës, edhe pse një marrëveshje e tillë është zakonisht e para që dy vende fqinje nënshkruajnë mes tyre. Dhe në fund, duhet thënë se në kushtet kur krijohen situata të jashtëzakonshme, e të tilla mund të krijohen, ligji i luftës mund t’i shërbejë një qeverie ekstremiste për të përligjur një invazion të mundshëm të territorit shqiptar në emër, gjoja, të mbrojtjes së minoritetit grek nga sulmet e plaçkitjet e “turko-shqiptarëve”. Këto nuk janë fantashkencë. Mjafton të kujtojmë vitin 1949 apo 1997, kur trupat greke invaduan apo tentuan të invadojnë territoret e të ashtuquajturit “Vorio-Epir” nën pretekste të ngjashme. Ne nuk duhet të harrojmë se bashkimi i Shqipërisë së Jugut me Greqinë është një konstante politike e qarqeve nacionaliste, që janë gjithnjë prezente në qeverisjen e Greqisë.
Qeveria e Shqipërisë u duk se iu përgjigj e para rinisjes së një epoke të re në marrëdhëniet me Greqinë, në momentin kur mori vendimin për gjetjen e eshtrave të ushatrëve grekë dhe ndërtimin e dy varrezave, veprim për të cilin gjithashtu ka kritika. Ju si e komentoni këtë përgjigje të qeverisë shqiptare?
Unë mendoj si shumëkush tjetër, se kërkimi e gjetja e eshtrave të ushtarakëve të huaj që janë vrarë në territorin shqiptar, është një gjest njerëzor. Ajo që nuk miratoj është fakti që eshtrat e këtyre ushtarëve u dashkan varrosur të gjitha në tokën shqiptare, në komplekse madhështore mortore, që nesër mund të kthehen në vende pelegrinazhi nacionalist apo, akoma më keq, në targete të veprimeve e të provokimeve nacionaliste, që mund të ndërlikonin marrëdhëniet shtetërore Shqipëri-Greqi. Në këtë kuptim e kuptoj shqetësimin e atyre që e shohin insistimin e qeverisë greke për të ngritur 1, 2, 3 e më shumë vorreza greke në territorin shqiptar, si një pretendim të natyrës rivendikative.
Por, ndërsa ne bisedojmë për këtë çështje, politikanët tanë, qoftë në qeveri e qoftë në opozitë, lejuan që dy varrezat, e Kosinës dhe e Bularatit, të ngriheshin edhe pa patur një marrëveshje të shkruar mes dy qeverive, marrëveshje që u nënshkrua vetëm më 2008 nga qeveria Berisha. Mbi bazën e saj, pala shqiptare është e detyruar të lejojë kërkimet për trupat e ushtarëve grekë të rënë në vitet 1940-1941 në territorin shqiptar dhe vendosjen e tyre në dy vorrezat e sipërpërmendura. Uroj që numuri i tyre të mos shtohet. Personalisht do konsideroja zgjidhje më të arsyeshme ngritjen e një monumenti përkujtimor në nderim të ushtarëve grekë, ndërkohë që eshtrat e tyre të ktheheshin në atdhe.
Kuptohet që në një raport dypalësh do të duhet të vendoset një lloj marrëveshje “më jep, të jap”. Por a duket se pala jonë sërish po lëshon më shumë se duhet kundrejt Greqisë?
Përkundrazi, në rastin e marrëdhënieve e të negociatave aktuale me Greqinë më duket se nuk vlen ky rregull. Në marrëdhëniet historike me shtetin grek, shqiptarët kanë qenë gjithmonë pala që ka pësuar. Do mjaftohesha të kujtoja vetëm një faqe të dhimbshme e mjerisht të harruar të këtyre marrëdhënieve, atë të verës së vitit 1914, kur trupat greke të pushtimit kryen tentativën e parë për spastrimin e Shqipërisë së Jugut nga popullsia vendase shqiptare, duke kryer masakra të përbindshme, që përfaqësuesit e Fuqive ia kujtuan kryeministrit grek Venizellos edhe në Konferencën e Paqes së Parisit, më 1919. Më tej, për abrogimin e Ligjit të Luftës, Shqipëria nuk ka pse të lëshojë diçka në këmbim.
Greqia duhet ta heqë atë pa kushte, madje duke kërkuar falje për një turp që do ta shoqërojë historinë moderne të saj edhe për shumë kohë. Objekt “këmbimi” nuk mund të bëhet as marrëveshja e re për ndarjen e kufirit detar. Nën presionin e “votës për NATO-n”, qeveria greke arriti ta bindë qeverinë shqiptare të pranojë një ndarje të kufirit detar, që nuk gjen mbështetje as në Kushtetutën e Shqipërisë, dhe as në ligjin e në konventat ndërkombëtare. Vetë zonja Bakojanis e qeveria greke e vitit 2009 ishin të ndërgjegjshëm për këtë, përderisa marrëveshjen e arritur pa mund e pa bujë me qeverinë Berisha, nuk guxuan ta kalojnë për miratim në parlament./gsh.al/