Pse nuk mora pjesë në protestën kundër “faljes 12 milje” det Greqisë?
Zamira Çavo
Nuk besoj se ju që ishit në atë protestë e dini dhe e keni të qartë se çfarë po ndodh realisht me ato 12 miljet e famshme.
Unë jam e prirur të besoj profesionistët dhe jo individë që e kanë patriotizmin si strehën e tyre të maskarallëkut. Jam e prirur të besoj në Konventat Ndërkombëtare dhe në instiktin tonë kombëtar.
Si mund t’i besoj z Berisha që gjoja po na mallëngjehet se po jepet Shqipëria te greku? Po si mund të harroj unë ato çka i ka bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve ky njeri?
Më tej jam e bindur se patriotizmi dhe dashuria për vendin nuk bëhet me ekzibicionizma, por me vepra, me punën e përditshme tonën.
Unë me gjithë respektin e madh që kam për çështjen çame nuk mendoj se një protestë si kjo e sotmja e ndihmon procesin.
Dhe as më shkon ndërmend të mendoj se po në këtë mënyrë, do të zgjidhet kjo çështje.
PO, revolta ime ngrihet ndaj qeverisë së cilës i kërkoj transparencën e plotë të kësaj çështjeje dhe jo deklarata ambigue.
Ata që e frynë këtë çështje ia arritën qëllimit për të krijuar tymnajën e radhës e për të fshehur dorën e tyre.
Edhe këtë radhë thirrën në ndihmë “patriotizmin”.
Është detyrë e qeverisë ta zbardhë çështjen me përgjegjësi institucionale. Pavarësisht kohës diplomatike. Unë respektoj Protestën dhe çdo individ që merr pjesë në të.
Është një e Drejtë e gjithsecilit. Pra edhe e imja.
Por unë kam zgjedhur ta përdor këtë të drejtë kur bindja ime shkon përtej thirrjeve patetike për “tradhti” kombëtare apo falje territoresh.