Agim Hushi: Armiku
Tregim
Në kafenenë gati të boshatisur në një lagje të kryeqytetit, kishin rënë rrezet e diellit të dimrit! Dukej sikur ishte një skenë filmi që i kishin vënë prozhektorët për ta ndriçuar.
Estrefi kishte zënë një tavolinë nga fundi dhe në duar mbante gazetën.
Me syzet e vjetra dhe të një numri të madh po lexonte një artikull që më shumë po e mërziste se po e tërhiqte!
I kishte kaluar të tetëdhjetat dhe ajo kafe e vjetër, por me paltrona të rehatshëm i ishte bërë si pjesë e shtëpisë.
Kamarierët ishin djem të sjellshëm që ia kishin mësuar shijen dhe ia bënin kafen “kajmak” siç thonte ai!
Atë ditë fundshkurti kishte dalë që në mëngjes dhe kishte zënë një qoshe të kafenesë duke i kthyer shpinën diellit të ftohte, por që pas xhamave kthehej në një radiator të vërtet ngrohtësie!
Po lexonte një shkrim për rritjen e pensioneve. I vinte ndot kur hipokrizia e qeverisë i kalonte caqet e paturpësisë!
Pas çdo fjalie të rreme turfullonte dhe ofshante me duf.
Pensioni mezi i dilte për ushqim dhe ilaçet! Dritat dhe ujin ia paguante i nipi në Itali, që punonte si refugjat!
Kujdesej që paratë e kafes t’i kishte gjithmonë të siguruara. Aty në kafenenë e lagjes jo vetëm filxhani i kafes që i shijonte, por dhe kamerierët apo miqtë e vjetër, komshinj që takonte e gëzonin dhe shtynte ditët monotone të pleqërisë!
Dikur lexonte libra, madje pati filluar të shkruante edhe kujtimet e burgut politik që kishte bërë në Spaç. Por pas disa faqesh pena i kishte ngecur dhe nuk kish mundur të vazhdonte më. Megjithëse e ndjente se kishte shumë për të treguar, histori interesante por dhe të hidhura!
Rrufiti me shije një surp kafeje dhe papritur sytë i ndeshën nga poshtë syzeve një person që u fut në kafenenë e boshatisur
Mirëmëngjes, uroi i porsaardhuri! – Po pres një mik shtoi dhe u ul në tavolinën përbri Estrefit.
Ç’dëshironi të pini, e pyeti kamerieri gjith miërsjellje.
Një ekspreso të hidhur, iu përgjigj i porsaardhuri dhe hodhi sytë me kërshëri nga Estrefi!
Mirëmëngjes, e përshëndeti miqësisht!
Mirëmëngjes iu përgjigj Estrefi dhe papritur ngjyra e fytyrës i ndryshoi. U bë i bardhë dhe sytë i ngrinë!
“Kam 25 vite që stë kam parë! Qenke gjallë dhe spaske ndryshuar fare” mendoi me vete. Papritur në kokë dëgjoi një ulërimë therëse. Kapi kryet me duar sikur deshi ta ruante mos t’i dilnin trutë nga koka Ishte një dhimbje e vjetër, nga ato të torturave në katet e nëndheshme të zyrave të hetuesisë së regjimit komunist
Oh, rënkoi befas.
I porsaardhuri hapi sytë me kërshëri dhe shtangu.
Ti…? Pyeti gati instiktivisht ai!
Kamerieri kishte shtangur me kafen dhe ujin, me tabaka në dorë pa kuptuar asgjë!
Papritur Estrfi u ngrit me vrull sikur të kishte kafshuar diçka keqas nga pas!
I porsardhuri ngriu dhe më përvuatje e shikoi me një fytyrë të nënshtruar. Sikur po priste kafshimin e luanit me bindje!
Ky qëndrim e ndali Estrefin që e shikoi me një urrejtje të frikshme!
“Si mundesh të më dalësh përpara. Si mundesh”…Estrefi filloi të dridhej dhe fytyra nga një e bardhë e frikshme që i kish rënë filloi të nxihej dhe buzët ti dridheshin!
Befas hoqi xhaketën dhe ngriti bluzën dhe kanotjeren e brendshme. Në trupin e fishkur befas u shfaqën disa rripa gjurmësh të mishta, si të çara të vjetra që as koha nuk kishte mundur t’i fshinte.
Më dhembin cdo natë kur bie të fle…S’ka natë që zëri yt nuk më prish gjumin dhe shufrat e hekurit që ti m’i thyeje në trup…Befas nga sytë e Estrefit shpërthyen lotët!
Monstër, thirri befas me sa fuqi që pati Kriminel! Mu hiq sysh se do të të ha të gjallë…dhe iu hodh përsipër të porsardhurit.
Por pas pak ra vetë pa fuqi në dyshemenë e ftohtë.
Kamerieri që kishte shtangur u ul shpejt ta ndihmonte dhe e ngriti duke e ulur në karriken përballë të porsaardhurit, i cili ishte zverdhur gjithashtu dhe vetëm belbëzonte: qetësohu të lutem!
Estrefi u ul dhe sikur e përmblodhi veten. Kërkoi me sy kafen e mbetur përgjysmë të cilën kamerieri ia solli menjëherë.
Më shkatërrove jetën. Më vrave dhe më torturove trupin, por ma more dhe shpirtin. Më le pa njeri në botë. Më ndave nga gruaja, fëmijët, familja. Më shpalle armik të njerëzve të mi, të pupullit tim, miqve të mi. Edhe kur dola nga burgu ku më fute ti pa asnjë faj, askush s’ma hapi derën. Kam fjetur me qentë rrugëve…Befas Estrefit i plasi e qara.
I porsaardhuri i vuri dorën me keqardhje në sup dhe filloi të dridhej:
Më fal… i tille ishte sistemi, koha. Kam bërë veç detyrën. S’kishim rrugë tjetër, veç të më trajtonin dhe mua si ty.
Gënjen maskara, i pashpirt- i ulëriti Estrefi në fytyrë!- Kush të detyronte ty të m’i thyeje shufrat e hekurit në trup? Kush të kërkonte të më hidhje kripë në plagët e hapura? Kush ta kërkonte të më shpallje armik me çdo kusht! Unë isha një copë mekanik që vetëm thashë ‘na lodhët me këto lexime veprash para dhe pas pune’. Punoja gjithë ditën për të mbajtur familjen dhe për të rritur fëmijët. Dhe në vend që të kthehesha dhe të pushoja pas ditës së lodhshme të punës në shtëpi, na mbanit të lexonim veprat e Enver Hoxhës! Më shpallët armik, agjent! Ti kërkoje me çdo kusht bashkëpuntorët! Ti!!! Tiiii – thirri Estrefi me sa fuqi që kishte!
Bashkëbiseduesi po dridhej dhe s’dinte ç’të bënte. Vetëm përpëriste:
Më fal, ishte koha!
Jo! Ishe ti, – iu drejtua Estrefi me gisht në fytyrë, gati duke i nxjerrë sytë! S’të fal kurrë, kur mu turre dhe megjithëse isha i lidhur me nxorre krahun. Aq dhimbja kisha sa më ra të fikët. Por dhe ashtu gjysmë i vdekur, ti më solle një listë “bashkëpunëtorësh” dhe më kërkova ta nënshkruaj. Aty iu luta Zotit të vdisja. Ti ishe maskara, maskarai më i madh i kësaj bote. Sa herë më ka dalë gjumi nga tmerri i poshtërsisë tënde… Nuk të fal kurrë!!!Kuuurrë!…ulëriti Estrefi, ndërsa nga cepat e buzëve i kishte dalë shkumë e bardhë!
Të lutem qetësohu! E tillë ishte koha, me atë punë ushqeja dhe unë fëmijët.Të kërkoj ndjesë!
Papritur burri ma kasketë zuri të qajë!
S’dua të vdes pa më falur ti. Dhe mua me ka dalë gjumi aq e aq net sa herë të kam menduar. Për torturat që të kam bërë, plagët që të kam hapur… dhe mbi të gjitha për dënimin tënd të padrejtë, shkatërrimin që pësoi jeta jote.
Befas ati iu var koka dhe padashur e mbështeti në supin e Estrefit i cili e pa me bisht të syrit dhe nuk e lëvizi. I erdhi keq për atë plak që po dridhej dhe po i lutej ta falte!
Më fal, – ngriti sytë me pafuqi bashkëbiseduesi dhe në çehre i kishte rënë një verdhje e frikshme vdekje!
Të lajmëroj një ambulance, – iu drejtua kamerieri Estrefit si për t’i marrë miratimin.
Merre, – i tha Estrefi, me dhimbje dhe me zë të qetësuar!
S’dua të vdes pa të kërkuar falje dhe pa më falur… e tillë ishte koha, – i tha plaku me kokë të varur me një zë gati të shuar!
Estrefit befas i erdhi keq. Një lëmsh iu mbështoll në grykë. Ia vuri dorën për ta mbajtur që të mos rrëzohej dhe e shikoi në sy:
Vdis i qetë! Të kam falur në këtë dhe atë botë!
Befas bashkëbiseduesi lëvizi dhe i dha vetes me sa fuqi kishte dhe e përqafoi:
Më fal për gjithçka! Dhe unë një ditë e pesova si ty. Dhe humba gjithçka. Ne i shërbyem një mortje që na hëngër të gjithëve njësoj!
Pas pak mbërriti një ambulancë e bardhë me sirenat e ndezura!
Estrefi kishte shtangur nga përgjigja e armikut të tij dhe e shtërngoi në krah me sa fuqi që kishte! Por ishte shumë vonë.
Ka vdekur, – i tha mjeku pasi i mati pulsin. Një infrakti si ky zor se i shpëton njeri.
Estrefit i vërshuan lotët…
“Dhimbjet s’paskan fund për mua”, mendoi dhe teksa mori rrugën të dilte jashtë në rrezet e ftohta të atij dielli fund shkurti iu morën mendt dhe u rrëzua. Por u ngrit dhe teksa filloi të ecte përsëri me forcat e veta mendoi: “Paskam lindur për të ecur mes dhimbjesh”!
Kafeneja kishte mbetur e shkretë me atë ndriçim dielli që i ngjante skenës së një filmi të sapoluajtur, ku i vetmi spektator kishte mbetur kamerieri i shtangur nga skena që sapo kishte ngjarë!