Albspirit

Media/News/Publishing

Katjusha Pogaçi: BALLKAN

Ballkani ku ne jemi,
Jam unë, je dhe ti
Një emër dhe një folje 
Në rrënjë, në histori,
Bashkë me baladat
Luftë edhe mjegull,
Ball – kanë këta popuj
Të rëndë në shekujt.

Ball – kanë
E, në ball
Mendimin stuhi,
Shpresën nëpër erë
Shkëndijat në sy,
Pasion dhe legjenda
Portretin e bukur,
Por shpesh rri mëria
Thellë bishë e strukur.

Veç lumenjtë ecin,
Vrapojnë veri
Vijnë tek unë,
Vijnë dhe te ti,
Si krushq të rrëmbyer
Vrapin n’arrati,
Nuse Drini i Bardhë,
Kalë Drini i Zi.

Ballkan me kaq male,
Ballkan me kaq halle,
Pyje e lumenj,
Popuj e kufij,
Gjuhë e liqenj
Zjarr edhe shkëndi…
Nëntoka flet,
Mbitoka gjëmon
Njëra rizgjohet
E tjetra përgjon…

S’je veç gjeografi,
Je dhe ti një botë,
Ku bien lahuta
E përplasen dallgë,
Brigjeve tragjikë
Maleve tragjikë…
Retë kreshpërohen
Erërat ngatërrohen
E gjuhët këlthasin.

Kurse thellë në shpirt
Ti me shpresën luan.
Shpresa jote e madhe
Bukuri e hajthme,
Në pasqyrë kohësh
Reflekton thesare…
Shikoi, kuptoi
Dhe s’ke për t’i humbur.
Bashkoi gjerdan
Do t’i kesh përfare…

E martë, 23 janar 2001

(Nga libri “Shkruaj kohën”, Tiranë, 2016)

Please follow and like us: