Sokol Dodani: Ku po shkon ky vend?
Në një nga citimet e tij, presidenti amerikan WoodrowWilson thotë: “Mund të thuhet për një shtet që ka arritur shkallën e fundit korruptive, kur nuk ka tjetër forcë shtytëse, veçse paranë…Korrupsioni është gjithashtu mungesë dinjiteti, mungesë skrupujsh, shfrytëzim i njerëzve të pambrojtur. Tregomëni çfarë është e drejtë dhe unë do të luftoj për të!”
VITI I MBRAPSHTË
2017-a u karakterizua nga një dëshirë mbarëpopullore për të kërkuar këtë ëndërr që quhet: “DREJTËSI”. Duke pasur parasysh paaftësinë e shoqërisë shqiptare ta kërkojë nga vetja (ku mosekzistenca e dukshme e shoqërisë civile e bën edhe më të theksuar këtë mungesë), sytë tanë u drejtuan për nga faktori i jashtëm, kryesisht SHBA-ve dhe BE, të cilët po luajnë rolin e tyre dashamirës për ëndrrat bashkëkohore të popullit Shqiptar për aq sa hapësira e tij diplomatike i lejon, dhe ndoshta, edhe më shumë.
Shkërmoqja e gjithë superstrukturës politiko-institucionale të Shqipërisë, në ditët e sotme, po del gjithmonë e më qartë në sytë e opinionit të gjerë.
Kemi një parlament ilegjitim, ku pjesa më e madhe e deputetëve, akuzojnë njeri-tjetrin për krime monstruoze. Si mundet drejtësia të veprojë aq egër kundrejt atyre që për pamundësi ekonomike nuk arrijnë të paguajnë as faturat e ujit apo ato të energjisë elektrike e kur në shtresat e larta të politikës kemi një mbarështrirje thuajse supreme të krimit?! Si ka mundësi kaq shumë akuza nga të gjitha palët në klasën politike dhe asnjë reagim i organeve të drejtësisë?
Opozita e drejtuar nga lideri i saj historik Sali Berisha, ku skandalet e shumta nuk i shqiten figurës së tij; viti 1997, Gërdeci, 21 Janari apo akuza në lidhje me familjarët për abuzime të karakterit ekonomik në kurriz të qytetarit shqiptar, apo liderit Basha, që rrugëtimi i përbashkët me z.Berisha, e ka përlyer gjithashtu si figurë. Por jo vetëm kaq, ai vetë është pjesëmarrës edhe në protestën e 21 janarit, protagonisti kryesor në abuzimet e Rrugës së Kombit. Familjarë të tij, gjithashtu në afera me konflikt interesi, në raport me postet që ai mbante kur Partia Demokratike ishte në pushtet.
Por edhe maxhoranca socialiste me këtë konfuzion të krijuar dhe e zhytur në të, duket të jetë e paaftë për të marrë përgjegjësitë që i takojnë. Më shumë duket sikur tenton të krijojë një ekuilibër shantazhesh që “po më the këtë të nxora atë”, apo “mbylle, se ti je më i zhytur se unë në këtë batak”, sesa vullnetin përgjegjës për mirërrugëtimin e reformës që po duket gjithnjë e më qartë se, pa të drejtë, në ato fillime, pretendoi që ishte nismëtare.
Fatkeqësisht, maxhoranca e kapur për fyti nga çështja “Tahiri”, shoqëruar kjo me një mori miniskandalesh, thuajse të përditshme, të cilës nuk po dijnë t’i japin përgjigje, me një padije të dukshme për të drejtuar,me frikë përballë klithmave të pakuptueshme të z.Berisha apo shoqërueseve të tij eklektikë, bën që me paaftësinë e saj, të duket po aq bashkëfajtore dhe të njehsohet në krimet; me apo pa faj. Në këto nivele, heshtja institucionale (dhe jo llafazanëria vulgare), të kthen në bashkëfajtor. Klasa aktuale politike shqiptare, ju ngjan bandave të organizuara dhe ka vetëm një emërues kriminal të përbashkët e nga ku, nuk mund të përjashtohet askush. Kjo është e përgjithshmja që karakterizon sot parlamentin shqiptar.
Qeveria është kthyer thuajse inekzistente ku, kryeministri aktual drejton vetëm me 4 apo 5 zëvendësministra, megjithëse në parlament zotëron pjesën dërrmuese të deputeteve. Paradoks qesharak që historia na tregon se vjen në ato momente kur gjithçka në instancat shtetërore shkërmoqet dhe bashkë me të edhe pushteti.
Deklaratat e bëra nga Ministria e Brendshme për numrin e bandave të organizuara, 44 apo 17 të rrezikshmërisë së lartë, të cilat kanë lidhje me politikën(me cilën pjesë të saj?)dhe përveç fjalëve dhe konstatimeve, nuk ka asnjë kundërveprim ligjor, ku Ministri i Jashtëm me plot naivitet, bën deklarata kundër Berishës, si për t’i thënë:”mbylle se t’i nxora të palarat!”, e që në të vërtetë, shprehur e tillë, duket se është një tallje e hapur me interesat e këtij vendi (përse e lejojmë këtë kllounadë?).
Po të shohim organet e drejtësisë dhe shkërmoqjen e tyre, ndeshemi me njërin nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Z. Besnik Imeraj, i cili jep dorëheqjen pas mbylljes së dosjes së Gërdecit,shuarjes së akuzave ndaj Lulëzim Bashës për abuzime në skandalin e Rrugës Durrës-Kukës, pengesë reformës në drejtësi etj.,apo ku institucioni kryesor i akuzës, Prokuroria, ka pasur në drejtimin e saj për gjithë këto vite, dikë si zotin Llalla, në postin e Prokurorit të Përgjithshëm, me vizë të refuzuar në SHBA dhe me dyshime serioze mbi dokumentacion fals përsa i përket nivelit të tij profesional. Përse nuk ka një hetim për të dhe për ata që e kanë emëruar në këtë post kaq nevralgjik?!
E ndërkohë qytetari ndeshet gjithmonë e më shumë me fenomenet e informalitetit vrasës. Thuajse një e treta e qytetarëve gjendet në emigracion dhe ky fenomen vazhdon pothuajse me të njëjtin intensitet. Fenomen ky, shqetësues, për shumë vende në Europë por që kalon i shpërfillur në Shqipëri. Shohim godina ku shkruhet “SPITAL” por brenda shërbimi spitalor është inekzistent dhe e detyron qytetarin të futet edhe njëherë në riblerjen e shërbimeve mjekësore, të cilat, e drejta kushtetuese, ju a garanton falas. Po i njëjti fenomen ka prekur sistemin tonë të arsimit, ku të ashtuquajturat reforma, vazhdojnë të jenë të mbytura nga korrupsioni e informaliteti. Përsëri rrethi vicioz: diploma false – provime të dhëna kundrejt shumash parash- vite të humbura – prodhim spekulatorësh e spekulimesh.
A do të ketë përgjegjës për gjithë këto breza të rinj shqiptarësh që hyjnë në kuadrin tragjik të «brezave te humbur»?!
Në mbyllje po i kthehem edhe një herë citimit të presidentit amerikan Woodrow Wilson: “ …Tregomëni çfarë është e drejtë dhe unë do të luftoj për të…